Ukraina ka shkatërruar urën e tretë në Kursk
Moska ka konfirmuar se forcat ukrainase kanë dëmtuar urën e tretë, pasi kishin goditur dy të tjera në ditët e fundit, të përdoruara për furnizimin e trupave.
Ndërkaq, zyrtarë ukrainas kanë deklaruar se po e arrinin qëllimin në inkursionin dy-javor në rajonin e Kurskut të Rusisë, raporton Reuters.
Kievi zyrtar ka thënë se ka kapur mbi 80 vendbanime në një sipërfaqe prej më shumë se 1,150 km katrorë në Kursk që nga fillimi i një sulmi të befasishëm më 6 gusht, sulmi më i madh ndaj Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar të dielën në mbrëmje se sulmi në rajonin e Kurskut në kufi me Ukrainën lindore ka për qëllim krijimin e një tampon zone dhe prishjen e makinës luftarake të Moskës, më shumë se dy vjet që nga pushtimi i plotë i Rusisë.
“Ne po i arrijmë qëllimet tona”, ka shkruar ai në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Shefi i forcave ajrore të Kievit ka thënë të dielën se forcat e tij kishin shkatërruar dy ura ditët e fundit për të dobësuar logjistikën e armikut.
Rruga Press