KryesoreLajme

Treni “Tiranë-Durrës” nuk niset as në 2025/ Shkelen afatet, kostoja rritet në 91.7 mln euro

Qeveria e ka premtuar disa herë hekurudhën Tiranë-Durrës, por deri në vitin 2026 qytetarët nuk do të kenë tren. Edhe ky afat mbetet i pasigurt, pasi përfundimi i projektit mund të shtyhet përtej 2026-ës.

Afatet e përcaktuara nga Hekurudha Shqiptare (HSH) për përfundimin e punimeve janë shkelur disa herë.

Vjet, Citizens raportoi se sipas HSH-së, afati i përfundimit të punimeve ishte shtyrë për tremujorin e parë të 2025-ës. Një vit më vonë “Rehabilitimi i Hekurudhës Durrës-Tiranë dhe ndërtimi i linjës drejt Rinasit” është 80% i përfunduar.

Pavarësisht vonesave, shteti shqiptar ka marrë tjetër kredi për punimet shtesë. Kostoja e projektit është rritur nga 69.6 milionë euro, (oferta fituese e kompanisë italiane INC S.P.A.), në 91.7 milionë euro.

Projekti financohet pjesërisht nga Bashkimi Evropian (€35.5 milionë) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (€36.87 milionë hua).

Ai parashikon rehabilitimin e 34.7 km të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e 5.4 km të reja deri në aeroport. Përveç trasesë për në Rinas, pjesa tjetër shfrytëzon kryesisht trasenë e linjës së vjetër hekurudhore.

Lexo më shumë  KLSH rekomandoi shkarkimin e Pirro Vengut: Raporti zbulon mbi 8 mln euro të ardhura të munguara, 205 mijë euro dëm ekonomik dhe shkelje financiare milionëshe në Portin e Durrësit

Megjithatë, rritja e kostove të materialeve dhe punimeve kërkoi fonde shtesë. Ato u siguruan nga një tjetër hua e BERZH-it. Kjo e çoi totalin e projektit në €140.8 milionë, – €77.5 milionë hua nga kjo bankë.

Këto vonesa kanë bërë që projekti të mos përfundojë brenda verës së vitit 2023, siç ishte planifikuar në fillim. As në vitin 2024 siç u tha më pas, e si duket as në vitin 2025 siç po thuhet tani.

Ppërfundimi i punimeve mund të arrihet në tremujorin e parë të 2025-ës. Por vendosja në punë e linjës së trenit pritet të kërkojë kohë shtesë, pasi aktualisht nuk janë ndërtuar ende stacionet.

HSH tha për Citizens.al se kontrata për ndërtimin e stacioneve do të nënshkruhet në tremujorin e parë të 2025-ës. Ndërsa për operimin e trenave pritet që paraprakisht të angazhohet një konsulent i huaj. Ky proces bën që nisja e udhëtimeve të parashikohet për t’u kryer brenda vitit të ardhshëm, pra vitit 2026.

Lexo më shumë  Si po shpenzon Republika Sërpska miliona dollarë për lobim në SHBA

Ndërkohë, mbetet pa punuar traseja 4 km nga Terminali (Kthesa e Kamzës) deri në qendër, parashikuar nga projekti i dytë. Njësoj dhe i ashtuquajturi stacion fundor parashikuar të ndërtohet “pranë ish-stacionit të vjetër në Bulevardin e Ri”. HSH tha se “pritet të finalizojë me BERZH-in çështjen e financimit brenda 6-mujorit 2025”.

Sipas projektit për hekurudhën Tiranë-Durrës, treni do të jetë elektrik me shpejtësi deri në 100 km/h. Kjo do ta bëjë kohën e udhëtimit drejt Durrësit për 22 minuta dhe drejt Rinasit, 12 minuta. Linja do të ketë 11 stacione. Duke nisur nga Durrësi vijojnë: Shkozet, Sukth, Vorë, Kashar, Laknas, Rinas dhe Terminali Tiranës.

Dy stacione të tjera janë planifikuar në segmentin shtesë deri te Bulevardi i Ri ku stacioni Nr.11 do jetë ai i stacionit fundor. /Citizens/

YouTube player