KryesoreLajme

Vihet gur themeli i shkollës “Nuhi Gashi” në Bradash të Podujevës, Kurti: Lajm i mirë për arsimin

I është vënë sot gur themeli shkollës së re “Nuhi Gashi” në Bradash të Podujevës.  E të pranishëm në vendosjen e gur themelit të kësaj shkolle ishin kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ndërtimi i objektit të ri shkollor përbën një lajm të mirë për arsimin, për Bradashin, për Podujevën dhe për të gjithë prindërit, të cilët do t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollën “Nuhi Gashi”.  Ai falënderoi komunën për investimin dhe fshatin, i cili ka kontribuuar, është interesuar dhe angazhuar që të arrijnë te vendosja e gur themelit të shkollës së re.

“Ky është lajm i mirë për arsimin, për Bradashin, për Podujevën dhe për të gjithë prindërit të cilët do t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollën “Nuhi Gashi”, në shkollën e cila e mbanë emrin e një mësuesi të devotshëm e bashkëluftëtarit të Shaban Polluzhës. Unë falënderoj komunën dhe  fshatin, sepse i gjithë investimi është i Komunës së Podujevës, e fshati është ai i cili ka kontribuuar, është interesuar dhe është angazhuar që të vijmë te kjo ditë e vendosjes së gur themelit. Punimet do të kryhen për maksimum dy vjet, e me kryetarin do të përpiqemi që të jenë edhe më shpejt se aq”, ka thëbnë Kurti.

Lexo më shumë  Dhuna mes të miturve, alarmante! Vetëm në Tiranë 110 raste të denoncuara në 2025

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, u shpreh se në Komunën e Podujevës gjatë këtyre vjetëve ka pasur një investim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Ajo tha se vetëm nga Ministria e Arsimit janë investuar më shumë se 8.5 milionë euro, janë ndërtuar pesë shkolla e tri çerdhe, teksa theksoi rëndësinë që krahas infrastrukturës moderne që po mundësohet nga ana e qeverisë e ministrisë edhe mësimdhënësit të japin më të mirën e tyre që të kemi rezultate sa më të mira të nxënësve.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se ky është objekti i nëntë shkollorë në këto pesë vjet të qeverisjes dhe se po punohet bashkë edhe me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit që çdo ditë e më shumë të krijohen kushte sa më të mira për nxënësit tanë.

Ndryshe, objekti i ri i shkollës, që mban emrin e mësuesit të devotshëm Nuhi Gashi, i cili qe bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, do ketë një hapësirë prej 1,330 m² brenda së cilës nëntë klasa mësimi dhe një sallë të arsimtarëve, dhoma të veçanta për kabinetet e shkencave natyrore dhe shoqërore, hapësira të nevojshme për administratë dhe tualete sipas standardeve bashkëkohore,  përfshirë edhe ato për fëmijët me nevoja të veçanta. Ky është një investim i Komunës së Podujevës në vlerë prej 624,249.74 euro. Punimet pritet të kryhen brenda dy vjetëve. 

Rruga Press

YouTube player