Ushtria e Shqipërisë dhe Kosovës bëjnë stërvitje të përbashkët
Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po thellohet dhe forcohet përmes aktiviteteve të përbashkëta stërvitore.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë zhvilluar qitje me mortaja të kalibrave 60, 81 dhe 120 milimetra, në kuadër të trajnimeve në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.
“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po thellohet e forcohet vazhdimisht përmes aktiviteteve të përbashkëta stërvitore”, ka deklaruar Maqedonci.
Qitjet janë zhvilluar në poligonin e qitjes me armë të rënda të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
“Gjatë këtij aktiviteti, ushtarakët tanë dëshmuan përgatitje të lartë profesionale, disiplinë dhe zbatim të standardeve gjatë ekzekutimit të qitjeve”, ka theksuar Maqedonci.
Aktivitetet e përbashkëta stërvitore ndërmjet dy forcave synojnë zhvillimin e mëtejshëm në fushën e artilerisë, ngritjen e aftësive operacionale dhe forcimin e ndërveprueshmërisë.
Rruga Press

