Lajme

Vjedhja e ndihmave për fshatin/ Si i shuajti Rama zërat për korrupsionin në AZHBR

“Suksesi i programit IPARD ka në themel përpjekjen titanike të Kryeministrit Edi Rama” ishte dedikimi që Frida Krifca nuk harroi t’ia bëjë shefit të saj para një grupi zyrtarësh të Bashkimit Europian në Prill këtij viti. Delegacioni i huaj kishte ardhur në Tiranë me qëllim monitorimin e parave që kalojnë nga xhepat e taksapaguesve europianë në ndihma për fermerët shqiptarë.

Për vitet e ardhshme, Bashkimi Europian premtoi edhe 146 milion euro të tjera, por kërkonte siguri se paratë do të shkojnë në xhepat e bujqve dhe jo në ato të zyrtarëve shqiptarë, ashtu siç kishin pasur sinjale.

Takimi i I-rë të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARDIII 2021-2027

Jo më kot, Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca i dha një drekë në fshatin Pezë, në një bujtinë që ishte shembull i prekshëm i investimeve të programit IPARD. Të huajt u shprehën të kënaqur, ndërsa Krifca shpërndau lajmin se fituam besimin e BE-së”.

Foto pas takimit per monitorimin e programit IPARD

Në fund të drekës së bollshme me produkte vendi, të gjithë bashkë bënë edhe një foto familjare.

Por këtë të martë, kur portali Oligarkia.al shpërndau lajmin se fondet e programit IPARD janë ndërprerë u bë e qartë se korrupsioni i zyrtarëve shqiptarë nuk mund të fshihej më. “Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II” thuhet në një reagim të delegacionit të BE.

Vendimi ekstrem për t’i ndalur fondet e Bashkimit Europian shoqëruar me shpjegimin se kjo bëhet për shkak të korrupsionit të qeverisë shqiptare, është një skandal bombë që shpërthen mes një klime mjaftueshmërisht të ngarkuar nga aferat korruptive, siç ishte arratisja e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Mbetet për t’u parë nëse Edi Rama do të marrë masa për administratën e Ministrisë së Bujqësisë, apo ai nuk do ta lëshojë Frida Krifcën për ca miliona më shumë a më pak në gropën e korrupsionit të qeverisë së tij.

Lexo më shumë  “E pabesueshme, qesharake, absurde…”, reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Edi Rama dhe Erjon Brace ne kuvend

Si u shuajtën denoncimet e Erion Braçes në kuvend

Zërat për korrupsionin në Ministrinë e Bujqësisë nuk kanë munguar, madje janë dëgjuar fort në parlamentin e Shqipërisë, nga vetë brenda Partisë Socialiste. Për muaj me radhë, ish-zv.kryeministri Erjon Braçe kërkoi llogari nga Frida Krifca për atë që ndodhte me fondet e AZHBR duke ia bërë të qartë se çfarë deformimi i kishte ndodhur tregut si pasojë e korrupsionit të administrarës. Si përgjigje vetëm justifikime.

Braçe denoncoi skemën e shpërndarjes së fondeve që kishte krijuar një grup grumbulluesish të privilegjuar, duke dëmtuar padrejtësisht fermerët e vegjël.

“Kemi përgjegjësi ne sepse kemi lejuar që të krijohet një shoqatë me 10 prej tyre që përcaktojnë çmimet. Ka një udhëzim të ministrisë së bujqësisë që ju ka dhënë ekskluzivitet, ka kufizuar tregun dhe ata imponojnë çmimet” thoshte Braçe.

Paralajmërimet ranë në vesh të shurdhër. Frida Krifca u përgjigj me recitime boshe. Vetë Rama e kaloi me disa fjali me tone kërcënuese.

Koha e bujqësisë së lëmoshës, bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar, ashtu siç ka perënduar edhe koha e bujqësisë vetmitare e atyre që mbeten thjesht në kufijtë e ngastrës së tyre”, ishte përgjigjia e Ramës.

Si e shuajti Rama denoncimin e Top Channel me fondet e AZHBR-së

Keqpërdorimi i miliona eurove nga programi IPARD u bë objekt i një materiali televiziv me titullin “Gllabërimi i fondeve të bujqësisë” që transmetoi Top Channel në nëntor të vitit të kaluar. Skandalit i doli për zot vetë kryeministri Rama, i cili ishte i informuar deri në detaje për atë që ndodhte në Ministrinë e Bujqësisë dhe në AZHBR.

Ai e quajti “shantazh mediatik” materialin e transmetuar dhe publikoi një shkresë, ku zyra e marketingut në Top Channel kërkonte 120 milion lekë sponsorizim nga AZHBR.

Lexo më shumë  Arsimi në tkurrje të shpejtë në Shqipëri, bie numri i nxënësve dhe studentëve në 3.7% në vitin akademik 2023-2024

Por në intervistat për Top Channel, fermerë që punonin qindra hektarë tokë nuk kishin përfituar asgjë nga AZHBR, që menaxhon dhjetëra miliona euro fonde nga Bashkimi Europian. Historitë e tyre përmbanin fakte dhe dëshmi për keqpërdorimin e fondeve të taksapaguesve europianë.

Sipas gazetarëve të Inside Story paratë nuk shkojnë tek fermerët, por tek njerëz të lidhur me pushtetin. Ndër emrat që nxorri Top Channel si përfitues të këtyre fondeve ishte kunati i Saimir Tahirit, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshit, një kandidat socialist për deputet etj.

Por çfarë bëri Edi Rama?

Në vend të merrte përgjegjësitë e tij si kryeministër, të shtonte presionin tek vartësit e tij për verifikimin e fakteve dhe korrigjimin e padrejtësive, nisi një cic-mic spektakolar me Top Channel.

Rama nxorri një shkresë sipas të cilës Top Channel kishte kërkuar 120 milion lekë nga AZHBR për 50 emisione televizive dhe e quajti emisionin një “shantazh mediatik”. “Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiparëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale. AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj!” shkruajti kryeministri në Tëitter, pasi publikoi kërkesën e Top Channel.

Pak javë më pas, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, ai u shfaq në një intervistë për Top Channel dhe të dyja palët tashmë e kishin harruar historinë e fermerëve dhe problemet me AZHBR.

Por ky konflikt tregon se alegorinë për ministra që hanë mollë e dardha pas krahëve të tij, Edi Rama nuk mund ta përsërisë për Frida Krifcën. Ai nuk mund të thotë se nuk dinte asgjë, sepse ka qenë vetë që i mbylli gojën kujtdo që denonconte abuzimet e vartësve të tij të korruptuar./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player