Bota

Ukraina rrit shpenzimet për prodhimin e armëve vendore

Për brigadën e 28-të të Ushtrisë ukrainase, e cila është duke luftuar afër Bakhmutit, vonesat e furnizimeve me armatim të huaj nuk kanë paraqitur ndonjë problem për trupat deri më tash, “sepse janë në gjendje të përmbushin nevojat e tyre përmes prodhimit vendor”

Ukrainës i nevojitet gjithçka për ta zmbrapsur Rusinë nga territori i saj. Një pikë shprese është industria e saj e mbrojtjes, e vogël por që është duke u rritur shpejt. Industri kjo për të cilën qeveria është duke shpenzuar para me shpresën se një prodhim më i madh i armëve vendore do ta ndihmojë të ndërrojë rrjedhën e luftës me Rusinë. 

Kjo përpjekje është rritur shumë gjatë vitit të fundit, meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa u sforcuan në dërgimin e armëve dhe ofrimin e ndihmave të tjera për Ukrainën, e cila është duke luftuar kundër një ushtrie shumë më të madhe e me industri të mbrojtjes shumë më të zhvilluar.
Qeveria e Ukrainës ka dhënë gati 1.4 miliardë dollarë në vitin 2024 për të blerë dhe prodhuar armë vendore – 20 herë më shumë sesa para nisjes së pushtimit të plotë nga Rusia. 

Një ndryshim tjetër që po ndodh në Ukrainë është se një pjesë e madhe e armëve janë tani duke u blerë nga fabrikat private. Fabrikat private të prodhimit të armëve janë duke u përhapur me shpejtësi në gjithë territorin e vendit duke ndryshuar industrinë që deri më tash ka qenë e dominuar nga kompanitë shtetërore. Një fabrikë private e mortarëve (armë për hedhjen e predhave) që ka nisur punën vitin e kaluar në Ukrainën Perëndimore është duke prodhuar rreth 20 mijë predha në muaj. 
“Ndiej se jemi duke iu afruar fitores”, ka thënë pronari i fabrikës, Anatolli Kuzmin, 64-vjeçar, i cili dikur ka prodhuar vegla për ferma dhe është larguar nga shtëpia e tij në jug të Ukrainës pasi Rusia nisi pushtimin e plotë në vitin  2022. 

Megjithatë, sektori i mbrojtjes së Ukrainës është i kufizuar nga mungesa e parave dhe ushtarëve – e nganjëherë edhe nga rregullat e panevojshme qeveritare që ndikojnë në rezultate, kanë vlerësuar ushtarakët e lartë ukrainas. Një sektor privat më i fuqishëm mund të ndihmojë në çrrënjosjen e mosefikasitetit dhe t’ua mundësojë fabrikave të krijojnë armë dhe municione më shpejt.  

Rusia kontrollon gati një të katërtën e territorit ukrainas dhe ka arritur momentumin përgjatë vijës së frontit prej 1000 kilometrash duke treguar gatishmëri për ta zgjeruar më shumë numrin e trupave për të avancuar sadopak. Ushtria ukrainase rregullisht e gjen veten më të dobët në numër dhe armë dhe kjo ka ndikuar në uljen e moralit të ushtarëve.

“Ka nevojë për mortarë jo pas tre vjetëve, por menjëherë, madje edhe një ditë më herët”, ka thënë Taras Chmut, drejtor i fondacionit “Come Back Alive”, organizatë që ka mbledhur më shumë se 260 milionë dollarë gjatë dekadës së fundit për t’i furnizuar trupat ukrainas me armë, automjete të blinduara dhe gjëra të tjera të nevojshme.  

Lexo më shumë  Nga dollarët, te municionet, armët dhe dronët, shpallet nesër paketa e ndihmës 6 mld USD për Ukrainën

Sipërmarrësit e kohës së luftës 

Kuzmini, pronari i fabrikës së mortarëve, është larguar nga qyteti jugor Melitopol në vitin 2022, pasi Rusia ka nisur pushtimin dhe kur trupat ruse ia kanë sekuestruar fabrikën, e cila prodhonte vegla për ferma. Ai kishte filluar të krijonte një prototip të predhave mortare pak pasi Rusia kishte nisur pushtimin e Ukrainës në vitin 2014, në kohën kur e mori ilegalisht pjesën e Krimesë. 

Kuzmini dimrin e kaluar e ka marrë përsipër një magazinë të madhe në perëndim të Ukrainës. Qëllimet e tij afatgjata përfshijnë rritjen e prodhimit deri në 100 mijë predha në muaj dhe krijimin e motorëve dhe eksplozivëve për dronë. 

Ai është një në mesin e shumë sipërmarrësve që ka transformuar industrinë e mbrojtës ukrainase, e cila ishte e dominuar nga ndërmarrjet shtetërore pas ndarjes së Bashkimit Sovjetik. Sot rreth 80% e industrisë së mbrojtjes ukrainase është në duart e ndërmarrjeve private – që tregon kontrast të fortë me industrinë e mbrojtjes shtetërore të Rusisë. 

Çdo predhë e bërë mbështillet me letër dhe paketohet në kuti të drurit, pastaj dërgohen në Romani ose Bullgari, të cilat janë të ngarkuara me eksplozivë. Disa javë më vonë ato ridërgohen në Ukrainë dhe pastaj dërgohen në vijën e frontit. 

