Bota

Ukraina ka rrëzuar 11 dronë rusë gjatë natës

Rusia lëshoi katërmbëdhjetë dronë sulmues dhe pesë raketa në Ukrainë gjatë natës, bëri të ditur forca ajrore e Ukrainës më 25 janar. Ajo shtoi se njëmbëdhjetë prej tyre u rrëzuan.

Qyteti-port, Odesa, u sulmua dy herë nga dronët rusë gjatë natës, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper në Telegram.

Rusia shënjestroi gjithashtu Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, me pesë raketa të drejtuara kundërajrore S-300, tha mbrojtja ajrore.

Kiper tha në Telegram se në qytetin-port të Detit të Zi u plagosën gjashtë persona.

“Me gjithë punën efektive të mbrojtjes ajrore për të zmbrapsur sulmet e armikut, për fat të keq, një objekt industrial u godit në Odesa, kurse u dëmtuan ndërtesat e banimit dhe infrastruktura civile”, tha Kiper.

Lexo më shumë  Macroni ripërsërit se nuk e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë

Lidhur me këtë nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Rusia.

Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa mbi infrastrukturën civile në Ukrainë, duke vrarë e plagosur shumë persona si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit, në qytetet ukrainase.

Lexo më shumë  NATO akuzon Rusinë për kërcënim të sigurisë në territorin e Aleancës

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka shtuar thirrjet drejt aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre brenda dhe jashtë Ukrainës.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Rruga Press

YouTube player