Argument

VLEN-i ka arritur të stimulojë edhe shtetin amë për më shumë përkushtim, i cili për 24 vite është shquar për indiferencë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut

Shkruan deputeti i VLEN-it, i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku

VLEN-i ka arritur që, pa i bërë ende dy vjet qeverisje, të stimulojë edhe shtetin amë për më shumë përkushtim, i cili për 24 vite me radhë është shquar për një indiferencë mbresëlënëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë këtyre viteve kanë ndodhur tragjedi, arrestime dhe linçime: 27 Prilli, rasti i Kumanovës, Monstra, rasti i Almirit, Sopoti, Alfa, rasti i Harun Aliut dhe shumë të tjera. Janë vrarë, arrestuar e stigmatizuar shumë shqiptarë të pafajshëm. Dhe megjithatë, në asnjë nga këto raste nuk kemi pasur reagime të përshtatshme zyrtare nga shteti amë. Në rastin më të mirë kanë qenë reagime si të bëra nga Danimarka, në rastin më të keq nuk ka pasur asnjë reagim fare.

Sot, për aq kohë sa VLEN-i është në qeverisje, nuk ka ndodhur asnjë rast i kësaj natyre dhe urojmë të mos ndodhë kurrë. Nuk kemi parë as tragjedi të tilla, as afera korruptive. Po ashtu, nuk është cenuar apo degraduar asnjë e drejtë e shqiptarëve. Nuk ka asnjë fakt për këtë, përveç atyre manipulative të opozitës. Por reagimet nga Tirana nuk pushojnë. Zoti e bëftë mirë.

Të gjitha temat për të cilat bëhet zhurmë janë çështje të trashëguara. Të trashëguara nga një pushtet i papërgjegjshëm dhe tejet korruptiv. Kjo të bën të habitesh se përse kjo kastë politike, e damkosur thellë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e denoncuar nga ambasadat e vendit për korrupsion madhor, me figura të larta partiake nëpër burgje apo në arrati, po e gjen një përkrahje kaq të fuqishme nga Tirana zyrtare.

Një shembull i qartë i kësaj trashëgimie është provimi i jurisprudencës, i cili nuk është zhvilluar kurrë në gjuhën shqipe në këta 24 vitet e fundit. Me VLEN-in në qeveri kjo mund dhe do të korrigjohet, siç po korrigjohen shumë defekte e boshllëqe të lëna nga opozita aktuale që synim ka pasur vetëm pasurimin individual.

Megjithatë, media pranë BDI-së, e ndihmuar edhe nga segmente të caktuara në Tiranë dhe Prishtinë, përpiqet ta paraqesë këtë realitet sikur kjo e drejtë ka ekzistuar më parë dhe është hequr tani. Ky është një manipulim klasik, një propagandë aspak kombëtare.

E njëjta logjikë vlen edhe për çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhëve që i flasin mbi 20% e qytetarëve. As ligji dhe as dispozitat kushtetuese nuk janë ndryshuar nga kjo qeveri, asnjë presje e vetme, dhe as ka pasur apo do të ketë përpjekje në këtë drejtim.

Çdo përpjekje për kontestim ka buruar nga Gjykata Kushtetuese, përbërja aktuale e së cilës është votuar nga duart e BDI-së. Në radhët e deputetëve të BDI-së gjendet edhe ish kryetari i kësaj gjykate, ndërsa gjykatësit e tjerë të saj vazhdojnë t’i bëjnë shërbim kësaj partie. Shërbim i bën edhe kryetari aktual, i cili mbetet figurë kontraverse. Duke e ditur që BDI-së nuk i ka mbetur asnjë temë tjetër përveç atyre me sentiment nacionalist, ky, me një retorikë shovene, përpiqet ta nxisë tema për ta ushqyer debatin që shkon në favor të BDI-së. Një lojë diabolike e BDI-së me kryetarin e Gjykatë Kushtetuese.

Kombi dhe gjuha nuk mbrohen nga tempujt e korrupsionit siç janë Soravia apo Euorvia.

Çdo përpjekje për t’i cenuar këto të drejta do të marrë përgjigjen e merituar nga VLENi, me vendosmëri dhe në përputhje me ligjin. Shqiptarët nuk janë dhe nuk do të jenë më objekt i eksperimenteve politike dhe propagandës së fabrikuar. Boll na kanë hedhur hi syve për 22 vjet.

Rruga Press

YouTube player