U shkëputen kontratat 20 serbëve që merrnin paga pa punuar në Ministrinë e Mjedisit
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se u ka shkëputur kontratat 20 punëtorëve serbë në këtë ministri që nuk dilnin në vendin e punës. Pacolli ka thënë se ata njiheshin si pjesëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile” që parashihej të shuhej me Marrëveshje të Brukselit e që më vonë u shpall organizatë terroriste. Sipas njoftimit, ata ishin të punësuar që nga viti 2016.
Në një shkrim në Facebook të premten, ministrja në detyrë ka thënë se shkëputja e kontratave vjen pas mungesës së vazhdueshme në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës së Auditimit.
“Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPH-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, ka shkruar ajo.
Pacolli ka thënë se këta zyrtarë ishin të punësuar në ministri që nga 5 janari 2016.
“Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës”, vijon shkrimi i saj.
Pacolli u zotua të vendosë ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike.
“Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, përfundon shkrimi i Pacollit.
Organizata “Mbrojtja Civile” ishte shuar pas një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia patën arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj u integruan në institucionet e Kosovës. Megjithatë, prej asaj kohe institucionet e Kosovës kanë pasur dyshime se kjo organizatë vazhdon të funksionojë.
E në vitin 2023, Qeveria e Kosovës pati shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – pas sulmeve që ndodhën ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it e gazetarëve në fund të majit të atij viti kur kryetarët shqiptarë synuan të hynin në objektet e komunave në veri pasi serbët i bojkotuan zgjedhjet.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shpenzuar rreth gjysmë milioni euro për 61 punonjës të komunitetit serb, të cilët ishin sistemuar në bazë të vendimit të Qeverisë nr. 06/39 të vitit 2015, me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.
Sipas raportit mungon evidenca e qartë për vijueshmërinë e tyre në vendin e punës.
“Ministritë përkatëse i kanë vendosur në listën e pagave këtë kategori të punonjësve para krijimit të kushteve/hapësirave fizike për punë, sistemim, angazhim dhe monitorim të tyre, që i bën këto pagesa të parregullta. Punonjësit e angazhuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2025 nuk janë të sistemuar në pozita të rregullta dhe, sipas të dhënave të disponueshme, nuk ushtrojnë aktivitet në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA-ja ka vlerësuar se pavarësisht gjetjeve nga ky institucion, rekomandimi i tyre për këtë çështje vazhdon ndër vite të mos zbatohet.
“Sa i përket zbatimit të rekomandimeve, raportet e auditimit tregojnë se pavarësisht progresit të evidentuar, niveli i zbatimit mbetet ende i pamjaftueshëm. Një numër i konsiderueshëm i tyre përsëritet nga viti në vit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA-ja pati kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për këta punonjës duke shtuar se duhet të ndërmerren veprime në përputhje me kërkesat ligjore.
Vetëm për punonjësit serbë të MMPH-së nga viti 2020 deri në vitin 2025, janë shpenzuar gjithsej 2.1 milionë euro.
Sipas ZKA-së, edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka paguar rreth 120 mijë euro për 19 punonjësit serbë që nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë gjatë vitit 2025.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, paga pa shkuar në punë marrin edhe mbi 100 punonjës të tjerë të komunitetit serb të sistemuar në katër ministri.
Rruga Press

