Vdekja e 3-vjeçarit në Fier,familjarët protestë para Prokurorisë:Të zbardhet ngjarja
Familjarët e 3-vjeçarit, i cili humbi jetën tragjikisht në një kopësht privat në qytetin e Fierit, kanë dalë sot në protestë përpara Prokurorisë, të cilës i kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike. Ata kanë kërkuar edhe që të takohen me strukturat përkatëse të drejtësisë që po merren me hetimin e vdekjes të së miturit. Gjatë prononcimeve të tyre në media, ata janë shprehur se ende nuk kanë dijeni se si ka ndodhur ngjarja, e se brenda në kopësht nuk ka kamera sigurie edhe pse në fillim u ishte pretenduar e kundërta.
Po ashtu, nëna e të miturit, duke mos reshtur së qari para mediave tregoi se në fillim i kishte bërë me dije se i mituri ishte gjallë, e se ndodhej në sallën e operimit, por më pas mjekët i kishin bërë me dije se 3-vjeçari kishte ardhur pa shenja jete në spital. Ndërkohë që daja i të miturit, thekson gjithashtu se vendi ku pretendohet se i mituri ishte varur, është 65 cm i lartë, por sërish më i ulët se gjatësia e të miturit. Detaj ky që sipas tij e bën të pamundur mbytjen e tij nga xhupi, ashtu siç edhe është pretenduar fillimisht nga edukatorja kujdestare. Për ngjarjen ka folur edhe gjyshi i 3-vjeçarit, i cili u shpreh se nuk e besojnë variantin e dhënë nga pronarët e kopshtit dhe as nga grupi hetimor deri më tani, ndërsa ka kërkuar hetime të mëtejshme dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë në një prej kopshteve private të qytetit të Fierit, ndërsa nga ekspertiza rezultoi që 3-vjeçari kishte mbërritur i vdekur në spital dhe kishte një shenjë në grykë e cila ishte shkaktuar nga kapuçi i xhupit të tij. Një ditë pas ngjarjes, Policia arrestoi edukatoren e kopshtit, Redina Binjaku 27 vjeçare, me akuzën se ishte treguar e pakujdesshme ndërkohë që fëmija i mitur ishte nën përgjegjësinë e saj.
Rruga Press