Tradhëtia e Ramës që fillon me rrafshimin e termave dhe kuptimeve
Vazhdon maratona e verbër e Ballkanit të Hapur me protagonist kryeministrin Rama, të cilit që në themel të të menduarit të tij i ka lindur vullneti i pathyeshëm për të rrafshuar çdo dallim në terma dhe kuptime, për të përfunduar nëpër klishera automatike që nuk thonë asgjë, veçse mirëmbajtje e mjerimit ku kryeministri e ka futur vendin.
Le ta analizojmë një nga frazat më të fuqishme për nga injoranca që ka thënë z. Rama në konferencën e përbashkët të Ballkanit të Hapur, në krah të presidentit serb Vuqiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
“Në Serbi akuza është që presidenti po punon për Shqipërinë e Madhe, në Shqipëri akuza është se po punohet për Serbinë e Madhe, në Maqedoni nuk e di. Por e vërteta është që secili prej nesh punon për një transformim në të madh në emër të paqes dhe prosperitetit”, ka thënë Rama në përfundim të konferencës.
Kryeministri ose gënjen me qëllim, ose gënjen pa qëllim; në këtë rast do ishte injorant. Por, cilido të jetë rasti kryeministri Rama ngelet gënjeshtar.
Kur z. Rama thotë se Vuqiçi akuzohet se punon për Shqipërinë e Madhe, kurse Rama për Serbinë e Madhe, ai po thotë që edhe populli serb që akuzon, edhe populli shqiptar që akuzon, janë po të dy injorantë të paditur, trushplarë dhe me prirje ekpansioniste fashiste.
Nga ana tjetër, kryeministri ynë, i dituri i kafes së lagjes, pohon për pasojë se ekziston një barazi kuptimore te Shqipëria e Madhe dhe Serbia e Madhe; që do të thotë se që të dy janë projekte fashizoide, mesjetare dhe gjenocidiale.
Z. Rama nuk ka provuar ndonjëherë të shqyrtojë dallimet mes dy popujve, atij shqiptar dhe serb, dhe mënyrën se si këta të dy akuzojnë liderin e tyre për mercenarizëm brenda një projekti të huaj.
Po ashtu, z. Rama nuk ka provuar të kuptojë se Shqipëria e Madhe është term ekspansionist i shpikur prej vetë serbëve dhe se objektivisht shqiptarët nuk mund të bëjnë veprime ekspansioniste, sepse me t’i bërë do të kuptonin se aty ku kanë shkuar si pushtues gjetën shqiptarë dhe se nga pushtues u kthyen aty për aty në çlirimtarë.
Serbia e Madhe është shpikje serbe dhe përmban projekt gjenocidial që zhduk popullsi autoktone dhe shtrin kufijt serb në Kosovë, Bosnje dhe Mal të Zi. Dhe poashtu, Shqipëria e Madhe është term i shpikur pikërisht nga vetë serbët, si kundërpeshë iluzive për Serbinë e Madhe.
Me pak fjalë, nëse Shqipëria do të bashkohet me Kosovën me 93% shqiptarë autoktonë, do të dalë Vuqiçi dhe do të thotë se kjo është Shqipëri e Madhe, prandaj po njësoj edhe serbët duhet të bëjnë Serbinë e Madhe duke marrë Republika Serbskan në Bosnje, mbasi u zhdukën boshnjakët me gjenocid dhe veriun e Kosovës, mbasi e shpopulluan dhunshëm përmes krimeve paramilitare.
Atë që Vuqiç në mënyrë pezhorative dhe duke i vënë ngarkesë ekspansioniste e quan Shqipëri e Madhe, ajo, në fakt, në projektin çlirimtar shqiptar quhet thjesht Shqipëri, kurse Republika aktuale e Shqipërisë është vetëm një tkurrje konceptuale, politike dhe gjeografike e Shqipërisë.
Kur të bashkohen shqiptarët në atë që quhet Shqipëri kjo do të bëhet rreth varreve të dëshmorëve çlirimtarë, kurse nëse bashkohet Serbia në Serbi të Madhe, kjo do të bëhet mbi varret e viktimave të gjenocidit serb.
E njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që e akuzojnë Ramën se po punon në projekt politik serb, në krahasim me serbët që akuzojnë Vuqiçin njëlloj.
Serbi që bën këtë akuzë nuk dëshiron raporte me një shqiptar, as edhe kur Serbia është në raport dominimi, kurse Shqipëria në pozicionin e shërbëtorit (lexo: vend ku nuk prodhohet, por ka vetëm ekonomi të tregtisë dhe shërbimit). Për atë serb, i atij lloji që mbron me zell muralet e kriminelit Mlladiq, shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur dhe nëse Vuqiçi nuk përsërit gjenocidin e ardhshëm është tradhëtar.
Kurse ai shqiptari që e do kombin e tij, këtë dashuri nuk e ka të bazuar te urrejtja deri në vdekje për serbin apo këdo tjetër. Projekti që ai ka për Shqipërinë nuk është ai i dominimit dhe i poshtërimit të të tjerëve; është ai i barazisë themelore mes kombeve.
Por, z. Rama si rrafshues dhe neutralizues i kuptimeve që e pasurojnë jetën politike, përfshirë edhe atë rajonale, e gjen më të lehtë që të barazojë çdo gjë si të keqe dhe kësaj të keqeje të madhe t’i vendosë iksin e përtacisë.
Por, kur Rama e shkelmon “të keqen” kjo nuk do të thotë se ajo është larguar. Ai ka shkelmuar vetëm iluzionin e të keqes, kurse atë të keqen e vërtetë vetëm sa e ka fuqizuar. Kur thua se Vuqiçi që ka marrë pjesë në dy luftra gjenocidale, ai që nuk pranon Kosovë, ai që shfaq orekse ekspansioniste në Kosovë dhe Bosnje, ai që merr fonde nga BE-ja, por armët dhe udhëzimet nga Rusia, kur thua se me këtë person do ta bëjmë paqen rajonale, nuk ke thënë asgjë veçse relativizimit të krimeve të tij si rol shtetëror dhe shtet në përgjithësi.
Në këtë mënyrë, ky faktorizim që Rama i bën Vuqiçit nuk është veçse përgatitje për katastrofën e radhës për shqiptarët, dhe vetëm atëherë Rama do e kuptojë dallimin me shqiptarëve që i thonë tradhëtar dhe serbëve që për momentin Vuqiçin e quajnë tradhëtar.
©Rruga Press