“Vend me rrezikshmëri të lartë për shkatërrimin e monumenteve”/ Zhupa-Margaritit: Në shtet tjetër ishe shkarkuar
Seanca e sotme e Kuvendit ka nisur sërish me debate. Përveç përplasjeve për nënën e re, e cila u fut në burg fill pas lindjes, diskutimet janë fokusuar te interpelanca e deputetes së PD-së, Ina Zhupa për ministren e Kulturës Elva Margariti. Në kërkesën e saj, Zhupa tha se prej mungesës së vëmendjes kanë degraduar monumentet e trashëgimisë kulturore. Sipas deputetes, industria e ndërtimit po dëmton pasurinë kulturore të shqiptarëve.
Zhupa mori rastin e Teatrit Kombëtar dhe projektit të Velierës si dëshmi e trajtimit të paligjshëm të trashëgimisë kulturore. Zhupa ka akuzuar ministren Elva Margariti pasi sipas saj nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka shkatërruar monumentet duke ndërtuar pallate.
“Koncepti i ministres është që duhet t’i mbulojmë dhe të ndërtojmë pallate. Se kemi nevojë për të tjera konforte në një vend tjetër do të ishte shkarkuar në sekondë, kjo jo vetëm vazhdon të jetë ministre Kulture por planet e saj i ka vetëm të lidhura me koncesionet, i vetmi program që ka për zhvillimin e trashëgimisë kulturore, plani i vetëm është koncesioni. Reforma që do të bëjë zonja Margariti është që trashëgiminë kulturore t’ia japësh privatit. Nëse duam të fillojmë me Tiranën mjafton të shikoni atë sheshin bosh te shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, ministrja foli dhe lavdëroi Piramidën por jo Teatrin Kombëtar atje ku kishin dhënë të gjithë kontributin e vet, por kur vjen puna për të ruajtur gjërat e diktaturës ato janë të rëndësishme.
BE ka një raport për gjendjen e trashëgimisë kulturore. E ka cilësuar Shqipërinë si vend me rrezikshmëri të lartë për shkatërrimin e monumenteve kulturore duke u vënë me pikë të kuqe. Kjo është Shqipëria e shkatërrimit të identiteti dhe trashëgimisë kulturore, nëse ikin shqiptarët dhe vijnë algjerianet të mos kemi problem se ju ia keni shkatërruar vendin, kjo është vetëm maja e ajsbergut e asaj që ju keni bërë”, tha Zhupa.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti i është përgjigjur deputetes Zhupa, duke i thënë se kanë kthyer zonat më të turpshme që ishin fshehur pas harresës në zona turistike.
“Koncesionet i keni në imagjinatën tuaj. Harrojmë se pikërisht edhe hapësirat që kanë qenë zonat më të turpshme të qyteteve tona. Ngarkuar me baltë e baraka duke fshehur pas harresës edhe vetë trashëgiminë kulturore. Nuk bëhet fjalë për zona perfikerike, por zona në zemër të qyteteve,” – u shpreh Margariti.
Deputetja demokrate ka replikuar duke i kujtuar koncesionet që janë çuar në Gjykatën Kushtetuese, teksa përmendi specifikisht rastin e Butrintit. Sipas Zhupës, dhënia me koncesion e Butrintit i ka zhytur totalisht. Ajo shton se s’duhen përmendur amerikanët se arrijnë t’i korruptojnë edhe ata.
“Ju thatë që koncesionet janë në imagjinatën tuaj. Në fakt janë në gjykatën Kushtetuese se keni dhënë Butrintin me koncesion. Ka dhe institucione të tjera si Presidenti i Republikës, KLP, 36 deputetë, avokatin e popullit mendojnë si unë që është koncesion. Sigurisht të vetmit që e mendojnë ndryshe jeni ju. Këshilli i Ministrave dhe vetë fondacioni. Keni të drejtë që e përmendni Butrintin. Si ka mundësi që vjen drejtoresha e UNESCO-s dhe për ju është OKB. Vjen në Shqipëri, takon Ramën dhe Margaritën e s’ka asnjë fotografi. Butrinti është ai që ju ka zhytur. Amerikanët tuaj i kemi parë se korruptuat agjentin e FBI, mos i përmendni se i bëni ndot. Lërini shqiptarët. Ju i korruptoni të gjithë, amerikanë, europianë se keni interesa të forta financiare dhe ky është realiteti. 122 monumente kulture janë të shkatërruara”, tha Zhupa.
Rruga Press