Gjeopolitikë

Turqia një hap më pranë anëtarësimit të Suedisë në NATO

Suedia u gjend të martën një hap më pranë anëtarësimit në NATO, pasi komisioni i marrëdhënieve me jashtë i parlamentit turk i dha dritën jeshile protokollit për anëtarësimin e këtij vendi nordik në aleancën ushtarake perëndimore.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan hoqi dorë nga kundërshtitë për anëtarësimin e Suedisë gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në korrik, por sidoqoftë iu deshën disa muaj për ta dërguar projektligjin në parlament për ratifikim, si dhe disa javë të tjera që komisioni parlamentar të jepte miratimin e tij.

Protokolli duhet të miratohet tashmë nga e gjithë asambleja e përgjithshme dhe mbetet për t’u parë se sa shpejt do të merret në shqyrtim kjo çështje .

Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga statusi neutral që mbanin prej dekadash dhe kërkuan anëtarësimin në NATO, ndërkohë që janë shtuar shqetësimet e sigurisë pas sulmit të forcave ruse në Ukrainë në shkurt 2022. Finlanda u bë vendi i 31-të i NATO-s më herët këtë vit, pasi parlamenti turk ratifikoi kërkesën e saj për anëtarësim.

Hungaria, vendi tjetër i NATO-s që nuk ka dhënë miratimin për anëtarësimin e Suedisë, nuk ka njoftuar se kur mund të ndodhë ratifikimi.

Por cilat janë çështjet që kanë mbajtur pezull anëtarësimin e Suedisë në NATO, arsyet përse Turqia ra më në fund dakord dhe hapat që priten në vazhdim?

PËRSE E KA VONUAR TURQIA MIRATIMIN E KËRKESËS SË SUEDISË?

Kundërshtitë e Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO bazohen tek përshtypja e krijuar se ky vend nordik është treguar më i butë se ç’duhet me mbështetësit e militantëve kurdë dhe grupet e tjera në Suedi, të cilat Ankaraja i shikon si kërcënime ndaj sigurisë së saj. Ndër këto grupe janë persona të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është angazhuar në kryengritje që prej 39 vitesh në Turqi, si dhe persona që mendohet të kenë lidhje me përpjekjet për grusht shteti në vitin 2016 ndaj qeverisë së Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Turqia, Suedia dhe Finlanda arritën një marrëveshje vitin e kaluar në përgjigje të shqetësimeve të Ankarasë për sigurinë dhe Suedia mori më pas masa për të ashpërsuar legjislacionin e saj kundër terrorizmit, duke vendosur një dënim me deri në tetë vite burgim për personat që mbështesin organizata ekstremiste.

Lexo më shumë  Si i përdor Rusia kishat për të zgjeruar ndikimin në Ballkan?

Por, një seri protestash kundër Turqisë dhe kundër fesë islame që u mbajtën në Stokholm, në disa raste edhe me djegie të Kuranit, kanë zemëruar qeverinë e zotit Erdogan dhe publikun turk. Megjithëse këto protesta u dënuan nga qeveria suedeze, qeveria turke e kritikoi Suedinë, legjislacioni i së cilës mbron lirinë e shprehjes, për lejimin e shfaqjes së këtyre ndjesive anti-myslimane.

PËRSE HOQI DORË TURQIA NGA KUNDËRSHTITË E SAJ?

Ndërsa Suedia ashpërsoi legjislacionin e saj kundër terrorizmit në përgjigje të shqetësimeve të Ankarasë për sigurinë, NATO-ja ra dakord për krijimin e strukturës së një koordinatori të posaçëm kundër terrorizmit dhe emëroi në këtë post Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm, Tom Goffus.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha gjatë takimit të nivelit të lartë të aleancës në korrik se Suedia kishte rënë dakort “të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet për rigjallërimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE”. Suedia njoftoi se do të përmirësonte procesin e hyrjes në kufi dhe do të ndërmerrte hapa për lëvizjen e lirë pa viza për shtetasit turq në Evropë.

Bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE ngecën në vitin 2018 për shkak të hapave pas për demokracinë në këtë vend dhe situatës së të drejtave të njeriut.

