Vijojnë protestat për tokën, banorët e Rrjollit mblidhen para Prokurorisë së Shkodrës
Protesta vijon për të shtatën ditë radhazi. Banorët kanë depozituar një kërkesë zyrtare drejtuar Prokurorisë, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit.
Vijon për të shtatën ditë radhazi protesta e banorëve të Velipojës, të cilët sot janë përqendruar përpara ambienteve të Prokurorisë së Shkodrës.
Banorët kanë depozituar një kërkesë zyrtare drejtuar Prokurorisë, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik i Bashkim Ulajt.
“Larg hajdutët! Tokat tona nuk i dorëzojmë! Duam drejtësi! Ku është ai njeri që s’vjen të përballet me ne?”, janë disa prej thirrjeve të banorëve.
Sipas tyre, dokumentacioni që ata zotërojnë provon pronësinë e ligjshme të tokës dhe kërkojnë nga organet e drejtësisë që çështja të trajtohet me prioritet, duke shmangur zvarritjen e mëtejshme të procesit.
Banorët i kanë bërë thirrje drejtësisë që të japë një përgjigje sa më parë dhe të mos lejojë që konflikti të mbetet pezull, duke thelluar pasigurinë dhe tensionet në zonë.
Gjithashtu sfiduan edhe pretendimet e firmës ndërtuese për kryerjen e një dëgjese publike, që sipas banorëve, nuk është zhvilluar.
“Firma që ka fituar këtë zhvillim të një resorti luksoz, pretendon se ka bërë një dëgjesë publike me fshatarët e Baks-Rrjollit. Këtë e sfidoj këtu sepse fshatarët e Baks-Rrjollit këta janë, nuk kemi të tjerë, nuk ka më shumë se kaq, vetëm presim të vijnë më shumë se kaq, presim ata që kanë ikur që të kthehen te prona e tyre dhe t’i pyesë prokuroria se cilët nga këta persona kanë bërë dëgjesë publike që ai pretendon në një reagim tijin që kanë pasur dëgjesë publike. Ne kërkojmë vetëm drejtësi! Drejtësia është cili i ka letrat false? Ne e dimë që i ka false!”, tha njëri nga banorët.
Në protestë kanë qenë të pranishëm edhe emigrantë nga Gjermania dhe Anglia, të cilët kanë ardhur posaçërisht për të mbështetur banorët e Rrjollit, duke kërkuar që çështja e pronësisë të marrë një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë në institucionet e drejtësisë.
Një prej tyre e ka prejardhjen nga Kosova dhe thotë se ka ardhur të protestojë për tokën e tij:
“Unë kam blerë tokë këtu dhe kam ardhur të protestoj, të mbroj tokën time”, thotë Fatmir Thaçi teksa shton se e ka blerë tokën para 5 vitesh dhe nuk i lejojnë të ndërtojnë, diçka për të cilën s’ka marrë “kurrfarë përgjigjeje”.
“Sot kemi ardhur prej Anglie, jemi gjallë e do të vijmë në shi e në borë! Nuk na ndalon asgjë! Axhat e mi po qajnë tokën e tyre! Babai im në tokë, në ambulancë! Gjyshit tim po ia hanë ditët prej mërzisë! Katër stërgjyshë kanë lindur atje dhe sot na thonë se toka s’është jona?!”, janë thirrjet e Elena Pjeshkës.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat deri në marrjen e një përgjigjeje konkrete nga Prokuroria dhe institucionet përkatëse.
Rruga Press

