Trumpi akuzohet për tentativë grusht-shteti dhe përpjekje për tjetersim të rezultatit zgjedhor
Komiteti i Kongresit udhëhiqet nga demokratët, të cilët formuan panelin pasi republikanët bllokuan përpjekjet për të ngritur një hetim të plotë të pavarur.
Ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump është akuzuar se ka organizuar trazirat e vitit të kaluar në Kapitol në një “tentativë për grusht shteti”. Mbështetësit e Trumpit sulmuan Kongresin më 6 janar 2021, ndërkohë që ligjvënësit u takuan për të vërtetuar fitoren zgjedhore të Joe Bidenit.
Pas pothuajse një viti hetimi, komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i udhëhequr nga Demokratët, u hap të enjten në mbrëmje duke shfaqur pjesë nga intervistat e kryera me anëtarë të rrethit të brendshëm të Trumpit.
Sipas BBC, pamjet u transmetuan nga dëshmia e ish-Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Bill Barr, duke u shprehur se ai i kishte thënë vazhdimisht ish-presidentit se kishte humbur zgjedhjet dhe pretendimet e tij për mashtrim ishin të gabuara.
“Ne nuk mund të jetojmë në një botë ku administrata aktuale qëndron në pushtet bazuar në pikëpamjen e saj, të pambështetur nga prova specifike, se ka pasur mashtrime në zgjedhje”-tha ish-prokurori i përgjithshëm.
Seanca dëgjimore paraqiti gjithashtu një regjistrim të dëshmisë nga Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit, duke thënë se ajo “pranoi” refuzimin e Barr të teorisë së konspiracionit të babait të saj. Përpara se hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve të hapej të enjten në mbrëmje (e para nga gjashtë seancat dëgjimore që priten këtë muaj) Trumpi e hodhi poshtë atë akuzat duke i quajtuar ato “mashtrim politik”.
Komiteti i Kongresit udhëhiqet nga demokratët, të cilët formuan panelin pasi republikanët bllokuan përpjekjet për të ngritur një hetim të plotë të pavarur. Vetëm dy republikanë përfaqësuesit e vendosur anti-Trump, Adam Kinzinger dhe Liz Cheney po marrin pjesë.
Qëllimi i komitetit është të sigurojë një përshkrim gjithëpërfshirës jo vetëm të trazirave të 6 janarit, por edhe të “përpjekjes së koordinuar, me shumë hapa” për të “përmbysur” rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Thompson, kryetar i komitetit dhe një ligjvënës i Misisipit, tha në seancën dëgjimorese 6 janari ishte një tentativë për grush shteti.
“6 janari ishte kulmi i një tentative grusht shteti, një përpjekje e pacipë, siç e tha një shkrimtar pak pas 6 janarit, për të përmbysur qeverinë. Dhuna nuk ishte rastësi. Ishte qëndrimi i fundit i Trumpit,”-tha ai.
Rruga Press