Udhëheqjes klimatike i duhen më shumë gra
Derisa negociatat përfundimtare për Kornizën e re Globale të Biodiversitetit po vazhdojnë dhe derisa po i afrohemi Konventës së sivjetme të OKB-së për Diversitetin Biologjik (CBD COP15) në Kunming të Kinës, e kemi për obligim që t’i adresojmë këto dështime. Nëse nuk sjellim më shumë gra në tryezë, atëherë katastrofa klimatike është pothuajse e garantuar
“Sa më lart që ngjitesh; aq më pak gra aty janë”. Ky vështrim i laureates së çmimit Nobel për Paqe dhe mbrojtjes së mjedisit, Wangari Maathai, e pasqyron realitetin e njohur për të gjitha gratë që kanë synuar poste udhëheqëse, dhe ka përfituar një kuptim të ri për mua teksa kriza klimatike është intensifikuar. Ndonëse është veçse e qartë që gratë dhe vajzat do të përballen me rreziqe më të larta dhe ngarkesa më të mëdha për shkak të ndryshimeve klimatike, ato mbeten theksueshëm të nënpërfaqësuara në negociatat për klimën dhe mjedisin.
Më 2019, Raporti i Kombeve të Bashkuara mbi Përbërjen Gjinore ka vënë në pah se numri i grave të përfaqësuara në organet e Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike nuk ishte në përputhje me përpjekjet për ta krijuar një ekuilibër gjinor. Si përgjigje, shtetet anëtare e miratuan një plan të veprimit gjinor në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP25) në vitin 2019. Plani ka identifikuar se “pjesëmarrja dhe udhëheqja e plotë, kuptimplotë dhe e barabartë e grave në të gjitha aspektet e procesit të UNFCCC-së në Politika dhe veprime klimatike të nivelit lokal është jetik për përmbushjen e synimeve afatgjate klimatike”.
Dhe megjithëkëtë, deri në kohën e mbajtjes së COP26-së rreth dy vjet më vonë, pak çka ka ndryshuar. Udhëheqja e COP26-s nga Mbretëria e Bashkuar ishte dominuar nga burrat dhe vetëm 11 nga 74 përfaqësuesit afrikanë ishin gra. Për më tepër, Konventa e OKB-së për Diversitetin Biologjik duket se po e shpërfaqë tendencën e ngjashme, teksa negociatorët burra i tejkalojnë në numër negociatoret gra për rreth 60.
Dështimi për ta siguruar përfaqësimin e barabartë dhe pjesëmarrjen e grave në përpjekjet për të luftuar ndryshimin klimatik dhe humbjen e biodiversitetit është shkurtpamës, në rastin më të mirë, dhe potencialisht i pamatur. Problemi është njashtu përherë e më urgjent. Muajin e shkuar, delegatë nga e gjithë bota u mblodhën në Gjenevë për njërin prej raundeve përfundimtare të negociatave për ta përmbyllur Kornizën e re Globale të Biodiversitetit të OKB-së. Me synimin e përshpejtimit të veprimit për ndaljen e humbjes së mëtejshme të specieve dhe për luftimin e ndryshimeve klimatike, këto takime do ta formësojnë përgjigjen globale të të dyja krizave për vitet në vijim.
Raportet e fundit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike e kanë demonstruar shkallën e këtyre krizave. IPCC-ja ka dokumentuar qartësisht se aktivitetet njerëzore janë duke e ngrohur sipërfaqen e planetit tonë, duke shpjerë në ndryshimin e shpejtë të sistemeve të motit, në humbjen e biodiversitetit dhe në rritjen e pasigurisë së burimeve. Deri në vitin 2100, 50 për qind e specieve të shpendëve dhe gjitarëve në Afrikë mund të zhduken. Jemi duke hyrë potencialisht në etapë të zhdukjes së gjashtë masive, dhe nëse problemi lihet i pakontrolluar, burimet tona të ushqimit, të ujit dhe të ilaçeve do të ballafaqohen me rrezik gjithnjë e më të madh.
Gratë përbëjnë shumicën e të varfërve në botë dhe janë të prekura në mënyrë joproporcionale nga këto kriza. Në botën në zhvillim, ato janë jashtëzakonisht përgjegjëse për sigurimin e ushqimit dhe ujit për familjet e tyre, dhe rëndom e marrin përsipër drejtimin në mbledhjen e karburantit dhe të menaxhimit të amvisërive. Gratë njashtu përbëjnë gati gjysmën e fermerëve të vegjël në botë, duke e prodhuar 70 përqindëshin e ushqimit në Afrikë.
Duke qenë si të këtilla, gratë dhe vajzat janë rëndom të parat që e përjetojnë realitetin e ashpër të ndryshimit klimatik. Porse, shkaku i pabarazive të kudopërhapura që e kufizuan qasjen e tyre në arsim dhe përkujdesje shëndetësore, shkallën e pabarabartë të punësimit dhe nivelin e ulët të përfaqësimit në poste publike, ato kanë më pak gjasa sesa burrat që të jenë në gjendje të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse.
Nëse dy vjetët e fundit na kanë treguar ndonjë gjë, atëherë kjo është se udhëheqja e grave është jetike në kohë turbullirash. Sipas një studimi të fundit të kryer në 194 vende, përgjigjet e menjëhershme kundruall pandemisë së COVID-19 sistematikisht ishin më të mira në vendet që për udhëheqëse i kishin gratë. Po kështu, studimi ka treguar se “përfaqësimi i grave i shtyn vendet që të miratojnë politika më të rrepta rreth ndryshimeve klimatike”, dhe se shkalla e lartë e përfaqësimit të grave në parlamente e bën më të mundshëm që një vend të ratifikojë traktatet ndërkombëtare mjedisore.
Gratë sjellin në tryezë diskutimesh jo vetëm ambicie, por edhe këndvështrime dhe përvoja të ndryshme. Si rezultat i kësaj, kontributet e tyre përfundimisht shpijnë drejt politikave më të nuancuara dhe më gjithëpërfshirëse mjedisore.
Në Afrikë, rëndësia e udhëheqjes së grave kundruall ndryshimeve klimatike dhe humbjes së biodiversitetit është e qartë për këdo që shikon. Në Nigeri, ministrja për Mjedisin, Sharon Ikeazor, ka mbrojtur Koalicionin e Ambicieve të Larta për Natyrën dhe Njerëzit dhe ka insistuar që subvencionet për karburante fosile të zëvendësohen me investime në zhvillimin e qëndrueshëm, me nivel të ulët karboni. Në Ruandë, ministrja e Mjedisit, Jeanne d’Arc Mujawamariya, është lavdëruar për përpjekjet e saj gjithëpërfshirëse mbi ruajtjen e pyjeve. Në Çad, aktivistja e mjedisit, Hindou Oumarou Ibrahim, vazhdon të jetë mbrojë komunitetet lokale të Afrikës dhe popujt indigjenë në nivelet më të larta të OKB-së. Dhe këtu në Freetown, jemi duke mbjellë një milion drunj gjatë tri sezoneve me shi për të promovuar qëndrueshmërinë klimatike dhe krijimin e vendeve të gjelbra të punës.
Krejt këto gra, përfshirë edhe mua, kanë përkrahur fushatën globale “30×30” për mbrojtjen e 30 përqindëshit të sipërfaqes së tokës deri në vitin 2030. Përmbushja e këtij synimi do ta parandalonte shkatërrimin e mëtejshëm të ekosistemit, teksa përpjekja mund të shpjerë drejt marrëveshjes së parë globale të arritur ndonjëherë për ndalimin e shkatërrimit të natyrës.
Shumë më tepër gra janë duke i luftuar humbjen e biodiversitetit dhe ndryshimet klimatike, përfshirë ato indigjene që i përdorin njohuritë e tyre unike mbi tokën për kultivime më të qëndrueshme dhe për t’i mbrojtur ekosistemet e brishta, ndërsa politikanët aspirues konkurrojnë në platforma të integruara të politikave që i ndërlidhin shëndetin riprodhues, arsimin dhe mbrojtjen e mjedisit. Ata që veçse janë në pozita udhëheqëse duhet të sigurojnë që këtyre grave t’u jepet një shans për të kontribuar.
Shumëçka ka ndryshuar që nga viti 2004, kur Maathai e fitoi Çmimin Nobel për Paqe rreth kontributeve të saj në zhvillimin e qëndrueshëm, demokraci dhe paqe. Emetimet janë rritur, ndërsa ngjarjet ekstreme të motit janë shtuar si në frekuencë ashtu edhe në intensitet. Por shumëçka edhe ka mbetur e njëjtë: gratë vazhdojnë të përjashtohen nga postet drejtuese dhe bota vazhdon që të paguajë çmimin për këtë.
Derisa negociatat përfundimtare për Kornizën e re Globale të Biodiversitetit po vazhdojnë dhe derisa po i afrohemi Konventës së sivjetme të OKB-së për Diversitetin Biologjik (CBD COP15) në Kunming të Kinës, e kemi për obligim që t’i adresojmë këto dështime. Nëse nuk sjellim më shumë gra në tryezë, atëherë katastrofa klimatike është pothuajse e garantuar./Koha.net/
Rruga Press