Bota

VOA: Në janar priten bisedime ShBA-Rusi për çështje të sigurisë

Bisedimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara rreth kërkesave të Moskës për garanci nga Perëndimi që NATO nuk do të zgjerohet në Ukrainë, pritet të zhvillohen në fillim të janarit.

Negociatat kryesore do të zhvillohen me Shtetet e Bashkuara, menjëherë pas përfundimit të festave të Vitit të Ri, u shpreh sot gjatë një interviste ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Në Rusi, pushimet zgjasin 10 ditë, deri më 9 janar.

Moska ka kërkuar garanci nga Perëndimi që Ukraina dhe republikat e tjera ish-sovjetike të mos anëtarësohen në NATO, si dhe një tërheqje të trupave të NATO-s nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Uashingtoni dhe aleatët e tjerë kanë refuzuar të japin angazhime të kësaj natyre, por kanë thënë se janë të hapur për bisedime.

Lexo më shumë  Gjykata Ndërkombëtare Penale, urdhër-arrest për Netanjahun dhe liderin e Hamasit

Kërkesat e Moskës, të paraqitura në formën e një projekt-traktati sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe të një projekt-marrëveshjeje mes Moskës dhe NATO-s, u hartuan mes shtimit të tensioneve, për shkak të rritjes së pranisë së trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, gjë që ka ngjallur shqetësime për një sulm të mundshëm ndaj këtij vendi. Rusia mohon se po planifikon të sulmojë fqinjin e saj, por këmbëngul në garanci ligjore kundër zgjerimit të NATO-s dhe dislokimit të armatimeve në Ukrainë.

Lexo më shumë  Ukraina thotë se rusët kanë humbur 1,380 ushtarë dhe 15 tanke në 24 orët e fundit

Ministri i Jashtëm rus tha se veç bisedimeve me Uashingtonin, Moska do të zhvillojë bisedime të veçanta edhe me NATO-n mbi këtë çështje.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thirrur një takim të Këshillit NATO-Rusi më 12 janar.

Zëdhënësi i Kremlinit e konfirmoi sot zhvillimin e takimit, duke i quajtur të rëndësishme bisedimet me NATO-n, por shtoi se hollësitë janë duke u përgatitur nga diplomatët dhe data mbetet ende për t’u konfirmuar./voa/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *