“Vandalizmi i monumenteve të Francës së dikurshme” – shkëputur nga Victo Hugo
Nga Viktor Hugo
Shqipëroi Ylli Sula
Duhet thënë, që në fillim, e rithënë me zë të lartë se shkatërrimi i Francës së vjetër, të cilin e kemi denoncuar disa herë gjatë rikthimit të monarkisë, po vijon sot me më shumë ngulmim e barbari se kurrë më parë. Që prej revolucionit të korrikut, me ardhjen e demokracisë, padija dhe egërsia u derdh rrugëve. Shumëkund, pushteti vendor, kontrolli bashkiak dhe shërbimet komunale kaluan nga duart e fisnikëve të vegjël që nuk dinin të shkruanin në ato të fshatarëve që nuk dinë të lexojnë. Ramë kështu një nivel më poshtë. Teksa presim që këta njerëz të thjeshtë të mësojnë gërmëzimin, ata vazhdojnë të na qeverisin. Gafat administrative, frut i natyrshëm i pompimit që centralizimi i mëparshëm impononte në rrugëtimin nga kryebashkiaku tek nënprefekti, nga nënprefekti tek prefekti dhe nga prefekti tek ministri, tashmë bëhen edhe më të trasha e më të rënda.
Dëshiroj të përqendrohem vetëm tek njëra prej formave të pafundme të këtyre gafave që ndodhin para syve të popullit të mpirë nga magjepsja e do të trajtoj vetëm gafat që lidhen me monumentet. Në fakt vetëm sa do mund ta cek këtë temë aq të gjerë, sepse as 25 vëllime me format të madh nuk do të arrinin ta shteronin.
Si parashtrim duhet të them se, sot që flasim, nuk besoj të ketë në Francë qoftë edhe vetëm një qytet, qendër njësie administrative qyteti apo kryeqendër fshatare, ku nuk po mendohet, ku nuk ka filluar apo ku nuk është tashmë ekzekutuar shkatërrimi i ndonjë monumenti historik kombëtar, qoftë me urdhër të autoriteteve qendrore, qoftë me urdhër të autoriteteve vendore, pas aprovimit të atyre qendrore, e qoftë nga individë të toleruar nga autoritetet lokale.
Kam bindjen e thellë që nuk gaboj në parashtrimin e mësipërm e për këtë i bëj thirrje ndërgjegjes së kujtdo artisti apo antikuari që ka vizituar cilindo cep të Francës. Çdo ditë, kujtime të Francës së mëparshme zhduken bashkë me gurët mbi të cilat kanë qenë shkruar. Çdo ditë, në librin e veneruar të traditës fshihet ndonjë shkronjë. Nuk do të jetë e largët dita, kur, pas përfundimit të këtij rrëmeti shkatërrimesh, nuk do na mbetet tjetër, veçse të klithim si ai trojani, i cili të paktën zotat i merrte me vete: Fuit Ilium et ingens Gloria! (Na ishte dikur Ilioni i lavdishëm dhe e qytetarët e tij nammëdhenj).
Në mbështetje të kësaj që sapo thashë, më lejoni që, si shkrues i këtyre radhëve, të citoj, mes shumë dokumentash që mund të paraqisja, përmbajtjen e një letre e cila më është drejtuar personalisht. Nuk e njoh shkruesin e saj, i cili e përshkruan veten si njeri me shije dhe zemër, por dua t’i shpreh mirënjohjen që më shkruajti. Asnjëherë nuk do le pa mbështetur këdo që nxjerr në pah një padrejtësi apo denoncon një absurditet dëmprurës. Le ta lexojmë këtë letër duke mbajtur në mendje gjatë leximit se fakti që ajo sjell nuk është i izoluar, por një nga mijëra ndodhitë e një dukurie kudovepruese, shkatërrimi i njëpasnjëshëm, pa pushim, i monumenteve të Francës së dikurshme.
“Zotëri,
Shtatorin e shkuar bëra një udhëtim në Laon (departamenti i Aisnë), vendlindja ime. Isha larguar prej aty disa vite më parë ndaj, sapo mbërrita, gjëja e parë që bëra ishte t’i bija qytetit kryq e tërthor…Ç’befasi më goditi, sapo dola në sheshin qendror e ngrita sytë përgjatë kullës së Luigjit të Përtej detit! Kulla ishte mbuluar nga shkallë, shtanga hekuri e çdo mjet tjetër të përdorshëm për shkatërrim. Një pamje që më dhembi. Po mëtoja tëgjeja pse në e asaj që kisha para syve, kur atypari u shfaq zoti Th…, njeri i shkolluar, me shije për letërsinë e dashamirës i madh i gjithëçkaje që lidhet me shkencën dhe artet. Vrikthi ndava me të ndjesinë e dhimbshme që më kishte kapluar prej shkatërrimit të atij monumenti të vjetër. Zoti Th…, i cili qe në një mendje me mua, më tregoi se ai ishte i vetmi i mbetur nga këshilli bashkiak i pararevolucionit, e kishte qenë po ashtu I vetmi që kishte kundërshtuar vendimin për veprimet që sytë tanë dëshmonin në atë moment. Përpjekja e tij kishte qenë e kotë. Të gjitha fjalët dhe arsyetimet e tij kishin rënë në vesh të shurdhër. Këshilltarët e rinj I qenë kundërvënë me unanimitet, madje duke e akuzuar zotin Th… se, nëpërmjet mbrojtjes së zjarrtë që po I bënte asaj kulle të pafajshme, po kërkonte rikthimin e mbretit. Ata zotërinj ishin çjerrë së përsërituri se ajo kullë sillte vetëm kujtimet e kohëve feudale, ndaj shembjen e saj e kishin votuar me brohoritje të flakta. Kishte dhe më, bashkia, krahas dhurimit të materialeve të nxjerra nga kulla, I kishte ofruar nënkontraktorit të ngarkuar me shkatërrimin e saj një shumë prej disa mijëra frangash. Ky ishte çmimi për … një vrasje, sepse vetëm e tillë mund të quhet ajo që po ndodhte aty. Zoti Th… më tregoi njoftimin me letër të verdhë të vendimit, varur në murin ngjitur. Në krye, me shkronjë të stërmëdha shkruhej: “SHKATËRRIMI I KULLËS SË ASHTUQUAJTUR E LUIGJIT TË PËRTEJDETIT. Njoftohen qytetarët se… etj.”
Kulla në fjalë zinte një sipërfaqe prej vetëm disa metrash. Nëse,siç thuhej,kërkonin të zgjeronin tregun që ishte ngjitur me të, do mund të kishin sakrifikuar një shtëpi të vogël aty pranë, vlera e së cilës nuk do ta kishte kaluar atë që i ishte ofruar nënkontraktorit. Preferuan të shkatërronin kullën. Me shumë trishtim më duhet t’u them bashkëqytetarëve të mi, për turpin e tyre: qyteti juaj zotëronte një monument të rralë, një monument të linjës së dytë të mbretërve. Sot nuk ka mbetur më asnjë i tillë, kulla e Luigjit IV ishte e fundit. Pas një akti të tillë vandalizmi, ndonjë ditë do të dëgjojmë pa u çuditur më, se ju po shkatërroni edhe katedralen e mrekullueshme të shekullit XI për ta bërë hangar drithi.”
Përballë ndodhish të tilla mendimet gëlojnë plot ngutje.
