Tregimi për Korporatën Energjitike të Kosovës dhe LDK!
Nga Avni Zogiani
Të dy këto deklarata në fotot më poshtë mund të përshkruhen vetëm me një fjali: LDK-ja gjithmonë është viktimë, por në fakt është subjekti politik që gjuan gurin e fsheh doren.


Tashti për KEK disa fjalë!
Fshatrat e Fushë Kosovës dhe të Obiliqit, duke qenë se janë krijuar në mes të Fushës së Kosovës, dikur ishin fshatra me bujqësi intenzive.
Kjo ka ndryshuar në të 70tat kur në mes të këtyre vendbanimeve u krijuan dy minjera qymyri dhe dy termocentrale.
Këto fshatra u detyruan t’i vejnë në dispozicion të KEK të gjitha tokat dhe kështu banorët u kthyen nga bujq në punëtorë të Mihjeve dhe Termocentraleve.
Kur u themelua KEK kishte njëfar lloj marrëveshje me komunitetin që ky ndikim ekstrem në jetën e tyre të balancohej ashtu që KEK do të kishte priortitet punësimin nga vendbanimet përreth, gjë që edhe ndodhi! Po ju jap një statistikë, deri në fillim të të 90tave në KEK nga familja ime ishin të punësuar, gjyshi, babai im dhe katër axhallarët e mi, poashtu dy motrat e mia, por aty su futën dot vëllezërit e mi, që arritën moshën në të 90tat!
Pra, kushdo që arrinte moshën për punësim, nëse dëshironte futej në KEK, sepse ishte pikërisht KEK që kishte marrur tërë patundshmërinë e tyre për tu zhvilluar.
Dhe kështu vazhdoi deri në futjen e masave të dhunshme aty. Gjeneratat e reja që nga fillimi i të 90tave shumë pak arrinin të punësoheshin sepse korporata u vu nën menaxhim të dhunshëm.
Pas përfundimit të luftës qeveritë konsekuente ishin të PDK dhe LDK. Ndërkohë që në KEK kryesisht u pamundësua punësimi i banorëve që vuanin pasojat e kësaj korporate, KEK mbushej pa konkurse me të punësuar që vinin nga rajonet që nuk ishin ndikuar fare negativisht nga puna e kësaj korporate.
Sido që të jetë banorët e Fushë Kosovës dhe të Obiliqit kishin një histori të gjatë të bashkëjetesës me KEK, dhe kjo u reflektua para së gjithash në shkollimin që ata mernin, që ishte kryesisht në fushën e xehëtarisë, makinerisë dhe inzhinjerisë elektrike.
VETËVENDOSJE! kishte kohë që u kishte premtuar banorëve të këtyre dy komunave, por edhe Drenasit e Lypjanit se do të bëjë politika që do ta rihapnin korporaten pas gati 30 vjet mbylljeje për ta. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu!
Asgjë më shumë sesa hapja e konkurseve dhe vendosja e kritereve për shkollat përkatëse nuk është bërë. Dhe natyrshëm me tu bërë këto kritere përparësia iu rikthye atyre që kishin ndikimin më të madh negativ nga KEK, pra Fushë Kosovës dhe Obiliqit.
Ktë e kishte ndaluar për 25 vjet PDK e LDK, dhe nja 10-15 vjet përpara kësaj masat e dhunshme që u vendosën aty nga Serbia!
Urime për Fushë Kosovën e Obiliqin për kryetarët e rinj! U shkoftë mbarë!
Rruga Press

