Bota

Vizita e Sekretarëve Blinken dhe Austin në Kiev, shprehje e mbështetjes amerikane për Ukrainën

Ishte vizita e nivelit më të lartë nga zyrtarë amerikanë në Kiev, që kur filloi agresioni rus në Ukrainë. Sekretari i Shtetit Blinken tha në Poloni pas vizitës se synimi kishte qenë shprehja e mbështetjes. Ai tha se Rusia tashmë ka dështuar dhe Ukraina ia ka dalë.

“Sepse qëllimi kryesor i Presidentit Putin ishte sipas fjalëve të tij, që ta nënshtronte plotësisht Ukrainën nën Rusinë, t’i hiqte sovranitetin dhe pavarësinë. Kjo nuk ka ndodhur dhe është e qartë se nuk do të ndodhë,” tha zoti Blinken.

Sekretarët Blinken dhe Austin njoftuan një total prej 713 milionë dollarësh ndihma ushtarake shtesë për Ukrainën dhe vende të tjera aleate dhe partnere. Rreth 322 milionë dollarë janë caktuar për vetë Ukrainën.

Ndërsa 400 milionë dollarë financime të reja ushtarake të huaja janë caktuar për 15 vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Lindore, si edhe në Ballkan, tha një zyrtar i lartë.

Lexo më shumë  Partia socialiste franceze reagon në lidhje me vizitën e presidentit kinez në Francë: Xi Jinping përfaqëson shtypjen dhe autoritarizmin brenda Kinës

Sekretari Austin shprehu synimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me luftën.

“Ne duam që Ukraina të mbetet një vend sovran, një vend demokratik, i aftë për të mbrojtur territorin e saj sovran. Ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar në atë masë sa të mos jetë në gjendje më të bëjë atë që bëri me sulmin në Ukrainë. Ajo ka humbur tashmë shumë aftësi ushtarake dhe shumë, shumë trupa”, tha Sekretari Austin.

Zoti Zelenskyy shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën amerikane dhe detajoi se çfarë përparësish ka Ukraina.

“Përparësitë janë armët dhe mbështetja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë, udhëheqësit evropianë, për sa i përket aftësive dhe mbështetjes së ushtrisë sonë në fusha të caktuara. Çështja e dytë është politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse”, tha ai.

Sekretari Blinken tha se presidenti Joe Biden do të emërojë ambasadoren aktuale amerikane në Sllovaki, Bridget Brink për postin e ambasadores në Ukrainë dhe diplomatët amerikanë që u larguan nga Ukraina para luftës, do të fillojnë të kthehen në vend javën që vjen.

Lexo më shumë  Sfiduesi i Orbanit në Hungari mobilizon mijëra vetë në demonstrata

Ata do të shkojnë fillimisht në qytetin perëndimor Lviv dhe më pas në Kiev, një proces që zoti Blinken tha se mund të zgjasë disa javë.

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s po i kthejnë diplomatët e tyre në Kiev, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Republikën Çeke, Francën, Italinë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Qeveria britanike e njoftoi të premten se do të rihapë së shpejti ambasadën në Kiev.

Kthimi i diplomatëve të huaj shihet si shenjë e rikthimit të një niveli sigurie në Ukrainë pas gati dy muajsh bombardimesh nga Rusia.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *