Lajme

Ushtria serbe propozoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ish ambasadori Peci: E rrezikshme! Do të ndikojë në emigrimin e të rinjve nga Lugina e Preshevës

Ish ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci ka reaguar ashpër sa i takon nismës së re të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë për rikthimin e ushtrisë serbe për 4 muaj.

Peci e sheh si mjaft problematike këtë lëvizje të Serbisë ndërsa shprehet se kjo politikë e Serbisë përpos që ka për qëllim përgatitjen masive të popullatës për situata luftarake, do të ndikoj edhe në emigrimin e të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.

“Pas armatimit me mjete ofensive gjate viteve te fundit, Serbia është duke e bërë edhe hapin tjetër në fuqizimin ushtarak. Beogradi tani është duke e përgatitur edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak prej katër muajve.

Kjo politikë e Serbisë përpos që ka për qëllim përgatitjen masive të popullatës për situata luftarake, do të ndikoj edhe në emigrimin e të rinjëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, pasi edhe ata do të detyrohen të jenë pjesë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Përmes saj padyshim se do të bëhet në mënyrë të heshtur edhe ndërrimi i mëtutjeshëm i strukturës etnike në këto territore”, ka shkruar Peci.

Ndër të tjera, Peci shprehet se Perëndimi do duhet të ketë një vëmendje të veçantë për aktet e Serbisë pasi cenojnë paqen dhe stabilitetin në Rajon.

Lexo më shumë  Kurti: Zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, janë vendimtare për të ardhmen

“Përpos politikës në Prishtinë dhe Tiranë, perëndimi duhet ta ketë në vëmendje të plotë atë se çfarë është duke bë Serbia në këtë fushe. Armatimi dhe mobilizimi ushtarak i Serbisë nënkupton edhe më shumë trupa ushtarakë të NATO-s në rajon për të siguruar paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka thënë ndër të tjera Peci.

Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi nuk është risi në deklaratat e zyrtarëve.

Lexo më shumë  “E pabesueshme, qesharake, absurde…”, reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Në vitin 2022 për këtë ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa një vit më parë edhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq. Në deklaratat e tyre, zyrtarët serbë theksojnë se Serbia nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë qëllim për t’u anëtarësuar në NATO.

YouTube player