Lajme

Varret masive në Mostar: Mizori të pandëshkuara të luftës në Bosnjë

Në verën e vitit 1992, trupat e 114 civilëve boshnjakë dhe kroatë u gjetën në dy varre masive në një deponi mbeturinash dhe një varrezë në qytetin e Mostarit, por dekada më vonë, askush nuk ka ndjekur penalisht për vrasjet e tyre.

Adnin Hasiç ishte 11 vjeç në maj 1992 kur i pa për herë të fundit prindërit e tij. Pas kësaj, kaluan rreth katër muaj para se ai të dëgjonte se çfarë kishte ndodhur me ta – se ata ishin vrarë dhe varrosur në një varr masiv në deponinë e qytetit të Mostarit.

“E mirëm vesh atë që u kishte ndodhur atyre ditën e varrimit, më 30 gusht 1992”, kujton Hasiç. “Kur u zgjuam, xhaxhai im hyri në shtëpi së bashku me kushërinjtë tanë dhe na informoi se prindërit tanë ishin gjetur dhe se ata ishin vrarë në deponinë komunale Uborak në Mostar.”

Hasiç kujtoi se si vdekja e prindërve të tij ndikoi thellë tek ai. “Pas ditës së varrimit, rrallë luaja me fëmijë të tjerë”, tha ai.

Omer dhe Tidza Hasiç ishin në mesin e shumë civilëve trupat e të cilëve u gjetën në dy varre masive në deponinë e qytetit Uborak dhe varrezat e Sutina në Mostar në qershor dhe gusht 1992.

Shumë boshnjakë dhe kroatë që jetonin jashtë Mostarit u morën nga shtëpitë e tyre nga luftëtarët serbë në fillim të verës së vitit 1992. Ata u mbajtën të burgosur në dhomat e zhveshjes në stadiumin e futbollit FK Lokomotiva Mostar në Vrapcici dhe u çuan për t’u marrë në pyetje në ndërtesat në varrezat e Sutinës, ku edhe u mbajtën në paraburgim.

Trupat e 114 boshnjakëve dhe kroatëve u gjetën në dy varret masive, por gati tre dekada më vonë, askush nuk është nxjerrë ende para drejtësisë për vrasjet e tyre.

“Ata vazhdonin të qëllonin”


Redzep Karisik, i cili i mbjetori vrasjes masive në deponinë Uborak në Mostar. Foto: BIRN.

Fqinji i Hasiçit, Redzep Karisik, i mbijetoi të shtënave në deponinë e Uborakut në qershor 1992.

Karisik tha se më 9 qershor 1992 ai u dërgua në një dhomë zhveshjeje në FK Lokomotiva Mostar, ku 32 boshnjakë të tjerë po mbaheshin tashmë. Ai gjithashtu dëgjoi se një ditë më parë, 40 civilë kroatë ishin marrë nga stadiumi dhe ishin çuar në qytetin Bileca në mënyrë që të dorëzoheshin si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve.

Lexo më shumë  Rohde: Gjermania do të katërfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë

Ai tha se u mbajt në dhomën e zhveshjes deri natën e 13-14 qershorit, kur një mini furgon e transportoi atë dhe rreth 20-30 të burgosur të tjerë në Uborak.

Kur mini furgoni ndaloi dhe dera e pasme u hap, personat që i kishin marrë hapën zjarr, kujton Karisik. “Ata vazhduan të qëllonin, duke pyetur: ‘A ka ndonjë tjetër?’ ‘Ka,’ i thashë. ‘Dil jashtë’ ‘Nuk mundem. Nuk mundem, jam rrëzuar’”.

Ai ishte paralizuar nga frika. “I pashë të vrisnin njerëz dhe rashë në gjunj. U ngrita dy ose tri herë. ‘Më vrisni menjëherë, por nuk dal dot jashtë’”, kujton ai.

Ai tha se më pas u dërgua në ndërtesën e varrezave të Sutinës, ku u prangos te një radiator. Por gjatë natës, ai arriti t’i hiqte prangat, doli nga dritarja dhe iku drejt fshatit Dobric.

Ibro Japalak nga Bijelo Polje nuk ishte aq me fat sa Karisik. E veja e tij Fata kujton se si një ditë, ushtarët erdhën në shtëpinë e tyre, duke kontrolluar për armë. Ata kontrolluan çdo dhomë dhe gjetën vetëm rripin e burrit të saj Ibros.

“Ia vunë rripin në qafë. Dy prej tyre qëndronin atje dhe i treti mbante rripin”, kujton Fata Japalak.

“Ata e shtrënguan rripin sa deshën. Ai u bë blu. Pak më vonë, e detyruan atë të dilte nga shtëpia. Ai u kthye për të veshur këpucët. Ai mori këpucën e tij, por njëri prej tyre e goditi me shkelm, madje nuk e la as të vishte këpucët”, tha ajo.

Kjo ishte hera e fundit që ajo pa burrin e saj. Ajo zbuloi më vonë se ai ishte dërguar në deponinë e Uborakut. Pasi trupi i tij u gjet, ajo tha se nuk kishte fuqi të shkonte dhe ta identifikonte.

“Ata u varrosën me ekskavatorë”


Adnin Hasiç, prindërit e të cilit u vranë kur ai ishte 11 vjeç. Foto: BIRN.

Inspektorët e policisë Huso Mehremiç dhe Drazen Pazin u përfshinë në zhvarrosjen e varrit masiv në varrezat e Sutinës në mes të qershorit 1992.

Pazin tha se ata morën informacione për varrin nga një i ri, i moshës 14 ose 15 vjeç, i cili i kishte mbijetuar të shtënave dhe më pas ishte fshehur për disa ditë me radhë në një shkurre buzë lumit Neretva.

Lexo më shumë  Serbi i arrestuar dje në Jarinjë dyshohet se sulmoi ushtarët e KFOR-it në maj të 2023-ës

“Kur ato njësitë serbe filluan të tërhiqeshin, ai doli dhe kështu e mori vesh për krimin. Ne shkuam menjëherë në vendin e krimit”, kujton ai.

“Një zonë më e gjerë u gërmua në përpjekje për të gjetur më shumë viktima, por padyshim që ata i kishin varrosur me ekskavator. Bdoshta i sollën me kamionë dhe i hodhën në një vend trupat e pajetë”, shtoi ai.

Trupat e 88 viktimave të tjera u zhvarrosën në Uborak në fund të gushtit 1992, megjithëse Pazin tha se ata kishin pasur vështirësi gjatë gërmimit sepse qëlloheshin vazhdimisht nga pozicionet e mbajtura nga Ushtria Popullore Jugosllave.

Pazin paraqiti një kallëzim penal në atë kohë dhe Prokuroria Kantonale Hercegovinë-Neretva i tha BIRN se çështja më vonë u mor përsipër nga prokuroria shtetërore. Prokuroria shtetërore nuk pranoi të thotë se në çfarë faze është hetimi dhe nëse do të ngrihet ndonjë aktakuzë.

Megjithatë, të mbijetuarit dhe familjet e viktimave këmbëngulin se autorët dhe organizatorët e krimit janë të njohur për ta. Gjykata e Hagës vendosi në vendimin e saj në gjyqin e kreut të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel se në prill dhe qershor 1992, anëtarët e Mbrojtjes Territoriale të udhëhequr nga serbët, njësitë paraushtarake dhe luftëtarët e njohur si Seseljevci (“Burrat e Sheshelit”) torturuan dhe keqtrajtuan të burgosurit në deponinë në Uborak, varrezat e Sutinës dhe stadiumin FK Lokomotiva Mostar.

Hasiç tha se shumë dëshmitarë dhanë deklarata menjëherë pas luftës, por ata ende janë duke pritur për të parë nëse dikush do të akuzohet dhe do të gjykohet për këtë krim.

“Kanë kaluar gati 30 vjet nga krimet në Uborak dhe Sutina. Autorët dhe organizatorët ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, tha ai.

“Nëse ata ngrenë një aktakuzë, nëse i sjellin para drejtësisë autorët dhe organizatorët e vërtetë, i gjykojnë dhe i dënojnë ata, kjo do të na japë sadopak kënaqësi neve, familjeve të viktimave, në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë jetën tonë. Të paktën dot të dinim se ata që i morën jetën njerëzve tanë të dashur janë ndëshkuar siç duhet.”/balkaninsight/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *