KryesoreLajme

U kritikua ashpër nga ndërkombëtarët për proces zgjedhor fars, Vuçiç me skenar të ri për t’u shfajësuar: Jemi të pastër, na ka ndërhyrë një vend i rëndësishëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka hartuar një letër të rëndësishme për ndikimin dhe ndërhyrjen e një vendi të rëndësishëm në procesin zgjedhor të Serbisë në mënyrën më brutale. Këtë akuzë të tij, Vuçiçi e përdor për të kamofluar se zgjedhjet në Serbi ishin një proces fars e kësisoj kërkon arsye për të ndryshuar retorikën ndaj ndërkombëtarëve. Ai nuk e specifikoi se cilit shtet po i referohej për këtë akuzë të rëndë.

“Do të kryhet deri në Vitin e Ri dhe më pas do ta dërgojmë në mbarë botën që të shihet se si bëhet një ndërhyrje e tillë në procese që i përkasin një vendi të pavarur sovran”, tha Vuçiq të enjten.

Vuçiç tha, po ashtu, se zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor “ishin më të pastrat dhe më të drejtat deri më tani”.

Lexo më shumë  NATO nis stërvitjen më të madhe të forcave speciale në Evropë

Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke pretenduar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) është rezultat i vjedhjes së votave.

Një ekip vëzhgues ndërkombëtar i përbërë nga anëtarë të Misionit të OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Parlamentit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, vuri në dukje “parregullsi serioze” gjatë zgjedhjeve në Serbi.

Pas këtyre vlerësimeve kanë reaguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim Oliver Varhelyi. Më 19 dhjetor, ata i bënë thirrje Serbisë që të “përmirësojë ndjeshëm” procesin zgjedhor.

Më 19 dhjetor, Serbisë i bënë thirrje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i hetuar pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsi zgjedhore.

SNS-ja në disa raste ka hedhur poshtë akuzat për ndryshim të vullnetit zgjedhor dhe parregullsi.

YouTube player