Së pari, a nuk jemi përpara një komedie? Përfytyrojini pakata 10 a 12 këshilltarë bashkiakë teksa merrnin vendimin për prishjen e kullës së ashtuquajtur e Luigjit të Përtejdetit! Ja ku janë aty, të rreshtuar në rreth, me siguri të ulur mbi tavolinë këmbëkryq e të veshur me papuçe si turkoshakë. Pa dëgjojini pak ç’thonë: na duhet të zgjerojmë hapësirën për tezgat e lakrave, prandaj duhet zhdukur ky monument feudal. Ja tek vihen në kor, për të rrokëzuar gjithë ato fjalëtë mëdha për Kushtetutën, që juristi i fshatit, prej pesëmbëdhjetë vitesh, i ka vënë të përsërisin pas tij për t’ua ngulitur sa më mirë. Secili përpiqet të verë në pah kontributin e tij. Argumentat lëshohen si breshër. Njëri kapet fort pas feudalitetittë kullës, tjetri përmend papushim të dhjetën e kishës, një tjetër punën e detyruar, më tutje dikush iu qan hallin çifçinjve që duhet të rrahin ujrat e kanaleve për të bërë bretkosat të heshtin, një I pestë, flet me revoltë për feudalët që I japin vetes të drejtën e fjetjes me çdo nuse të re në fshat, natën e parë të martesës, një i gjashtë e ka me priftërinjtë e përjetshëm po aq sa me fisnikët e përjetshëm, ndonjë risjell tmerret e natës së Shën Bartolomeut, një tjetër akoma, me siguri avokat, iu turret jezuitëve, e më tej, e më tej kështu e ashtu e sërish ashtu e kështu. Të gjitha u thanë: kulla e Luigjit të Përtejdetit dënohet me vdekje!
A e përfytyroni pozitën e këtij njeriu të shkretë, përfaqësuesi i vetëm i shkencës, artit, shijes dhe historisë, në mes të asaj asambleje groteske inkuizitorësh? A e dëgjoni teksa përpiqet të nxjerrë ndonjë fjalë të ndrojtur në mbrojtje të monumentit të nderuar? E shikoni se si lëshohen rrufetë mbi të? Dhe ja tek kërruset e bëhet grusht nën shigjetimet e akuzave që e cilësojnë si karlist (partisan i rikthimit të mbretit Karl)! Si mund t’i përgjigjesh një akuze të tillë?! Gjithçka përfundon këtu. Vendimi u mor. Prishja e “monumentit të kohëve të barbarisë” votohet me entuziazëm të papërshkrueshëm. Dëgjojini urratëme stërkala të këshilltarëve bashkiakë të Laonit, a thua se e ishin duke e sulmuar kullën e Luigjit dhe sapo e pushtuan atë!
A besoni se Rableja apo Hogarti do kishin mundur të gjenin gjëkund tjetër surretër më qesharakë, tipa më bufonër dhe modele më të përshtatshëm për t’i skicuar me qymyr në muret e një mejhaneje apo për të ilustruar luftrat e bretkosave me minjtë?
Po, bëni mirë që qeshni! Ndërkohë kulla e vjetër, që u ka rezistuar aq kohërave, po dridhet nga themelet tek dëgjon vendimet e gjyqit revolucionar që po i bëhet mes shprehjeve shatrapatra ekuakuakeve në kor. Ja se si, krejt papritmas, nga dyert, nga dritaret, nga bedenat, nga frëngjitë, nga çatia, nga ullukët, nga çdo drejtim I mundshëm, shkatërruesit shpërthejnë ashtu si krimbat prej një kufome. Pleshta, morra e çdo parazit I është vërsulur për ta pickuar e brejtur. Kulla e ngratë nis të rrëzohet gur pas guri; skulpturat copëtohen mbi kalldrëm, lugthi i gropëzohet, hija i shkërmoqet, pluhuri fillon të shpërndahet mbi shtëpitë përrreth. Borgjezi i pavlerë që kalon atypari habitet tek e sheh të mbuluar me aq shumë litarë, shtanga e shkallë sa asnjehere gjatë sulmeve të anglezeve apo burginjonëve.
Kështu, për të shëmbur kullën e Luigjit të Përtejdetit, thuajse bashkëkohëse e kullave romake të Bibraksit të vjetër, për të bërë, pra, atë që nuk ia dolën të bënin as kryedeshtë, as katapultat, as kullat-breshka, as zinxhirët, as sëpatat, as hanxharët, as çengelët, as topuzët, as pushkët, as topat, as gjylet, as rrufetë, as furtuna, as lufta, as zjarri i njerëzve e as zjarri i qiellit, në shekullin e XIX, çfarë përparimi!, mjaftoi boja e një pende pate, e shëtitur dorë më dorëmbi një copë letre nga ca anonimër pafundësisht të vegjël. Penë e poshtër në duart e një këshilli bashkiak të rendit më të ulët! Penë qorre që hedh në letër fetfatëtuhafe të njëdivani fshatarësh! Një asgjë-penë e njësenati liliputësh! Plot me gabime drejtëshkrimi! Penë që nuk njeh ortografinë! Penë qëme siguri ka hequr më shumë kryqe seç ka hedhur firma në fund të atij vendimi të llahtarshëm!
