Bota

Ukraina sulmon dy rafineri ruse dhe portin e Detit Baltik

Dronët ukrainas goditën një numër të vogël objektesh nafte të Rusisë gjatë natës, duke përfshirë dy rafineri nafte në rajonin e Samarës dhe një port në Detin Baltik që eksporton produkte nafte, njoftuan të shtunën guvernatorët vendorë rusë dhe një zyrtar i ushtrisë ukrainase.

Trupat e Kievit kanë shtuar sulmet ndaj depove dhe rafinerive ruse të naftës, burime këto kryesore të të ardhurave për buxhetin e luftës së Moskës, duke synuar ndonjëherë vende mijëra kilometra larg kufijve të Ukrainës, shkruan Reuters.

Në rajonin e Leningradit, i cili rrethon Shën Petersburgun dhe kufizohet me Finlandën, Guvernatori Alexander Drozdenko tha se një zjarr ishte shuar në portin Vysotsk, ku gjendet terminali Lukoil.

Lexo më shumë  Kryeministri i sapozgjedhur hungarez nis bisedimet me BE-në për fondet e ngrira

Në një deklaratë në Telegram duke pranuar sulmin në port, komandanti i forcave të dronëve të Ukrainës, Robert Brovdi, tha se forcat ukrainase sulmuan gjithashtu rafineritë e naftës në qytetet Novokuibyshevsk dhe Syzran në rajonin e Samarës. Të dy vendet janë goditur vazhdimisht gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ta bëjmë naftën ruse përsëri të madhe”, shkroi ai me sarkazëm.

Brovdi gjithashtu kritikoi vendimin e SHBA-së për heqjen e ndalesës për blerjen e naftës ruse. 

Lexo më shumë  Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit për shkak të bllokadës amerikane

Guvernatori i rajonit Samarë, Vyacheslav Fedorishchev, tha se objekte industriale u goditën duke mos cekur llojin e tyre. 

Sipas Brovdit, një seri sulmesh kohëve të fundit ndaj objekteve të naftës së Rusisë në Primorsk, Ust-Luga, Sheskharis, Tuapse ka ulur dërgesat totale ditore të naftës me rreth 880,000 fuçi. 

Sipas Brovdit, një depo nafte në Sevastopolin e pushtuar nga Rusia në Krime ishte gjithashtu cak sulmi i së shtunës.

YouTube player