U rritën eksportet e bimëve medicinale/ Pandemia rriti kërkesën për çaj sherbele dhe boronicë
Pandemia duket se nuk solli krizë në industrinë e bimëve aromatike mjekësore. Përkundrazi Covid-19 e shtyu Europën dhe Amerikën të konsumante më shumë çaj sherebele dhe boronice.
Mbyllja e kufijve bllokoi emigrimin, për pasojë në Shqipëri u kultivua më shumë bimë mjekësore, duke rritur kështu 10% eksportin e bimëve mjekësore.
“Pati një rritje rreth 10-12% ndërkohë që viti nuk është mbyllur akoma. Ne parashikojmë që këtë vit të shkojmë rreth 50 milion dollarë. Këtë rritje e siguroi larmia e bimëve që kemi dhe kërkesat e tregut botërore. Arsyeja e dytë është se këtë vit nuk patëm emigracion që do të thotë që u kultivua dhe u volën më shumë bimë aromatike mjekësore. ”
Sipas eksportuesit, Xhevit Hysenaj, bimët e egra që kërkohen më së shumti në Europë nuk po arrihen të mblidhen dhe shkak për këtë është mungesa e lejes së grumbullit që duhet të lëshohet nga ministria e mjedisit.
“Në Durrës kemi tre vite që nuk po marrim dot lejen e grumbullimit të bërsinës së zezë. Arsyeja e vetme është se nuk do specialisti që është në zonën e Durrësit. ”
Agjencia e Zhvillimit Rural dhe Bujqësor e ka përjashtuar këtë industri nga skemat e IPARDIT. Ndërkohë që sipas Xhevit këto fonde po merren nga kompani që ndryshojnë emrin dhe llojin e industrisë.
“AZHBR nuk arriti që të mbante pretimin që i dha industrisë së përpunimit të bimëve mjekësore, ku do t’i përfshinte tek skemat e fondeve të BE-së. Është e vërtetë që disa kompani kanë marrë, por ndryshuan emrin nga industri e bimëve mjekësore në fruta pylli. I njëjti fenomen sic ndodhi me shqiptarët në Greqi kur ndërruan emrin. “