EditorialKryesore

Vendimmarrjet politike janë kthyer në probleme teknokratike

Nga Roland Amzai

Vendimmarrjet politike janë kthyer në probleme teknokratike. Me ç’rast nuk ka më vendimmarrje, por thjesht një makineri burokratike dhe në nivel ekspertize.

Nuk ka vullnet (të lirë a gjysmë të lirë) , por nënshtrim ndaj algoritmave të tregjeve kapitale. “Dora që nuk duket” e ka kthyer “zoo politico” në homoeconomicus.

Lakmia udhëheq, vullneti ndjek. Është si ta lëshosh Titanikun pa timon me të gjithë motorrët ndezur.

Le të ndalemi në Sh.B.A dhe Europë

Amerika po refuzon ta mbajë mend Niksonin, Karterin, luftën në Vietnam, inflacionin dhe “Volkerin”.

Ky i fundit do të mbahet mend, si njeriu që riktheu besimin tek dollari dhe shkatërroi inflacionin, por bashkë me të edhe rritjen ekonomike.

Inflacioni dhe lufta janë në “osmozë” me njëri-tjetrin, e furnizojnë njëri-tjetrin me lëndë, deri sa në një pikë shpërthejnë (kujto 13% inflacion dhe mijëra ushtarë të vrarë në pikun e luftës në Vietnam).

Jemi në fillimin e fundit. Atëherë pra kur ekonomia nis e bëhet ekonomi lufte.

Por, çfarë ndodh me vendimmarrjen?

Rezervat Federale qe një vit po përsërisin togfjalëshin “data dependent” – pra vendimet e tyre varen kryekëput nga të dhënat thuajse ditore ekonometrike të tregjeve.

Pra si me thënë, kurojmë simptomat dhe jo sëmundjen.

Nëse tregjet frikësohen, nëse bankat frikësohen, Banka Federale “zbutet” e kështu inflacioni futet në cikle të reja si në vitet ’70.

Sot ata paralajmërojnë ndalimin e rritjes së interesave me shpresën se lakmia e investitorëve nuk do të rritet, pra bashkë me këtë do të zbutet dhe inflacioni.

Lexo më shumë  Rusisë i mungojnë forcat për të pushtuar Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës – njofton ISW

Por ata janë të vetëdijshëm se kjo është sikurse ta lësh fëmijën në një dhomë me çokollata me shpresën se ky i fundit nuk do të provojë asnjë prej tyre.

Naivitet psikotik.

Përtej debatit teknik. Kemi të bëjmë me zbythje, dorëzim, kemi të bëjmë me zhveshjen totale të institucionit nga vendimmarrja drejt byrokracisë, automatizmit të përvojës dhe vullnetit të padukshëm të tregjeve.

Edhe pse situata është kryekëput e ngjajshme si në vitet ’70 me Vietnamin dhe inflacionin në Amerikë, askush në SHBA nuk ka guxim të marrë vendimet e duhura drastike.

Me ç’rast recesioni do të jetë edhe më i dhimbshëm, ndonëse i prolonguar, kurse lufta edhe më e madhe.

Në BE situata është edhe më e komplikuar.

Është e ngjajshme me SHBA-në në tkurrjen e ECB-së në një agjenci të bankave komerciale të mëdha, tregut të pasurive të patundshme, etj. Kështu inflacioni po bëhet si një e “keqe e domosdoshme” (aq sa do të mbajnë kursimet e konsumatorit).

Megjithatë këtu komplikohet puna edhe nga hallet e ndryshme që kanë aktorët e ndryshëm.

Gjermania ka hall demografinë dhe popullsinë e plakur- pra ka nevojë për imigrim si zbutje të rrogave nga brenda.

Italia ka hall- nevojën për kamata të ulta dhe borxh konsistent e të vazhdueshëm.

Spanja ka hall- papunësinë e lartë.

Franca qëndron pak më mirë, kështu që nuk do ta kishte problem një monedhë që kushton pak më shumë.

Lexo më shumë  Bislimi: Ne duhet të jemi gati për luftë

Ngjajshëm po ashtu u arrit kompromisi demokrat-republikan për rritjen e borxhit amerikan.

Demokratët heqin dorë nga mbështetja për borxhet e studentëve, republikanët lejojnë shpenzimet e tjera trilionëshe të administratës Biden.

Teknokracia po e shkatërron politikën në thelb e demokracinë në veçanti

Tregjet po e shkatërrojnë vendimmarrjen.

Rendi që duhet të ruhet me çdo kusht, po nxjerr në pah lajme kaq kontraverse.

– BE lejon Hungarinë të tregtojë me Rusinë

– BE i jep atribut Erdoganit të bëjë ndërmjetësin për drithërat

-Nato e lut Turqinë ta tolerojë Suedinë për Gylenizmin

-ShBA fajëson Kosovën për dhunën e serbve.

Janë kaq irracionale sjelljet e reja në gjeopolitikë, sa kanë vetëm një shpjegim-

Frikën.

Nga frika – po humbet vendimmarrja- racionaliteti dhe vullneti politik.

Nga frika , nga perspektiva e frikës, në vend se të merren vendime të forta morale e politike, qeveritë më prodemokratike në botë po e zgjasin këtë gjendje.

Nga perspektiva e frikës, nga frika për inflacionin e luftën totale, po na shpien drejt saj.

Nga lakmia dhe frika për humbjen e asaj që kemi, paradoksalisht mund të humbasim gjithçka.

Kjo është një histori që po përsëritet.

Në vend se të godasin Rusinë aty ku ajo lëndohet, furnizojnë me ritme të ngadalta Ukrainën.

Në vend se të rikthejnë besimin tek valutat, ata po i nënshtrohen lakmisë së korporatave.

Kështu nga frika e recesionit dhe luftës, po i bëjnë dyja një prolog edhe më të paparashikueshëm, se epilogu nuk ka se si as të mendohet kurrsesi.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *