Torovica paralajmëron rrezikun e rënies së gurëve, banorët apel për ndërhyrje
Sikur të mos mjaftojë fakti që gurët që bien në Torovicë u kanë marrë jetën tre personave, ky fenomen vijon të mbetet si rrezik i përhershëm i banorëve të kësaj zone.
Vetëm pak ditë me parë, gurët e radhës u shkëputën nga faqja e malit dhe ranë fatmirësisht në tokën e banesave pa dëmtuar njeri. Edhe pse ishte vetëm fati që në momentin kur rrëshqiti guri askush nuk ndodhej në trajektoren e tij.
Por më shqetësuese akoma mbetet fakti që disa gurë të tjerë të përmasave akoma më të mëdha, rrezikojnë të bien.
Tashmë banorët njohin shumë mirë rrëshqitjet dhe shkëputjet e gurëve, pasi janë të detyruar t’i monitorojnë sidomos në këtë periudhë shirash.
Edhe pse kanë kërkuar ndihmë disa herë pranë pushtetit lokal e deri në parlament, duket se thirrjet e tyre nuk janë dëgjuar nga askush.
Ndërkohë burime pranë bashkisë së Lezhës jashtë kamerave shprehen se do të bëjnë një studim për zonën për të vendosur më pas për ta shpallur si zonë të pabanueshme, ose të gjejnë një zgjidhje për të shmangur rrezikun. E deri atëherë banorët dhe kushdo që kalon këtu do të duhet të ketë fatin me vete./a2/