Art & Kulturë

Universiteti i Durrësit i vitit 1380 – i pari universitet në Ballkan

Jahja Drançolli

Në fillim të viteve ‘90-të, në shtypin ditor të Kosovës si dhe në revistën “Buletini” të Fakultetit Filozofik (1993), kishte parë dritën një studim imi me titullin, “Universiteti i Durrësit” (së bashku me burime e literaturë referente), që ishte rezultat i punës së gjatë hulumtuese jo vetëm në arkiva publike italiane dhe kroate, por edhe në ato kishtare të urdhrit Dominikan, urdhër ky që kishte themeluar Universitetin e Durrësit rreth vitit 1380. Rezultati është pritur jashtëzakonisht mirë në botë.

Këtej, në Kroaci, nga mjetet e Kuvendit të Kroacisë janë ndarë rreth 10 mijë euro që studimi në fjalë, i shoqëruar me rezultate të tjera, të shohin dritën në librin monumental, “Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes gjatë Mesjetës” (Arbers between West and East during Middle Ages, Zagreb, 2008). Libri është distribuuar kryesisht në librari evropiane.

Janë dy arsye pse jam duke e riaktualizuar sërish çështjen në fjalë, tashmë të përqafuar nga pjesa e madhe e shkencës serioze evropiane, e sidomos të asaj kroate e kosovare.

Arsyeja e parë është se Universiteti i Zarës, kohë më parë, në ueb-faqen universitare (anglisht dhe kroatisht) ka postuar historikun e universitetit, që përputhet plotësisht me rezultatet shkencore të cilat provojnë fuqishëm ekzistimin e Universitetit të Durrësit për të parin e këtij lloji në Ballkan. Ky rezultat, tashmë i provuar fuqishëm edhe nga shkenca e historisë kroate, ishte refuzuar nga një pjesë e historiografisë së Shqipërisë politike me prirje mediokre nga medievalistika. Fatkeqësisht, në mesin e tyre ka pasur dhe ka emra të shquar, të cilët me ndonjë puthadorë mediokër edhe nga Kosova, jo vetëm që refuzuan botimin e këtij zbulimi në projektin “Historia e Popullit Shqiptar: Ilirët, Mesjeta…” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë: 2002), por e shpallën Universitetin e Durrësit si të paqenë. Një fushatë e përafërt është zhvilluar pothuajse në intervale të njëjta me zbulimin e origjinës hasjane të Skënderbeut. Fatbardhësisht ky rezultat në vitet e ‘50-ta, pjesërisht qenka provuar edhe nga më i madhi historian shqiptar, Aleks Buda.

Lexo më shumë  Gjendet valsi i humbur i Chopin, i shkruar 200 vjet më parë

Me rastin e fushatës së zhurmshme, ndonjë prej tyre, autorin (J. Drançolli) e kishte marrë në spikamë në stilin e humorit, “autori i këtij ‘zbulimi’, duke lexuar se durrsakët e kanë besuar ‘zbulimin’ e tij, tani edhe vet siç më kanë thënë beson me të vërtetë se Durrësi ka pasur universitet në shekullin XIV” (Historiografia shqiptare në tranzicion, Tiranë, 2006, f. 73). Mos të flasim për diferencime nga tubimet shkencore, që mbaheshin në Shqipëri (ndonjëherë edhe në Kosovë), vetëm pse Universiteti i Durrësit ishte zbuluar nga një kosovar dhe jo nga ndonjë prej strukturave të mykura të historiografisë enveriste, të cilat trevat shqiptare jashtë Shqipërisë politike i kanë përjashtuar nga versioni më i ri i “Historisë së Popullit Shqiptar” (Tiranë: 2002).

Mesazhi është i qartë, duhet ditur se çdo gjë nisë dhe mbaron me Shqipërinë politike të djeshme dhe të sotme, dhe në këtë kontekst kthesat më të mëdha janë bërë në Shqipëri vetëm në periudhën komuniste. Do të ishte paradoksale për recidivët e djeshëm dhe të sotëm të komunizmit shqiptar, që kishin masakruar, mbytur dhe internuar mijëra intelektualë të klerit (jo vetëm katolik, por edhe mysliman dhe ortodoks), ta pranojnë Universitetin e Durrësit pikërisht si rezultat të këtij kleri nga pjesëtarët e Urdhrit dominikan, që aktualisht në këtë vit kudo në botë është duke shënuar 800-vjetorin e themelimit të urdhrit në fjalë.

Lexo më shumë  Gjendet valsi i humbur i Chopin, i shkruar 200 vjet më parë

Arsyeja e dytë është që dashamirësit e shkencës dhe kulturës tonë më në fund t’i gëzojmë edhe më ndonjë sihariq, që afirmon vlerat tona shkencore e kulturore gjatë Mesjetës, kulturë kjo që ka reflektuar gjithandej Mesdheut dhe Evropës përgjithësisht.

Për të parë zhvillimin historik të Universitetit të Durrësit (rreth vitit 1380), i cili për shkaqe të sulmeve osmane ishte tërhequr në Zarë për të themeluar atje Studium Generale ose Universitetin e Zarës me Rektor të Parë, Gjon Durrësakun (1396), përveç studimit tim që është botuar shumë kohë më parë, duhet shikuar për verifikim ueb-faqen e Universitetit të Zarës, të postuar në anglisht dhe kroatisht.

Nga e gjithë ajo që u tha më sipër, e quaj me vend ta përkujtoj sentencën e famshme të shkencëtarit më të madh të epokës së Humanizmit dhe të Rilindjes, Galile Galileo: “Eppur si muove” (Megjithatë, lëvizë).

Rruga Press

YouTube player