“Ëndrra jonë është të themelojmë një fabrikë për eksplozivë”, ka thënë Kuzmini, i cili është duke kërkuar një partner për ta bërë këtë gjë. 

Pengesat për zhvillim

Rritja e shpenzimeve të ushtrisë ukrainase ka ndodhur pas bllokimit të ndihmës 60-miliardëdollarëshe nga Kongresi dhe pasi vendet evropiane nuk arritën të dërgojnë mjaftueshëm armatim. 

“Edhe pse transformimi i sektorit të mbrojtjes së Ukrainës është mbresëlënës, vendi nuk ka asnjë shans për ta mposhtur Rusinë pa ndihmën e Perëndimit”, ka thënë Trevor Taylor, studiues në institutin “Royal United Services” me bazë në Londër. “Ukraina nuk është në gjendje të prodhojë armatimin e nevojshëm për këtë luftë. Bllokimi i ndihmës amerikane prej 60 miliardë dollarësh është duke rezultuar me të vërtetë në një pengesë domethënëse”. 

Rusia gjithashtu është duke shpenzuar më shumë para në industrinë e mbrojtjes, rritja e së cilës ka ndihmuar në ruajtjen e ekonomisë pas barrës së shkaktuar nga sanksionet e Perëndimit. Ministri i Mbrojtjes ruse, Sergei Shoigu, kohëve të fundit është mburrur me rritjen e madhe të prodhimit të tankeve, dronëve dhe municioneve. 

“Tërë vendi është çuar në këmbë dhe është duke punuar për fitoren tonë”, ka thënë ai. 

“Në krahasim me vitin e kaluar, prodhimi i predhave mortare të Ukrainës është rreth 40 herë më i lartë dhe prodhimi i municioneve për artileri gati është trefishuar”, ka thënë Oleksandr Kamyshin, ministër i Industrisë Strategjike të Ukrainës.

Lexo më shumë  Izraeli gati për sulm në Rafah, ushtria vendos tanke në kufi me Gazën

Gjithashtu ka pasur rritje të startup-eve të dronëve, derisa Qeveria është duke financuar gati 1 miliard dollarë në teknologji – në kuadër të buxhetit të saj të mbrojtjes. 

“Për një muaj ne tani prodhojmë më shumë sesa dikur që prodhonim për një vit”, ka thënë Vladislav Belbas, drejtor i përgjithshëm i “Ukranian Armor”, e cila prodhon automjete ushtarake. 

Për brigadën e 28-të të ushtrisë ukrainase, e cila është duke luftuar afër Bakhmutit, vonesat e furnizimeve me armatim të huaj nuk kanë paraqitur ndonjë problem për trupat deri tash, “sepse jemi në gjendje të mbushim nevojat tona përmes prodhimit vendor”, ka thënë bashkiaku Artem Kholodkevych.

Prapëseprapë, fabrikat që prodhojnë armë vendore ballafaqohen me një gamë sfidash – nga mbajtja në hap me nevojat në ndryshim të komandantëve të fushëbetejës, deri te dobësia e tyre ndaj sulmeve raketore ruse me rreze të gjatë. 

Por ndoshta pengesa më e madhe është mungesa e trupave ushtarake. 

Yaroslav Dzera, i cili menaxhon një nga fabrikat e “Ukranian Armor”, ka thënë se ka probleme me rekrutimin dhe mbajtjen në punë të punëtorëve të kualifikuar, sepse shumica prej tyre janë mobilizuar për të luftuar. 

Tejkalimi i sfidave

Kompanitë e armëve kanë thënë se një pengesë tjetër është rritja e burokracisë.

Qeveria është përpjekur për t’u bërë më efikase që nga fillimi i luftës, duke përfshirë bërjen transparente të procesit të saj për dhënien e kontratave. Por zyrtarët kanë thënë se vendi ka shumë punë për të bërë.

Pak pas zëvendësimit të ish-gjeneralit të lartë Valerii Zaluzhnyi nga presidenti Volodymyr Zelenskyy, Zaluzhnyi ka theksuar problemin, duke thënë se sektori i mbrojtjes së Ukrainës mbetet i padobishëm për shkak të shumë rregulloreve dhe mungesës së konkurrencës.

Në mesin e sfidave, një tregim i suksesshëm ka qenë industria e dronëve të Ukrainës. Dronët detarë vendorë kanë treguar të jenë armë efikase kundër flotës detare ruse në Detin e Zi.

Ka rreth 200 kompani në Ukrainë që janë të fokusuara te prodhimi i dronëve dhe prodhimi i tyre është rritur – me 50 herë më shumë dërgesa në dhjetor në krahasim me vitin e kaluar, sipas Mykhailo Fedorov, ministër i transformimit digjital në Ukrainë. 

“Lufta e Rusisë në Ukrainë nuk është garë se kush ka dronë ose raketa më të mira”, ka thënë Serhii Pashynskyi, kreu i asociacionit të prodhuesve kryesorë ukrainas të industrisë së mbrojtjes.

“Ne jemi në luftë vetëm me dy burime të Rusisë – numrin e ushtarëve dhe paratë. Dhe nëse mësohemi t’i përdorim këto dy burime të thjeshta, do të fitojmë. Nëse jo, do të kemi probleme të mëdha”.

YouTube player