Dhe kulla u shëmb! E pat edhe kjo punë! Qytetarët paguan për këtë! U vodhën kurorën e qytetit dhe i bënë të paguajnë hajdutin!
Ç’emër mund t’i vësh kësaj?
E përsëris, me qëllim që të ngulitet mirë në mendje: ndodhia e Laonit nuk është një fakt i izoluar. Në momentin që shkruaj, nuk ka qoshe të Francës ku të mos ndodhë diçka e ngjashme. Më pak apo më shumë, më e vogël apo më e madhe, por bëhet fjalë kudo e çdo herë për vandalizëm. Lista e shembjeve është e pafundme. E ka zbardhur autori iI këtyre rradhëve e plot shkrimtarë të tjerë edhe më të rëndësishëm se ai. Është e lehtë ta shtosh edhe më, por e pamundur ta përmbyllësh. Ajo që pamë ishte vetëm një nga bëmat e këshillave bashkiake. Tjetër kund një kryebashkiak zhvendos gurëprehistorikë për të shenjuar kufijtë e rinj të bashkisë, një peshkop kruan dhe risuvaton muret e katedrales, një prefekt shemb një abaci të shekullit XIV për të çliruar pamjen e dritareve të sallonit të pritjes, një artilier rrafshon një manastir të vitit 1460 për të zgjatuar poligonin e qitjes, një nëpunës e shndërron sarkofagun e Teodebertit në lug për ushqimin e derrave.
Sa turp! Sa qesharake! Nëse jeni administratorëkaq të paaftë e kaq mendjeshterpë sa, mes gjithë rrugëve që duhet të hapni e shtroni, kanaleve që duhet të pastroni, porteve që duhet të thelloni, tokave që duhet të çlironi nga shkurret e ferrat, shkollave që duhet të ndërtoni, ju sërish nuk arrini t’u gjeni punë punëtorëve tuaj, të paktën mos u hidhni si gjah para këmbëve e mos i vini të shkatërrojnë ndërtesat tona kombëtare. Mos i detyroni ta nxjerrin bukën nga gurët që i vini të prishin. Më mirë ndajini në dy grupe e vërini të hapin secili nga një gropë të madhe, e më pas secili grup të mbushë gropën e vet me dheun e tjetrit. Pa problem, paguajini për këtë. Pranoj më mirë të panevojshmen, sesa të dëmshmen.
Në Paris vandalizmi lulëzon dhe begatohet para syve tanë. Vandalizmi është bërë arkitekt. Vandalizmi shtriqet e shëllehet nga kënaqësia. Vandalizmi festohet, duartrokitet, inkurajohet, admirohet përkëdhelet, mbrohet, konsultohet, subvencionohet, çtaksohet, duke fituar të drejtën e qytetarisë. Vandalizmi është bërë sipërmarrës punimesh për llogari të qeverisë, ai ka zënë vend tinëzisht në buxhet, duke e brenjtur atë siç bren miu copën e djathit. E pa dyshim, xhepat i mbush mirë. Çdo ditë ai gërryen e shemb diçka nga Parisi i vjetër. Ç’të përmend më parë? Vandalizmi mbuloi me suva Notre-Dame, vandalizmi retushoi kullat e Pallatit të Drejtësisë, vandalizmi rrafshoi kishën Saint-Magloire, vandalizmi shembi galerinë e jakobinëve, vandalizmi sharroi dy nga tre kullat-shtizë të Saint-Germain-des Prés. Do flasim ndoshta më tej edhe për ato që vandalizmi ndërton pas shkatërrimit. Vandalizmi ka gazetat e veta, shoqëritë e veta të interesit, ka shkollat dhe katedrat e veta, publikun dhe tezat e veta. Vandalizmi ka pas vetes borgjezinë. Si një borgjez, vandalizmi ushqehet mirë, jeton me rentë, fryhet nga mburrja, nuk është I paditur, shfaqet si klasik, sa logjikues aq edhe teorizues, ështëI gëzuar, I sigurtë në vetvete, kur do ua vë veshin ankesave të të tjerëve, di të flasënëpublikdhe është gjithmonë I kënaqur me veten. Vandalizmi hiqet si mesen, merr në mbrojtje talentet e reja, jep çmime për arkitekturën, dërgon të rinj të studiojnë në Romë. Ai është professor, është deputet. Ai ia heq Ingrit autorësinë e afreskeve në murin e dhomës së tregtisë e shpall se ajo I përket një tjetër autori që dëshiron ai. Ai hyn lirisht në oborrin mbretëror, I fut krahun mbretit dhe shëtit me të duke I pëshpëritur në vesh planet e tij.
Ju me siguri e keni takuar diku.
Herë herë vandalizmi bëhet pronar, diku shfaqet si piktor godinash, diku tjetër si sekretar gjykate apo bashkie, më tutje si spekullator.
Vandalizmi ka idetë e veta për zhvillimin. Ai ka ndër mend të çajë mespërmes Parisit një rrugë të stër stër stër madhe. Një rrugë të gjatë një milje! Sa shkatërrime të mrekullueshme parashikohet të bëhen përgjatë kësaj rruge! Por ç’rëndësi ka kjo?! Po flasim për një rrugë prej një milje! Si nuk e kuptoni sa e bukur do të jetë? Përfytyrojeni ç’farëperspektive do na shpaloset para syve!
Le të shpresojmë që ky projekt burlesk të mos bëhet ndonjëherë. Nëse do të guxojnë ta fillojnë, le të shpresojmë që do të ketë një kryengritje artistësh. Unë do t’i mbështes me ç’të mundem.
Shkatërrueve nuk u mungojnë asnjëherë pretekstet. Në periudhën e rivendosjes sëmonarkisë, me devotshmërinë më të madhe prisheshin, sakatoheshin, shpërfytyroheshin, profanoheshin ndërtimet katolike të mesjetës… Që prej revolucionit të korrikut, preteksti i devocionit u zëvendësua nga pretekste tw tjera njeri pas tjetrit: kombëtare, liberale, patriotike, filozofike, volteriane. Sot nuk restaurohet më asgjë, as nuk shëmtohet e as ndyen më kush duart me monumentet e vjetër, thjeshtë i shembin. Dhe kanë gjithmonë arsye pse e bëjnë këtë. Një kishë përfaqëson fanatizmin, një kullë feudalizmin! Akuzohen monumentet, masakrohen gurët, çfarosen rrënojat. Edhe kishat tona mezi ia dalin të shpëtojnë duke ngritur flamurin e revolucionit. Nuk gjendet qoftë edhe një Notre-Damë në Francë, sado gjigande, e adhuruar, e mrekullueshme, asnjanëse, historike, e qetë dhe madhështore të jetë, që të mos ketë vënë flamurin trengjyrësh mbi njërin vesh. Ndodh që ndonjë kishë të shpëtohet duke I shkruar mbi ballë: Bashkia. Këto ndërtesa të mrekullueshme të ngritura nga populli për popullin janë sot gjëja më jopopullore mes nesh. Ua zbrazim atyre gjithë inatin e krimeve të kohëve të shkuara, dëshmitare të të cilëve ato kanë qenë. Po të mundnim do fshinim gjithçka nga historia jonë. Shembim, shkatërrojmë, rrafshojmë e bëjmë pluhur e hi në emër të shpirtit kombëtar. Duke u përpjekur të tregohemi francezë të mirë, po përfundojmë të sillemi si bastardë.
Mes nesh ka edhe nga ata që e duartrokasin shkatërrimin për arsye të tjera, arsye dijesh të gjera e të rëndësishme, arsye ekonomistësh dhe bankierësh. – Për çfarë na hynë në punë këto monunmente? – thonë ata. – Për më tepër, mirëmbajtja kushton shumë. Shëmbini dhe shituani materialet! Të paktën kështu do nxjerrim ndonjë gjë! – Qoftë dhe nga këndvështrimi I mirfilltë ekonomik, ky arsyetim nuk qendron. Këto monumente përbëjnë kapitale. Shumica e tyre, me emrin që kanë, tërheqin të huajt e pasur për të vizituar Francën duke sjellë të ardhura për vendin. T’I shkatërrosh do të thotë t’ia heqësh këto të ardhura vendit.
Por le ta lemë mënjanë këtë argument material e ta ngremë nivelin e arsyetimit. Që kur paskemi filluar në mes të qytetërimit t’I kërkojmë llogari artit për anën e tij utilitare? Fatkeq kushdo prej jush që nuk e di se për çfarë shërben arti! Nuk kam ç’t’ju them asgjë tjetër. Vazhdoni! Shkatërroni! Përdorni!
Disa të tjerë e pranojnë dhe e duan artin, por për ta monumentet e mesjetës janë pa shije, janë vepra barbare, monstra arkitekture, që duhen shembur e fshirë nga faqja e dheut një orë e më parë. As këtyre nuk ke ç’t’u përgjigjesh. Janë të pashpresë. Kanë mbetur të ndryrë me paragjykimet e një kohe tjetër, edhe pse bota ka vijuar të rrotullohet, nuk kanë mundur të bëhen pjesë e gjeneratës që arrin ta shohë dritën e diellit. Veshët e çdo madhësie duhet të mësohen ta dëgjojnë e ta ridëgjojnë se, ndërkohë që në këtë vend ka ndodhur një revolucion politik i lavdishëm, një tjetër revolucion i lavdishëm është realizuar në art. Para 25 vitesh Charles Nodier dhe zonja de Staël e kanë lajmëruar këtë në mbarë Francën. E nëse më lejohet të shtoj edhe një emër më pak të njohur pas këtyre emrave të mëdhenj, edhe autori i këtyre fjalëve lufton prej 14 vitesh për ta përhapur këtë. Tashmë kjo ka ndodhur. Dueli qesharak mes klasikëve dhe romantikëve u zgjidh me dakortësimin e të gjitha palëve. Nuk kanë mbetur më çështje të hapura.
Në mesin e këtij rinovimi të plotë të artit dhe kritikës, çështja e arkitekturës së mesjetës, e debatuar prej tre shekujsh, është po aq e fituar sa edhe çështja e së mirës së përgjithëshme me të gjitha argumentet shkencore, e fituar për arsye historike, e fituar për arsye të artit, e fituar me mendje, me përfytyrim dhe me zemër. Nuk ka më pse t’i kthehemi një çështjeje të gjykuar e të mirëgjykuar! Ndaj le t’I themi qeverisë, bashkive, individëve se ata janë tërësisht përgjegjës për të gjitha monumentet që rasti ua solli t’i kenë në duar. Në të ardhmen, ne duhet të japim llogari për të shkuarën! Posteri, posteri, vestra res agitur.
Sa për ndërtesat që u zënë vendin atyre që prishen, më duhet të them se ne e refuzojmë këmbimin. Nuk i duam, janë të këqija. A nuk është për të ardhur keq kur sheh ato 3-4 kisha të vogla kubike që po mbillni aty – këtu në Paris? A nuk është një fyrje për shkollën e Arteve të Bukura ai ndërtim hybrid e i lodhshëm linjat e të cilit shpalosin lakuriqësinë dhe shëmtinë përballë fasadës së admirueshme të kështjellës Gaillon?
Për hir të Zotit, shpenzojini më mirë milionat tona!
Nëse është e vërtetë, siç autori beson, se mes të gjitha arteve arkitektura është i vetmi pa të ardhme, përdorini milionat për të ruajtur, mirëmbajtur, përjetësuar monumentet kombëtare dhe historike që i përkasin shtetit e për të blerë ato që janë në duart e privatëve. Kostot do të jenë të përballueshme sepse do mund t’i blini lirë. Ka mjaft pronarë të paditur që do ta shisnin Partenonin me vlerën e çmimit të gurëve.
Restaurojini këto ndërtesa të bukura, ndreqini me kujdes, me zgjuarsi e pa shpenzime të tepërta. Keni rreth jush njerëz të shkencës, njerëz me shije që do t’ju ndriçojnë në këto punë. Është parësore që arkitekti-restaurator të mos fluturojë pas imagjinatës, por ta studiojë me kërshëri e përqendrim natyrën e çdo ndërtese, sipas shekullit dhe klimës. Ai duhet të depërtojë në thellësi të frymës së përgjithëshme dhe të çdo detaji të monumentit që i besohet. Ai duhet të dijë të shkrijë gjeninë e vet me atë të arkitektit të parë të ndërtesës.
Ju, që keni në dorë kontrollin e bashkive, ndalojuni atyre të shkatërrojnë!
Sa për privatët, pronarëve që do të këmbëngulnin të shkatërronin, u duhet ndaluar me ligj që ta bëjnë këtë. Prona e tyre le të vlerësohet, të paguhet e t’I kalojë shtetit. Po përsëris këtu thirrjen që kam bërë edhe më parë: Ndaloni varetë që po shpërfytyrojnë faqen e këtij vendi! Një ligj I vetëm do të mjaftonte. Bëjeni! Asnjë e drejtë pronësie nuk duhet t’I japëasnjërit prej këtyre spekullantëve të ndyrë të drejtën për të prishur një ndërtesë historike dhe monumentale nën verbimin e interesit. Njerëz mjeranë e aq kokëgdhë sa nuk arrijnë ta kuptojnë sa barbarë janë. Dy gjëra ka çdo ndërtesë: përdorshmërinë dhe bukurinë. Përdorimi I takon pronarit të saj, bukuria të gjithëve, juve, mua, ne të gjithëve. Të shkatërrosh këtë bukuri do të thotë të tejkalosh të drejtën tënde.
Gjithçka shkruajta më sipër e shoh si çështje interesi të përgjithshëm, interesi kombëtar. Çdo here që interesi kombëtar nxjerr kokën e ngre zërin, ligji duhet t’I verë fre angullimave të interesave private. Në çdo kohë, pronësia individuale është modifikuar sa herëështë vënëpërballë interesave të bashkësisë shoqërore. Blihet një arë për të bërë një shesh, një shtëpi për të bërë një spital. Po kështu do të duhet t’ju blihet edhe një monument.
E përsëris: nëse duhet një ligj le të bëhet sa më parë. Që këtu I dëgjoj ankesat e qarjet që ngrihen ngado: – Ku ta gjejnë kohën deputetët për të bërë një ligj për një vogëlsi të tillë?!
Pse, vogëlsi e quani ju këtë?!
Po si kështu? Kemi dyzet e katër mijë ligje me të cilat nuk dijmë ç’të bëjmë, dyzet e katër mijë ligje, mes të cilëve mezi bëhen nja dhjetë të mira. Çdo vit dhomat e deputetëve, kur ngrihen temperaturat, pjellin me qindra ligje nga të cilët më së shumti dy a tre I qendrojnë sadopak kohës. Bëjnë ligje për gjithçka e kundër gjithëçkaje. Për të transportuar kutitë prej kartoni të një ministrie nga njëra anë e rrugës në tjetrën bëjnë një ligj. Po një ligj për monumentet, për artin, për kombin francez, për kujtesën, për katedralet, për krijimet më madhështore të mendjes njerëzore, një ligj për veprën e përbashkët të baballarëve tanë, një ligj për historinë, një ligj për të pariparueshmen që po shkatërrojmë, një ligj për atë që një komb ka më të shenjtë pas së ardhmes, një ligj për të shkuarën? Për këtë ligj të drejtë, të mirë, të mrekullueshëm, të shenjtë, të nevojshëm, të duhur, të domosdoshëm, emergjent, vetëm për këtë nuk gjejnë kohë e nuk e bëjnë!
Qesharakë! Qesharakë! Qesharakë!
Viktor Hugo
14 shkurt 1832
Rruga Press