Bota

Vendet e BE-së pajtohen për t’i ashpërsuar rregullat për azil

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian janë pajtuar që t’i ashpërsojnë procedurat e azilit, në kuadër të reformës evropiane për sistemin e azilit.

Qëllimi i marrëveshjes është që të zvogëlohet shkalla e migrimit në BE.

“Kemi bërë rrugë të gjatë për të arritur këtu. Por, ia kemi dalë. Evropa është më në fund e përkushtuar ndaj migrimit”, ka thënë zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, në një postim në X – platformë e njohur deri më tani si Twitter.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka thënë se kjo ditë e mërkurë “do të hyjë në histori”.

Lexo më shumë  Reuten: Presidenti serb Vuçiq destabilizon rajonin

“Dita kur BE-ja ka arritur marrëveshje për rregulla të reja për menaxhim të migrimit dhe azilit”.

Reforma është diskutuar qysh prej vitit 2015, kur një numër rekord migrantësh kanë arritur në BE.

Ndonëse shtetet me qeveri të krahut të djathtë, sikurse Hungaria, kanë qenë në të mirë të ashpërsimit të rregullave aktuale, organizatat për ndihmë dhe partitë politike të së majtës në Evropë, kanë shprehur shqetësim për degradim të të drejtave të njeriut.

Reforma “do të garantojë që ekziston përgjigje efektive evropiane për këtë sfidë evropiane”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Lexo më shumë  Rusia shënoi numrin më të lartë të viktimave ditore që nga fillimi i luftës në Ukrainë 

“Kjo do të thotë se evropianët do të vendosin se kush vjen në BE, dhe kush mund të qëndrojë këtu, jo kontrabanduesit”, ka thënë ajo.

Reforma parasheh rregulla më të ashpra për njerëzit që arrijnë në territorin e BE-së nga vendet që konsiderohen relativisht të sigurta.

Deri sa të merret një vendim ligjor për ta, azilkërkuesit do të strehohen nëpër disa qendra, nën rregulla strikte.

Rruga Press

YouTube player