KryesoreLajme

VOA: Raportimi mbi lidhjet e liderit serb me grupet kriminale ngre pyetje për SHBA-në

Shkruan Dino Jahic për Zërin e Amerikës, përshtati në shqip Rruga Press

Në fillim të majit, The New York Times Magazine publikoi një artikull të thelluar për presidentin serb Aleksandar Vuçiq me detaje rreth lidhjeve të tij të dyshuara me një grup kriminal që po ndiqet penalisht për një sërë krimesh, duke përfshirë trafikun e drogës dhe vrasjen.

Artikulli tërhoqi vëmendjen e gjerë ndërkombëtarisht, jo vetëm në Ballkan, ku organet hetimore lokale kanë raportuar shumë nga të njëjtat akuza, të cilat Vuçiqi i mohon.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentonte mbi vërtetësinë e pretendimeve në artikull, megjithatë të paktën një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit e shpërndau artikullin në mediat sociale. Dhe akuzat u ngritën muajin e kaluar gjatë një seance dëgjimore në Kongres për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, analistët e jashtëm kanë qenë të zëshëm.

“Është një histori tronditëse dhe e tmerrshme që nivelet më të larta të qeverisjes janë kaq të ndërthurura me sipërmarrje kriminale. Mendoj se e kemi parë në mjaft vende të tjera saqë është një shqetësim në rritje, ngatërresa midis qeverive autoritare dhe rrjeteve kriminale,” – tha Gary Kalman, drejtori ekzekutiv i Transparency International USA për VOA-n e Serbisë.

“Është e tmerrshme. Është shumë keq”, tha Susan Rose-Ackerman, profesoreshë e drejtësisë dhe shkencave politike në Universitetin Yale, e cila ishte bashkëautore e librit “Korrupsioni dhe Qeveria”. Ajo i tha Zërit të Amerikës se lidhjet mes njerëzve në pushtet politik dhe krimit të organizuar krijojnë një version ekstrem të korrupsionit politik.

Artikulli i Times raportoi se lidhjet midis policisë dhe grupit kriminal, të udhëhequr nga huligani i futbollit Veljko Belivuk, me nofkën Trouble, ishin të mirë-dokumentuara. Historia gjithashtu pretendonte se “ka pak dyshim që Belivuk dhe banda e tij janë në burg sepse Europoli ka thyer kodin” e aplikacionit të mesazheve telefonike përmes të cilit ata komunikonin.

Autori Robert Worth raportoi se Belivuk dëshmoi në gjykatë se “banda e tij ishte organizuar ‘për nevojë dhe me urdhër të Aleksandar Vuçiqit’.” Ai shtoi se grupi, ndër të tjera, përdorej për të frikësuar rivalët politikë dhe për të parandaluar tifozët në lojërat e futbollit nga thirrjet kundër Vuçiqit.

Worth shkroi gjithashtu se ai është skeptik që Vuçiqi nuk ishte në dijeni të çfarë këto grupe bënin, pasi Vuçiqi “tani ushtron kontroll pothuajse total mbi pothuajse çdo aspekt të jetës publike” në Serbi.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Konteksti ndërkombëtar

Vuçiqi është në politikë që nga vitet 1990. Ai shërbeu si ministër i informacionit për Slobodan Millosheviçin, ku udhëhoqi një goditje ndaj shtypit dhe shprehu publikisht mbështetje për kriminelët serbë të luftës.

Partia e tij Progresive Serbe ka qenë tani në pushtet për më shumë se 10 vjet, gjatë të cilave ai ishte edhe kryeministër.

Zëdhënësit e Vuçiqit refuzuan kërkesat e Worth-it për komente, por në një intervistë për televizionin pro-qeveritar Happy TV në Serbi, Vuçiqi tha se “historia absurde e New York Times ishte e porositur” dhe se ai e kupton atë si një mesazh gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e ka njohur kurrë.

“Unë e di se si e bëjnë këtë”, tha Vuçiqi për Happy TV. “E dini, CIA të bën grackën, CIA të vëzhgon, nëse nuk silleni mirë dhe nuk dëgjoni, ky është vetëm fillimi.”

Është bërë praktikë e zakonshme në vitet e kaluara që autoritetet serbe të cilësojnë çdo kritikë si tradhti, komplot kundër vendit ose komplot për përmbysjen e qeverisë.

Të dy Worth dhe New York Times mohuan akuza të tilla.

Të intervistuarit e Zërit të Amerikës vunë në dukje se aspekti më domethënës i historisë ishte fakti që u botua në anglisht, në një gazetë me reputacion me një numër të madh lexuesish.

“Është një ekspoze e Aleksandar Vuçiqit dhe qeverisë së tij dhe e vendosi atë në një kontekst ndërkombëtar, duke pasur parasysh se është The New York Times,” i tha Zërit të Amerikës Tanya Domi, profesore në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin e Kolumbisë. “Të gjithë po e lexojnë tani këtë artikull.”

A është Serbia një partner i besueshëm për Shtetet e Bashkuara?

“A është i besueshëm ky raportim?” Senatori Bob Menendez pyeti këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, gjatë një seance dëgjimore në maj të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit në lidhje me politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar historisë së Times.

“Ne besojmë se është. Nuk mund të flas për specifikat e artikullit, por ka absolutisht shumë korrupsion,” u përgjigj Cholleti, me Gabriel Escobarin, zëvendës ndihmës sekretar i Departamentit të Shtetit, i ulur pranë tij.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

“Pra, cila ëhstë perspektiva reale për një partner të besueshëm në Serbi, me të këtillë prapavijë?” pyeti Menendezi.

“Ne po e bëjmë këtë me vetëdije, por po kërkojmë llogari tek Vuçiqi dhe kolegët e tij për korrupsionin e tyre, për sjelljen dhe aktivitetin e tyre”, tha Cholleti, duke vënë në dukje se korrupsioni është një çështje kryesore në të gjithë rajonin.

Por në një intervistë për Shërbimin Boshnjak të Zërit të Amerikës, Kurt Bassuener, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, vuri në dukje se SHBA nuk ka sanksionuar asnjë zyrtar të administratës së Vuçiqit për korrupsion siç ka bërë në disa vende fqinje.

“Ata (DASH) në thelb e shmangën atë,” tha Bassuener për zyrtarët e Departamentit të Shtetit. “Ata (DASH) nuk u morën me asgjë thelbësore. Dhe unë mendoj se ky është refreni i politikës gjithëpërfshirëse, i cili është paqësimi ndaj rajonit.”

Domi beson se Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi po ndjekin idenë se Serbia është “një forcë stabilizuese në rajon”. Por nëse qëllimi i një politike të tillë të jashtme ndaj Ballkanit Perëndimor është ta afrojë Serbinë më afër Perëndimit dhe më larg nga Rusia, Domi thotë se nuk ka asnjë provë që një strategji e tillë funksionon.

Serbia është një nga vendet e rralla evropiane që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe ka një ndjenjë të fortë pro-ruse në vend.

Kalman i Transparency International tha se strategjia e Uashingtonit me Serbinë mund të ndryshojë në të ardhmen.

“Unë mendoj se ekziston mundësia që SHBA-të, duke pasur parasysh një lloj roli të Serbisë dhe ku ndodhet në botë, mund të bëjnë presion për të provuar dhe përmirësuar gjërat në Serbi,” tha ai.

“I shqetëson fakti se qeveria serbe do të fillojë një aleancë me vende dhe interesa që SHBA-të i kundërshtojnë në kuadër të sigurinë së tyre kombëtare, dhe kështu ata (SHBA) tërhiqen. Sa do shtyjnë dhe sa jo? Nuk e di të përgjigjem për këtë pyetje. ”, tha Kalman.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *