Bota

Tre të shpëtuar nga rrënojat e tërmetit në Turqi rrëfejnë për tmerrin që përjetuan ndërsa kishin ngecur nën shtëpitë e tyre të shembura

Ekipet e shpëtimit janë ende duke nxjerrë njerëz të gjallë nga rrënojat, nëntë ditë pasi tërmetet goditën Turqinë – edhe pse shumë nga operacionet në dhjetë provincat e prekura janë fokusuar kryesisht në gjetjen e trupave të vdekur.

Dhe deri sa kërkimet vazhdojnë, disa njerëz mund të thuhet se kanë qenë “më me fat” se shumë të tjerë, në këtë katastrofë natyrore.

Në këtë drejtim, Al Jazeera ka sjellë rrëfimet e tyre, nga një spital shtetëror në Osmaniye, në Turqinë jugore.

Nga atje, disa të mbijetuar kanë folur për tmerrin e ngecjes nën shtëpitë e tyre të shembura, përcjell Telegrafi.

Gülhan Vişne, 17 vjeçe, nxënëse e shkollës së mesme

“Në fillim nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Unë vrapova drejt derës për t’u larguar nga ndërtesa dhe ndërtesa jonë njëkatëshe u shemb mbi ne [Gülhan dhe nënën e saj, Özlem]. Një gardërobë ra dhe më shtypi kyçin e këmbës”.

“Mendova se do të vdisja, se ishte e pamundur të dilja. Kishte shumë pak hapësirë, ishte plot pluhur dhe me të vërtetë e vështirë për të marrë frymë, unë ende po kollitem sepse pluhuri më ‘ka prekur’ mushkëritë”.

“Mund të dëgjoja nënën time duke bërtitur, ‘kızım! kızım! [Vajza ime! moj vajzë!] Ku je?’. Unë gjithashtu bërtisja, por nëna ime nuk mund të më dëgjonte pasi isha bllokuar shumë thellë brenda ndërtesës. Godita një derë me një gur për të bërë pak zhurmë”.

“Në fillim, askush nuk mund të vinte te unë pasi lëkundjet e mëpasme vazhdonin, njerëzit ishin të tronditur dhe vetëm nëna ime u përpoq të më ndihmonte. Edhe me brinjët e saj të thyera, ajo u përpoq të më nxirrte nga një vrimë që as një mace nuk mund të kalonte”.

“Përfundimisht, më shumë të afërm dhe shpëtimtarë erdhën në ndihmë. Nuk kishte dritë, vetëm drita nga telefoni im – shpëtimtarët po ndiznin një elektrik dore, sepse errësira më bënte të ndjeja frikë. Më dukej se isha me vite atje. Po mendoja për nënën time, sepse ajo ka kancer dhe isha e shqetësuar për të”.

“Ata [shpëtuesit] nuk mund të hiqnin rrënojat nga unë, kështu që gërmuan një tunel vërtet të vogël, por këmba ime ishte mbërthyer”.

“Po përpiqesha të motivoja veten – duke thënë me vete, ‘pothuajse ia ke dalë’ – por humba vetëdijen tri ose katër herë në ato orë. Por nuk kisha kohë për panik, thjesht po përpiqesha të përshkruaja situatën dhe të ndihmoja shpëtimtarët – ‘hiqe atë gur, zhvendose atë gardërobë, nxirre atë derë’. Po përpiqesha të jepja urdhra. Ishte kaq serioze, nuk mund të isha në panik. Unë isha e vetmja që mund të përshkruaja se si kisha ngecur”.

“Kisha rreth katër orë që isha poshtë, kisha aq shumë dhimbje, sa herë që më preknin isha në agoni”.

“Policia erdhi dhe më çoi në spitale të ndryshme, por ata ishin shembur – ndoshta tre ose katër spitale – dhe më në fund arrita këtu”.

Lexo më shumë  Publikohen pamjet se si luftojnë ushtarët e huajë në krah të ukrainasve kundër rusëve

“Më janë thyer kyçi i këmbës dhe kam thyer disa brinjë. Do të më bëjnë një operacion në kyçin e këmbës kur ënjtja të zvogëlohet sepse kocka është thyer. Do të vendosin disa pllaka dhe vida. Por telefoni im nuk u gërvisht [qesh]”.

“Pasgoditjet vazhdojnë ende disa herë në ditë. Më duket sikur një tërmet i madh do të ndodhë përsëri, kështu që kam frikë”.

“Ne po planifikojmë të shkojmë në Konya [në Turqinë qendrore] pasi të largohem nga spitali. Babai na ka marrë me qira një shtëpi atje, sepse këtu shumica e vendeve janë dëmtuar”.

Özlem Vişne, 37 vjeçe, nëna e Gülhan, punonjëse supermarketi

“Kur ndodhi [tërmeti], pas meje ishte një derë. Theva derën me gur dhe pashë pak dritë. U bërtita fqinjëve, ‘ju lutem na ndihmoni’, por edhe ata ishin të trembur. Më vonë, një pasgoditje zhvendosi disa mbeturina dhe pata mundësinë të dal”.

“Po përpiqesha të bërtisja me brinjë të thyera dhe të gjeja vajzën time. Si prindër, ne nuk shqetësohemi për veten, ne shqetësohemi për fëmijët tanë”.

“Vëllai im drejton një autobus shkolle. Kështu që ne qëndruam aty, dhe pasgoditjet vazhduan e vazhduan [fillon të qajë]”.

“Nuk mund të fle, edhe pse marr pilula. E kam të vështirë të hyj në ndërtesa, zakonisht pres jashtë spitalit. Kur dua të fle dhe të mbyll sytë, dëgjoj vetëm zërin e vajzës sime që bërtet për ndihmë”.

“Ka ende pluhur dhe papastërti të ngecur në veshin tim”.

“Ndërtesa jonë ishte një pronë me qira. Ne u transferuam vetëm disa muaj më parë dhe unë kisha blerë gjithçka të re për të me një kredi bankare, pasi po kaloj një divorc. Nuk arritëm të shpëtonim asgjë dhe unë i kam borxh rreth 20,000 lira turke [rreth 1,000 euro]”.

“Unë punoj në një supermarket, por po trajtohem edhe për kancerin e gjirit. Më duhet të punoj për të mbajtur fëmijët e mi… Është shumë e vështirë, por duhet të sillesh sikur je mirë dhe të përpiqesh të fshehësh gjendjen tënde reale mendore dhe fizike”.

“Nuk kemi marrë ende asnjë mbështetje psikologjike. Dhe mbështetja financiare nga shteti nuk është e mjaftueshme – ata do të na japin vetëm 2,000 lira [100 dollarë, në muaj] për mbështetje me qira – nuk mjafton”.

“Politikanët thjesht kalojnë nëpër spital dhe thonë ‘geçmiş olsun [shërohu shpejt]’, bëjnë disa foto dhe largohen. Ata nuk pyesin si jemi. Është vetëm për t’u dukur. Ata nuk kujdesen për ne”.

Marut Babaoğlu, 26 vjeç, mekanik makinash

“Isha zgjuar kur ndodhi tërmeti, zbrita me vrap nga shkallët e ndërtesës – isha në katin e pestë, janë gjithsej tetë kate. Arrita mes katit të dytë dhe të tretë, më pas ndërtesa u shemb dhe mbeta nën rrënoja në shkallët. Isha në një hapësirë mjaft të madhe sa të mund të kthehesha dhe të lëvizja pak, por dora më kishte ngecur. Ishte errësirë”.

Lexo më shumë  Kryeministri polak thotë se Polonia do të ndërtojë fortifikata në kufirin lindor

“Kur ndodhën pasgoditjet, kjo bëri që shkallët të lëviznin pak dhe unë lirova dorën. Unë thjesht flija, zgjohesha, flija, kjo është e gjitha. Koka ime ishte më e ulët se këmbët e mia, isha me kokë poshtë shkallëve dhe këmbët më mpiheshin sepse i gjithë gjaku më shkoi në kokë”.

“Pas më shumë se tre ditësh, më duhej të pija urinën time. Më erdhi aq etje sa u urinova në një këpucë dhe piva nga ajo. Pas pak, trupi im pushoi së pranuari urinën, më bëri të villja”.

“Përfundimisht, dëgjova makinat e ndërtimit, por nuk mund të dëgjoja zërat e njerëzve për një kohë”.

“Dëgjova makineritë, zhurma bëhej më e fortë pak nga pak dhe më jepte shpresë të vazhdoja. Mendova për të gjitha”.

“Kur dëgjova zëra, fillova të fishkëllej. U deshën 12 orë [nga ai që i dëgjoi] që ata të më përgjigjeshin”.

“Nga maja e ndërtesës së shembur, ata bënë një tunel që të më arrinin dhe të më nxirrnin jashtë”.

“Ndërsa po bënin tunelin, ata bënë një ‘vijë’ dhe ofruan disa ilaçe. U ndjeva më i rëndë, kështu që nuk mbaj mend shumë pas kësaj”.

”Zjarrfikësit nga Balikesir [një qytet në Turqinë veriore] më shpëtuan. Më zbuluan ditën dhe punuan për të më shpëtuar për nëntë orë, dhe kur u shpëtova ishte natë. Unë u shpëtova në ditën e katërt”.

“Isha në kujdes intensiv kur hapa sytë. Të gjithë që punonin atje u emocionuan shumë kur hapa sytë. Isha në shok, por njerëzit brohoritnin”.

“Më është dashur të bëja një operacion në dorë dhe bërryli im u lëndua, por nuk kam asnjë kockë të thyer. Kur dora ime u mbërthye, gjaku nuk më arriti në gishta, kështu që lëvizja ime është e kufizuar, por po përmirësohet. Mund të më duhet fizioterapi, do të shohim”.

“Por pasi u shpëtova, më thanë se nëna, babai dhe vëllai im kishin vdekur në rrënojat. Në Islam, ata konsiderohen dëshmorë – kështu që më jep pak ngushëllim se ata do të shkojnë në parajsë”.

“Në thelb, unë jam mirë. E vetmja gjë është se nuk mendoj se mund të jetoj përsëri në një ndërtesë [të ngjashme]”.

“Nuk kam nevojë për mbështetje psikologjike. Erdhën disa djem dhe ofruan mbështetje psikologjike dy ditë me radhë, por unë nuk doja të flisja”.

“Tani, nuk kam ndonjë plan të caktuar por dua të shkoj në Balikesir. Ekipi i shpëtimit më ftoi të shkojë atje dhe të punoja me ta. Kështu që po mendoj të krijoj një jetë të re në Balikesir”.

“[Pas kësaj përvoje] unë jam më afër Zotit, gjërat materiale nuk kanë rëndësi dhe njerëzit janë më të rëndësishëm për mua tani. E kuptoj që vdekja është aq afër, aq afër sa hunda jote. Mund të ndodhë në çdo kohë”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *