Lajme

(Video) Hovenier flet për Ballkanin e Hapur dhe Asociacionin: Jo një tjetër ‘Republikë Serbe’ në Kosovë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka folur lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Ai në televizionin ATV potencoi se janë një varg nismash rajonale që mund të ndihmojnë në rritjen e prosperitetit në rajon dhe mirëpresin çdo gjë që zvogëlon pengesat në tregti dhe lëvizje të lirë.

“Janë një varg nismash rajonale që mund të ndihmojnë në rritjen e prosperitetit në rajon. Ne e mirëpresim çdo gjë që zvogëlon pengesat për tregti, që çon përpara lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, kapitalit. Kjo do të ishte Procesi i Berlinit dhe disa prej këtyre nismave tjera, dhe sipas këndvështrimit tonë, kjo përfshin edhe nismën ‘Ballkani i Hapur’”- ka thënë ambasadori.

Ai shtoi se i kanë pasur dy kushte për ta mbështetur këtë nismë: Nëse Kosova merr pjesë, të jetë partnere e barabartë dhe që nisma të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE.

“Shtetet e Bashkuara publikisht kanë shprehur mbështetjen e tyre për të. I kemi pasur dy kushte për mbështetjen tonë, të paktën dy, por dy të rëndësishmet për Kosovën janë (1) nëse Kosova merr pjesë në të, do të duhet të marrë pjesë si partnere e barabartë, një ndër gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pa yll, pa fusnotë, pa status të posaçëm. Do të duhej të jetë një ndër gjashtë vendet si të gjitha të tjerat”- shtoi ai.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

“Dhe kushti i dytë ka qenë që vetë nisma të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE dhe që rrugëtimi i saj të jetë drejt anëtarësimit në BE. Ne e mbështesim ‘Ballkanin e Hapur’ me kusht që këto kushte të përmbushen”- shtoi ambasadori.

Sipas tij, ky është vendim sovran dhe Qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim se në cilat aranzhime dëshiron të përfshihet.

Deri tani, Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e interesuar që t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë edhe se asociacioni duhet të themelohet, por theksoi se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Eskobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi”, tha ai në një intervistë në ATV.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Hovenier tha se askush nuk dëshiron krijimin e një Republike serbe.

“Ka shumë mënyra për krijimin e këtij entiteti, për të parë realizimin e këtij zotimi, që janë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e duam dhe këtë e kemi inkurajuar. As në Shtetet e Bashkuara, e as te partnerët tanë të Evropës Perëndimore nuk ka fare interesim që të shohim diçka si një Republikë tjetër Serbe apo diçka që do të çrregullonte rendin kushtetues apo të ndikonte në funksionimin e mirë të qeverisë së Kosovës. E mirëpresim momentin kur qeveria e Kosovës do të ofrojë idetë e saj rreth mënyrës më të mirë për të përmbushur këtë zotim që qeveria e Kosovës e ka bërë përmes marrëveshjes së Brukselit, por në mënyrë që respekton Kushtetutën e saj dhe që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *