Lajme

Varga: Perëndimi duhet të ofrojë garanci se në Kosovë nuk do të ketë Republikë Sërpska

Politologu dhe gazetari nga Novi Sadi i Serbisë, Boris Varga ka thënë se nacionalistët serbë po festojnë për të dytën herë fitoren e tyre në BeH, duke ia dalë mbanë të vendosin diskursin dominues për domosdoshmërinë e shpërbërjes së këtij shteti, ekzistenca e të cilit dhe Paqja e Dejtonit janë ekskluzivisht sukses politik i Perëndimit dhe i SHBA-së.

Ai ka shtuar se është e kuptueshme që Kosova po ndjek hapat secesionistë në BeH dhe nuk e dëshiron Asociacionin e Komunave Serbe.

Sipas tij, Perëndimi duhet të ofrojë patjetër garanci më bindëse se nuk do të ketë një Republikë Sërpska të re dhe nuk do ta ndajë Kosovën.

“Nacionalistët serbë po festojnë për të dytën herë fitoren e tyre në BeH, duke ia dalë mbanë të vendosin diskursin dominues për domosdoshmërinë e shpërbërjes së këtij shteti, ekzistenca e të cilit dhe Paqja e Dejtonit janë ekskluzivisht sukses politik i Perëndimit dhe i SHBA-së. Është e kuptueshme që Kosova po ndjek hapat secesionistë në BeH dhe nuk e dëshiron Asociacionin e Komunave Serbe. Perëndimi duhet të ofrojë patjetër garanci më bindëse se nuk do të ketë një Republikë Sërpska të re dhe nuk do ta ndajë Kosovën. Ngjarjet e luftës në Ukrainë mund të ndikojnë dhe të përhapen në të gjithë këtë zonë të paqëndrueshme të tranzicionit nga Beogradi deri në Tbilisi”, ka thënë ai.

Në një intervistë për KDP, ka thënë se Rusia vazhdimisht po përpiqet të përçajë ose destabilizojë Bashkimin Evropian. Dhe sipas tij, nuk është fjala vetëm për ish-republikat sovjetike të cilave Brukseli u ofroi vitin e kaluar statusin e kandidatit dhe anëtarësimin në BE, si Ukraina, Moldavia dhe në mënyrë shumë kushtëzuar Gjeorgjia, por edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor ku janë të pranishme krizat politike dhe jostabiliteti, si Serbia, Mali i Zi, BeH, Kosova, madje edhe Maqedonia e Veriut.

“Këto ditë pamë protesta dhe konflikte me policinë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, për shkak të ligjit që e kthen këtë republikë kaukaziane nga rruga evropiane në ‘rrugën ruse’, autoritare. Një ligj të ngjashëm po përpiqet të miratojë edhe Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Në rastin e Gjeorgjisë, kjo është vetëm pika që mbushi gotën, ku qeveria e shtetit që pretendon të anëtarësohet në BE dhe NATO po sillet me përmbajtje kur është fjala për agresionin kundër Ukrainës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Moldavia është në shënjestër të Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe është pjesë e planit më të gjerë pushtues rus drejt Transnistrisë.

Lexo më shumë  Drejtori Gërvalla: RTK po funksionon në mënyrë të pavarur më shumë se kurrë

Varga ka thënë se kandidatët në tranzicion në BE dhe anëtarët e NATO-s në Ballkanin Perëndimor kanë qenë prej vitesh objektivi i subverzioneve ruse.

Sipas tij, Rusia vepron në këtë drejtim përmes Beogradit, më së shumti përmes strukturave (para)shtetërore, politikanëve dhe kishës ortodokse, ndërsa prej vitesh janë cak Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Ka shtuar se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe për këtë arsye është më e mbrojtur se të tjerët, por ka theksuar se ende është e ekspozuar ndaj rrezikut të destabilizimit për shkak të çështjes së identitetit. Çështja e identitetit dhe sovranitetit sërish është në fokus të ngjarjeve politike në Mal të Zi.

Sipas tij, dinamika e luftës varet nga faktori Kinë dhe vendosmëria e SHBA-së.

“Lufta në Ukrainë u shtrua si çështje ultimatumi për Ukrainën dhe Rusinë. Nëse Kievi nuk ia del të përzë plotësisht ushtrinë ruse në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës nga viti 1991, Moska do të nisë sërish pushtimet e reja. Ndoshta për një kohë do të ketë armëpushim madje edhe më të gjatë se ai i 2015-ës dhe aneksimi i Krimesë, por lufta do të ripërtërihet kur Rusia të jetë gati të dëshmohet sërish në skenën botërore. Skenari i një plani paqësor, i negociatave të mbrojtura nga Pekini, është në fakt fatal për Ukrainën, sepse e lë fillimisht të gjymtuar dhe me një konflikt të ngrirë. Do të jetë një shtet jofunksional, i cili nuk do të mund të integrohet në BE, dhe bota dhe Perëndimi do të hezitojnë të investojnë dhe ta rindërtojnë atë shtet. Skenari i planit të paqes, negociatave që ofron Pekini është në fakt i dëmshëm për Ukrainën, sepse që në start e lë atë të sakatosur dhe me konflikt të ngrirë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se skenari i një fitoreje ruse, madje edhe me negociata të imponuara të paqes dhe me një pjesë të vogël të okupuar të Ukrainës, i dërgon një sinjal edhe Ballkanit Perëndimor se problemet mund të zgjidhen “në mënyrën e Putinit”.

Sipas tij, “shumë politikanë në Serbi këtë vetëm po e presin, prandaj sipas modelit të Rusisë ata po angazhohen për idenë e ‘botës serbe’, e cila është ide e ripërtërirë serbomadhe për të gjithë serbët në një shtet etnik”.

Lexo më shumë  “E pabesueshme, qesharake, absurde…”, reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

“E kjo do të thotë – yrysh për në Kosovë”,

“Mirëpo, nëse Rusia do të mposhtej ushtarakisht në Ukrainë, ky do të ishte një mesazh i qartë jo vetëm për Rusinë, por edhe për fuqitë e tjera autoritare, ndikimi i të cilave në botë po rritet, para së gjithash për Kinën. Këto do të ishin dy mesazhe të rëndësishme – se imperializmi i luftës është mposhtur dhe se fuqitë autoritare nuk do të dominojnë politikën botërore. SHBA-ja po i mban edhe një herë aleatët së bashku dhe është forca kryesore mbështetëse për fitoren e Ukrainës”, ka thënë ai.

Varga ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u përpoq të përdorë agresionin rus kundër Ukrainës për të shtyrë çështjen e zgjidhjes përfundimtare të Kosovës. Mirëpo, sipas tij, pikërisht kjo luftë e përshpejtoi këtë, veçanërisht barrikadat serbe në veri të Kosovës në fund të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se Vuçiqi lejoi ngritjen e ndikimeve rusofile dhe neofashiste në Serbi për të folur për këtë dhe jo për njohjen e Kosovës.

“Dhe, kjo ishte domethënëse – kur përmendej Kosova, në Beograd dhe anembanë Serbisë do të shfaqeshin murale me Putinin dhe Wagnerin, fotografi të të djathtëve dhe simbolit të pushtimit Z. Mirëpo, Perëndimi nuk është naiv, vetëm se i pavendosur. Kosova prapëseprapë ka prioritet mbi rusofilinë serbe. Mbase edhe rusofilia dhe sanksionet do të gjenden në rendin e ditës. Vuçiq është zotëruesi absolut politik i Serbisë dhe për të nuk është shqetësuese opozita ose rrezikimi i pushtetit. Narrativa dhe ideologjia dominuese në Serbi është, si në vitet ’90, nacionalizmi, dhe këtu ish-shegërti radikal i Sheshelit është në terren të vet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Putini dëshiroi ta përdorte shpalljen e pavarësisë së Kosovës si arsye për aneksimin e Krimesë. Por, sipas tij, këtu nuk ka kurrfarë analogjie, sepse në Krime nuk ka pasur kurrfarë shkeljesh masive të të drejtave të njeriut, deportime, spastrim etnik, siç ka pasur në Kosovë ndaj shqiptarëve.

Ai ka thënë se paradoksi i kësaj lufte është se populli i Ukrainës dhe i Kosovës bashkëndjejnë njëri-tjetrin, me viktimat e luftës, deportimet dhe terrorin nëpër të cilin kaluan, ndonëse Ukraina nuk e njohu pavarësinë e Kosovës./KDP

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *