Art & KulturëKryesore

“Urdhra vrasjesh nga Beogradi” zbardh në Tiranë krimet e ish-Jugosllavisë

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Tiranë ka qenë nikoqir i një dokumentari që flet për Sigurimin e Shtetit por të atij të ish-Jugosllavisë. Dokumentari “Urdhra vrasjesh nga Beogradi” nën regji të Dragan Çotiqit është dhënë në kuadër të edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, organizuar nga akademia e filmit dhe multimedias “Marubi” në Tiranë.

Produksioni gjerman përshkruan historinë e terrorizmit shtetëror jugosllav treguar për herë të parë nga këndvështrimi i viktimave. Shërbimi Sekret komunist i Jugosllavisë, sipas të dhënave të ofruara në këtë dokumentar, vrau të paktën 78 mërgimtarë kroatë në mbarë botën. Viktimat më të reja ishin edhe 3 e 9-vjeçarë. Shumica e vrasjeve janë kryer në Republikën Federale të Gjermanisë. Sipas të dhënave të dokumentarit, 37.

Rrëfimi dokumentar 57-minutësh është pasuar të martën mbrëma me panelin e diskutimeve që u drejtua nga Theodore S. Orlin, aktivist i të drejtave të njeriut, Elsa Ballauri, drejtore ekzekutive e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, si dhe Kujtim Çashku, drejtor ekzekutiv i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, ata kanë folur për nevojën e shoqërisë shqiptare për të nxitur më tej procesin e dekomunistizmit në vend dhe ndëshkimin e krimeve të së shkuarës.

Lexo më shumë  Arsyeja e vizitës së presidentit kinez në Beograd është shumë më e thellë: Xi Jinping do ta ftojë Serbinë të anëtarësohet në BRICS

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, citohet të ketë thënë se Shqipëria duhet të përballet me këtë proces.

“Shqipëria ka nevojë për t’u mbështetur në këtë proces, sepse ende jemi larg të bërit të drejtësisë për të shkuarën, por kjo nuk është krejt e pamundur”, ka thënë ajo.

E pranishme në këtë aktivitet ishte dhe Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës, i cili ishte varë nga Shërbimi Sekret jugosllav bashkë me Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Ajo para të pranishmëve ka rrëfyer për rastin e shkrimtarit, muzikantit dhe themeluesit të grupit Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

“Nuk e di a tua përshkruaj atë natën kur janë vrarë. Është pak e dhimbshme. Në orën 10:15 dolën nga shtëpia me makinë. Ishin tre veta. Dy përpara, Jusufi ishte ulur pas. Pasi dolën me makinë, iu dolën dy veta para, dhe i kanë qëlluar. I kanë qëlluar dhe e kanë bërë shoshë makinën. Kur dëgjova të shtënat dola jashtë dhe e gjeta Jusufin gjallë. Kam qëndruar gjysmë ore me të. E pyeta nëse i pa, më tha që i ka parë, por nuk i ka njohur”, ka treguar, midis të tjerash, Gërvalla.

Lexo më shumë  Kurti: BE-ja t’i heqë masat, Kosova e gatshme t’i hapë negociatat drejtë anëtarësimit

Më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë, nga autoritet shtetërore gjermane asokohe ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e Sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Atentati kishte ndodhur përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) e nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para, vetura ka ndaluar pasi që nga një vendndërtim në anë të djathtë një person nga një distancë prej tri metrash ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe iu ka afruar makinës për të vërtetuar nëse ia kanë arritur qëllimit.

E veja e Jusuf Gërvallës, në fund të aktivitetit në Tiranë, është njohur me dokumentet që ish-Sigurimi i Shtetit ka grumbulluar për bashkëshortin e saj gjatë kohës që ai jetoi dhe punoi në Shqipëri, por edhe mbi aktivitetin e tij politik në Kosovë dhe Gjermani.

Rruga Press

YouTube player