Më herët këtë muaj, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u shpreh publikisht se anëtarësimi i Suedisë në NATO do të lidhej me përpjekjet e Ankarasë për të blerë avionët luftarakë amerikanë F-16 dhe i bëri gjithashtu thirrje Kanadasë dhe vendeve të tjera të NATO-s që t’i heqin embargot e vendosura për furnizimin me armë të Turqisë

Gjatë debatit të së martës në komisionin parlamentar, deputeti opozitar Oguz Kaan Salici vuri në pikëpyetje nëse qeveria turke ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara për shitjen e avionëve F-16.

Administrata e Presidentit Joe Biden e mbështet kërkesën e Turqisë për avionët F-16, por ka ende kundërshti të forta në Kongresin amerikan për shitjen e armëve Turqisë. Turqia dëshiron të blejë 40 avionë të rinj luftarakë F-16, si dhe pjesë këmbimi për modernizimin e skuadriljeve të saj ekzistuese.

ÇFARË NDODH NË VAZHDIM?

Miratimi nga komisioni parlamentar i çel rrugën asamblesë së përgjithshme për ta debatuar dhe ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Suedisë. Në vazhdim, projektligji duhet të nënshkruhet nga Presidenti Erdogan që të hyjë në fuqi.

Lexo më shumë  Si i përdor Rusia kishat për të zgjeruar ndikimin në Ballkan?

Nuk është bërë e qartë se kur do të futet projektligji për debat në asamblenë e përgjithshme.

Partia në pushtet e zotit Erdogan dhe partitë aleate kanë shumicën në parlamentin prej 600 deputetësh. Megjithatë, zoti Erdogan është shprehur se vendimi është në dorën e deputetëve. Aleatët e tij nacionalistë vazhdojnë të kenë pikëpyetje për anëtarësimin e Suedisë dhe i akuzojnë vendet e NATO-s për indiferencë ndaj rrezikut që përbën PKK-ja për Turqinë.

Këtë javë, militantët kurdë u përpoqën të hyjnë në një bazë turke në Irakun e veriut, duke vrarë 12 ushtarë gjatë luftimeve dyditore.

Partitë islamike, të zemëruara nga ajo që e perceptojnë si heshtje e Perëndimit ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë, mund të votojnë kundër projektligjit.

SI DO TË VEPROJË HUNGARIA?

Partia hungareze në pushtet, Fidesz, e udhëhequr nga Kryeministri populist Viktor Orban, i cili konsiderohet gjerësisht si një ndër aleatët e vetëm në BE të Presidentit rus Vladimir Putin, ka vonuar që nga korriku 2022 kërkesën e Suedisë për anëtarësimin në NATO, duke aluduar se politikanët suedezë kanë thënë “gënjeshtra revoltuese” për gjendjen e demokracisë në Hungari.

Sidoqoftë, as zoti Orban dhe as zyrtarët e tij të lartë nuk kanë dhënë ndonjë tregues se çfarë masash dëshirojnë të marrë Stokholmi për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të tyre për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore.

Disa kritikë e kanë akuzuar Hungarinë se po përdor mundësinë e vetos ndaj anëtarësimit të Suedisë si një mjet për të përfituar lëshime nga Bashkimi Evropian, që ka ngrirë miliarda fonde të destinuara për Budapestin, për shkak të shqetësimeve për të drejtat e pakicave dhe për funksionimin e shtetit ligjor.

Zyrtarët hungarezë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se vendi i tyre nuk do të jetë vendi i fundit që do të miratojë kërkesën e Suedisë për anëtarësim. Por, lëvizja e Ankarasë një hap më pranë ratifikimit sugjeron se koha për shtyrje të mëtejshme mund të jetë duke mbaruar.

Disa politikanë opozitarë në Hungari, të cilët kanë kërkuar miratimin e menjëhershëm të kërkesës së Suedisë, besojnë se partia e zotit Orban po ndjek axhendën e Ankarasë dhe se do ta votojë kërkesën sapo të bëhet e qartë se edhe Turqia po vepron po kështu.

YouTube player