Lajme

Veliaj miliona për incineratorin, kryebashkiaku dhe zyrtarët e qeverisë i kanë shpëtuar hetimit të SPAK

Incineratori i Tiranës ka mbetur deri tani jashtë vëmendjes së hetimeve të SPAK edhe është denoncuar nga media dhe opozita pasi i ka kushtuar shtetit në tri vitet e fundit plot 37 milionë euro. Transfertat janë firmosur nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe zyrtarë të qeverisë, të cilët duket se janë të paprekshëm nga organet e drejtësisë. Opozita ka denoncuar se ndërkohë që pagesat kryheshin incineratori nuk ka punuar pasi mbetjet groposeshin pa u djegur.    

Incineratori i Tiranës i ka kushtuar deri tani buxhetit të shtetit rreth 4.5 miliard lekë ose rreth 37 milionë euro, të paguara nga bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj dhe qeveria shqiptare.

Pavarësisht kësaj kostoje tepër të lartë, dhe denoncimeve të panumërta nga media dhe opozita, incineratori i kryeqytetit ka mbetur jashtë vëmendjes së hetimit të SPAK mesa duket për shkak të suportit politik që gëzon Erion Veliaj. 

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, gjatë vitit 2018 rezulton se kundrejt kompanisë koncensionare Integrated Energy BV SPV janë kryer 23 transaksione, të cilat kapin vlerën e 977 milionë lekëve.

Lexo më shumë  SHBA-ja thotë se Rusia ka përdorur “agjentë kimikë” kundër trupave ukrainase

Ndërsa për periudhën 2019-2021 pagesat për incineratorin e Tiranës kanë arritur vlerën e 3.5 miliard lekëve.

Referuar po këtyre të dhënave rezulton se pagesa me vlerën më të madhe që është kryer ndaj subjektit të shpallur fitues për ndërtimin e incineratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese në Tiranë është ekzekutuar më 30 gusht të vitit 2018 dhe arrin rreth 98.3 milionë lekë.

Në po të njëjtën ditë janë kryer dhe 5 transferta të tjera me vlerë totale 176 milionë lekë.

Po në gusht është kryer një tjetër transaksion me vlerë mbi 94 milionë lekë ndaj kompanisë Integrated Energy BV SPV me vlerë 94 milionë lekë.

Ndërkohë në periudhën 2019-2021 kundrejt kësaj kompanie janë kryer në total 93 transaksione.

Vlera më e lartë që është paguar për vitin 2019 është më datën 14 nëntor me një shumë prej 89 milionë lekësh.

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Për vitin 2020 rezulton se në datën 29 dhjetor janë kryer 5 pagesa me vlerë totale 197.7 milionë lekë.

Ndërsa për vitin 2021 kompanisë i janë paguar gjithsej 1.2 miliardë lekë.

Në dokumentin e Bashkisë Tiranë të firmosur nga kryetari Erion Veliaj, përcaktohet se kompanisë koncensinare do t’i paguhen për 4 vite nga kjo bashki dhe qeveria 24 milionë euro ose rreth 3 miliard lekë.

Por nga këto të dhëna shihet se subjektit Integrated Energy BV SPV i janë dhënë rreth 1.5 miliard lekë më shumë sesa është planifikuar në planin financiar të koncesionit 30-vjeçar të menaxhimit të plehrave.

Sipas padisë së LSI, financimi i këtij koncesioni kalon tavanet buxhetore të qeverisë dhe bashkive duke nënvizuar se për 30 vite nga buxheti i shtetit do të paguhen 130 milionë euro dhe 91 milionë euro të tjera nga buxheti i pushtetit lokal./ora/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *