Opinion/Aktualitet

Ukshin Hoti është i pakopjueshëm dhe i pazevëndësueshëm

Shkruan Lirim Gashi

Është i trishtueshëm fakti që ne që nga mendimtari ynë brilant Ukshin Hoti, vazhdimisht kemi bërë një salto prapa në aspektin e pjekurisë patriotike.

Kjo më në fund duhet ta ndezë alarmin e rrezikut në kokat tona dhe t’i mprehë pikëpamjet tona për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen.

Mirëpo kjo jo vetëm që nuk po ndodh, por alarmi i rrezikut në kokat tona për zhvillimet e rrezikshme të njëzet viteve të fundit duket se më në fund është fikur përfundimisht, ndërsa vështrimi ynë për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen është bërë akoma më i paqartë.

Unë mundohem të vazhdoj të paktën në aspektin teorik aty ku e la Ukshini për shkak të arrestimit dhe humbjes së gjurmës së fatit të tij të trishtë.

Por më duhet ta pranoj se nuk mund ta arrijë biologjikisht dedikimin e tij specifik, për faktin se unë jam jashtëzakonisht i padisiplinuar dhe i fiksuar pas disa zhanreve të krijimtarisë, që më hedhin nga një cep i artit të shkrimit në tjetrin.

Dhe pikërisht kur zotohem t’i përkushtohem vetëm një disipline krijuese, ndjej dëshirën për të vepruar sipas tekave të natyrës sime.

Druaj që ne asnjëherë nuk do ta kuptojmë plotësisht se sa i madh dhe i pazëvendësueshëm është Ukshin Hoti në kuptimin njerëzor, politik, patriotik, filozofik, kulturor, edukativ dhe shkencor.

Ndoshta madhështinë e tij të vërtetë do ta kuptojnë pasardhësit tanë, nëse çlirohen nga marrëzia jonë dhe bëjnë një hap zhvillimor përpara.

Sepse jo vetëm vepra e tij, por edhe jeta e tij ishte sa e dhimbshme po aq madhështore.

Ne mbi shkëlqimin e jetës dhe veprës së tij do të derdhim lot gëzimi, krenarie dhe trishtimi vetëm kur ta kuptojmë se sa largpamës ishte ky njeri.

Unë mund të shkruaj për çdo shqiptar të famshëm me distancën e nevojshme dhe shëndetshme emocionale, por jo për Ukshin Hotin, Adem Jasharin dhe Adem Demaçin, edhe pse janë tre personalitete patriotike krejtësisht të ndryshme.

Sepse secili prej tyre, në mënyrën e vet, e la vulën e tij unike në historinë tonë të re dhe në historinë e re botërore.

Por çdo njeri normal që e njeh vërtetë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit do të derdhë gallona lotësh edhe gjatë përpjekjes për ta përshkruar golgotën e tij jetësore, me shkronja, fjalë, fjali dhe tinguj.

Drita e Zotit shqiptar Gjergj Kastriotit e ruajtë, e ndriçoftë dhe e ngrohtë mendjen dhe shpirtin e tij të madhërishëm, kudo që ndodhet.

YouTube player