Lajme

Vazhdon protesta e studentëve në Tiranë, presin daljen e deputetëve nga Kuvendi

Studentët e mjekësisë janë stacionuar në ambientet e jashtme të parlamentit ku po protestojnë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë që i detyron të punojnë pesë vite në spitalet brenda vendit për të marrë diplomën.

Studentët deklarojnë se nuk do t’i ndalin protestat deri sa të ketë një tërheqje nga ana e qeverisë në lidhje me projektligjin e kaluar në parlament.

Ata deklarojnë se gjatë seancës së sotme do të presin te porta e Kuvendit që të marrin në pyetje të gjithë deputetët që votuan pro projektligjit të Këshillit të Ministrave.

“Do të rrim këtu dhe do t’i marrim të gjithë në pyetje, pse e votuat projektligjin. Do të rrimë këtu dhe pse jemi në sezon provimesh. Do të marrim librat dhe do të studiojmë këtu. Do lëmë një afat të caktuar dhe do presim sa të na japin një përgjigje. Nëse nuk kemi përgjigje ne do të konsultohemi me njëri tjetrin dhe do të përshkallëzojmë hapat tanë”, deklaroi një student për Euronews Albania.

Lexo më shumë  Kurti: Ushtarët e KFOR-it nga Bullgaria, mbështetës të rëndësishëm të Kosovës

Ndërkohë që një student tjetër u shpreh: “Do bëjmë bojkot, ne nuk hyjmë në tetor në bankat e shkollës pa u tërhequr vendimi. Ne do të qëndrojmë këtu deri sa të tërhiqet vendimi. Do të qëndrojmë këtu edhe natën nëse do të jetë e nevojshme”.

Kujtojmë se Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin për atë që qeveria e cilësoi si trajtimi prioritar i studentëve të Mjekësisë dhe punësimin e tyre në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve.

Lexo më shumë  Kamberi: Serbia po pengon realizimin e ndihmës së Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës

Sipas këtij projektligji, studentët që do të pranohen në vit të parë në mjekësi, do të nënshkruajnë një marrëveshje per t’u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfunidmit të studimeve, duke ju garantuar punësimin dhe politika të tjera lehtësuese. Ndërsa, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundesi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërt, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura.

Rruga Press

YouTube player