KryesoreLajme

Vjosa Osmani fjalim vjetor në Kuvend: Kaluam vit të vështirë, Kosova të mbrojë kufijtë me çdo kusht! Opozita të unifikohet për çështjen kombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur sot fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës. Nga foltorja e Kuvendit, Osmani e nisi fjalën e saj me sulmin e tmerrshëm në Banjskë dhe të gjitha peripecitë e shtetit të Kosovës përgjatë këtij viti. Duke e cilësuar si jo të lehtë, Presidentja e Kosovës  u shpreh se Kosova do duhet të jetë  e palëkundur në qëndrimin e saj stoik dhe mbrojtjen e kufijve të saj kurdoherë.

“Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi. Në veçanti në fushën e sigurisë meqë në shtator Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që pas luftës. Një grup i mbështetur nga Serbia kreu akt agresioni që të shkaktohet destabilizim. Kosova u përball me një agresor, të dukshëm në ambicie me qëllimin cenimin e themelit të shtetit tonë… Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë Osmani në fjalimin që e kanë bojkotuar deputetët e PDK-së dhe ata të AAK-së.

Osmani ka thënë se në situata të tilla si sulmi në Banjskë, e gjithë kasta politike do duhet të jetë e unifikuar pavarësisht ndasive ideologjike, pasi çështja kombëtare është më e rëndësishme se çdo kauzë tjetër.

“Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike, por duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran”, ka potencuar Osmani. “Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, është shprehur presidentja.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po i bën dëm Kosovës me qasjen e pabarabartë karshi saj e Serbisë. Gjithashtu ajo u shpreh se Kosova dhe Serbia nuk duhet të shihen kurrë si të barabarta në procesin e dialogut pasi qasja e Beogradit ndaj normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve përpos se nuk është e njëjtë e pozitive, nuk ka për qëllim progresin e tij.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

“Mungesa e qasjes së barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova përballet me masa joproporcionale ende. Duke mos vënë masa ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë dhe sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve, ky shtet vetëm po inkurajohet që të përdorë dhunë. Një trajtim i pabarabartë do jetë goditje për procesin e dialogut dhe pengesë për suksesin e këtij procesi”, ka thënë ajo.

Osmani ka bërë thirrje që për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të gjithë, pa dallime partiake, të bashkohen për ta formuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e jo të jetë me kompetenca.

“Së fundmi Kosovës i është dorëzuar një statut i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do duhet ta bëjë këtë vlerësim duke qenë i udhëhequr nga parimi pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ne pa dallim partiak duhet të përgatisim komentet bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë në Kushtetuese kurdo që ky draft të prezantohet para këtij institucioni. Qëllimi ynë duhet të jetë që të sigurohemi përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe të mos lejojmë pushtet të ndërmjetëm apo anomali të tjera që rrezikojnë funksionimin e shtetit tonë”.

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se Kosova duhet të qëndrojë krah Shqipërisë gjithmonë pavarësisht dallimeve që mund të kenë.

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

Ajo ka thënë se Shqipëria është zë për Kosovën aty ku nuk ka përfaqësimi.

“Me qëllim të shtyrje përpara të prioriteteve tona, është e rëndësishme që shqiptarët në rajon ta unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Shqipëria është zëri ynë aty ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm si shtet simotër por edhe aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi”.

Një mesazh e pati edhe për vrasjen makabre të Liridona Ademit nga bashkëshorti i saj. Osmani u shpreh se seksizmi dhe qasja partiarkale nuk do duhet të jenë thjesht tema diskutimi por do duhet të gjejnë gjithnjë zgjidhje në strehën e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Vjosa Osmani foli gjatë në Kuvend ndërsa fjala e saj u bojkotua nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK.

YouTube player