Kuriozitete

Vëzhgimi i shkencëtarëve nëse planeti Tokë po zvogëlohet

Toka jep dhe merr vazhdimisht materiale me sistemin diellor që ndodhet rreth saj. Për shembull, pluhuri që kalon me shpejtësi nëpër hapësirë, e ​​bombardon rregullisht planetin tonë, ndërsa gazrat nga atmosfera e Tokës largohen rregullisht drejt hapësirës.

Po nëse Toka vazhdimisht po jep lëndë, si dhe merr materiale të reja, a është duke u  zmadhuar apo zvogëluar? Për shkak të largimit të gazeve nga Toka hapësirë, planeti ynë – ose për të qenë më specifik, atmosfera e tij – është duke u zvogëluar thotë Gijom Gronof, ekspert i kësaj fushe në Qendrën Kërkimore të NASA-s në Virxhinia.

Megjithatë, Toka nuk po pëson një tkurrje në nivele të larta thekson ai. Planetët formohen nga grumbullimi, ose kur pluhuri hapësinor përplaset në të dhe shndërrohet në një masë gjithnjë e më të madhe.

Gronof thotë se meqë Toka u formua rreth 4.5 miliardë vjet më parë, një sasi e vogël grumbullimi vazhdoi të ndodhte në formën e meteorëve dhe meteoritëve, duke e shtuar masën e planetit tonë. Por sapo formohet një planet, nis një proces tjetër:arratia graduale e atmosferës.

Ky proces funksionon në mënyrë të ngjashme me avullimin, por në një shkallë të ndryshme, shprehet Gronof. Në atmosferë, atomet e oksigjenit, hidrogjenit dhe heliumit, thithin energji të mjaftueshme nga Dielli sa për t’u larguar nga atmosfera e Tokës.

Por si ndikojnë këto procese në masën e përgjithshme të Tokës? Shkencëtarët mund të bëjnë vetëm vlerësime të përafërta. “Sigurisht, ne jemi ende në kërkim të një përgjigje të saktë, pasi është e vështirë të matet masa e Tokës në kohë reale. Ne nuk e kemi peshën e Tokës në saktësinë e nevojshme, për të vlerësuar nëse Toka po humbet apo po fiton masë”-deklaroi Gronof për Live Science.

Por duke vëzhguar shkallën e meteorëve, shkencëtarët vlerësojnë se rreth 16.500 ton – sa një Kullë Eifel e gjysmë – grumbullohen në planetin tonë çdo vit, duke i shtuar masës së tij, thotë Gronof. Ndërkohë, duke përdorur të dhënat satelitore, shkencëtarët kanë vlerësuar shkallën e arratisë së gazeve në atmosferë.

“Kjo sasi është afro 82.700 ton ose sa 7.5 Kulla Eiffel”- tha Gronof. Kjo do të thotë se Toka po humbet rreth 66.100 tonë në vit. Ndërsa kjo sasi duket si shumë e madhe, në kontekstin e të gjithë planetit ajo “është shumë, shumë e vogël” thotë ai.

Duke përdorur vlerësimet për arratinë e gazeve atmosferike të bëra gjatë 100 viteve të fundit, Gronof llogariti se me një normë prej 60.000 ton atmosferë të humbur në vit, do të duheshin 5 miliardë vjet që Toka të humbiste tërësisht atmosferën e saj, nëse planeti nuk do të kishte asnjë mënyrë për ta rimbushur atë.

Megjithatë, oqeani dhe procese të tjera, siç janë për shembull shpërthimet vullkanike, ndihmojnë në rimbushjen e atmosferës së Tokës. Pra, do të duhet më shumë se 3000 herë më shumë se kaq –dhe afërsisht 15.4 trilion vjet – para se Toka ta humbasë plotësisht atmosferën e saj.

Dhe kjo thekson Gronof është rreth 100 herë sa jeta e Universit. Por shumë kohë përpara se të ndodhë kjo, Toka ka të ngjarë të jetë gjithsesi e pabanueshme për shkak të evolucionit të Diellit, që pritet të kthehet në një gjigant të kuq brenda rreth 5 miliardë viteve. “Pra, arratia e atmosferës nuk është një problem as në planin afatgjatë”- thotë Gronof. Pra ​ne mund të jemi të sigurt se madhësia në rënie e Tokës, nuk po e rrezikon jetën në planetin tonë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *