Opinion/Aktualitet

Tomorri: Fluksi i parave për Portin e Durrësit dhe një ngërç kushtetues

Nga Klodian Tomorri

Projekti i Portit të Durrësit parashikon ndërtimin e 12 mijë apartamenteve, 2 hoteleve me 850 dhoma në total dhe një marinë me 280 vende ankorimi jahtesh. Projekti është i ndarë në 2 faza.

Faza e para fillon në vitin 2023 dhe zgjat 5 vjet. Në të parashikohet ndërtimi i 4 mijë apartamenteve dhe një hoteli me 5 yje. Pjesa e mbetur ndërtohet në fazën e dytë.

I gjithë projekti parashikon 2.1 miliardë euro investime. Tani t’i marrim pak me radhë detajet financiare. Së pari, burimin e financimit.

Sipas fluksit të parasë, projekti kërkon 2.1 miliardë euro investime për realizimin e plotë. Por kompania financon vetëm 160 milionë euro. Nga këto 80 milionë euro nga kapitalet e veta dhe 80 milionë të tjera kredi nga bankat.

Pjesa tjetër, pra afro 2 miliardë euro gjenerohen nga vetë projekti. Me pak fjalë, modeli i biznesit në Portin e Durrësit është njësoj si ai i kullave të Tiranës. Merr lejen, hap themelet dhe paratë të vijnë vetë që në gropë, pa pasur nevojë të investosh gjë.

Ne total, projekti gjeneron 3.2 miliardë euro të ardhura, nga të cilat 2.2 miliardë vijnë vetëm nga shitja e apartamenteve, ndërsa pjesa tjetër nga hotelet, dyqanet dhe marina e jahteve. Pra 12 mijë apartamente që do të përmbysin tregun e pasurive të paluajtshme bregdetare. Por këtu ka një detaj të rëndësishëm. Në planin e biznesit, kompania parashikon që apartamentet t’i shesë me 1500 euro për metër katror. Ky çmim ka për të lëvizur ekuilibrat e tregut.

Ndërtuesit e tjerë, qytetarët që kanë investuar kursimet e tyre duke blerë prona në bregdet me çmime që aktualisht janë edhe më të larta se 1500 euro për metër katror, janë të dëmtuarit e parë. Dhe padrejtësisht.

I gjithë avantazhi i projektit të Durrësit buron nga privilegjet. Së pari kompania është përjashtuar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e strehimit social. Kjo i jep një avantazh 7 për qind në kosto.

Së dyti, kompania e ka tokën falas. Kjo i jep një avantazh tjetër edhe shumë më të madh. Për këtë arsye, ajo mund të konkurojë tregun në mënyrë të pandershme me ato çmime. Por kjo e bën të gjithë projektin të dyshimtë ligjërisht.

Së pari, diferencimi i taksave brenda një kategorie është i ndaluar me Kushtetutë. Nëse projekti i Portit të Durrësit shkon në Kushtetuese, përjashtimi nga taksat bie automatikisht. Një qeveri nuk mund të taksojë një apartament me 7 për qind të vlerës dhe një tjetër me zero. Nuk e lë Kushtetuta.

Së dyti, projekti është dukshëm i orientuar drejt apartamenteve, njësoj si resortet strategjike që bëjnë biznesmenët tanë. Publiku dhe ekonomia kombëtare nuk fitojnë gjë kur dikush ndërton apartamente dhe i shet, por fitojnë kur ndërtohen hotele dhe asete të tjera që gjenerojnë aktivitet ekonomik. Në 820 mijë metër katrorë tokë që shteti i jep kompanisë, do të ketë vetëm dy hotele me 850 dhoma. Pra toka falet për apartamente.

Së treti, marina që kryeministri e lançon si Perla e Mesdheut nuk rezulton dhe aq në projekt. Me 280 vende ankorimesh të parashikuara, kjo hyn tek marinat e vogla. Dhe jo pa qëllim. Marinat nuk sjellin para, ndaj projekti është orientuar tek apartamentet.

Përtej kësaj, risku tjetër është ai i braktisjes së marinës, rrugës. Porti i Jahteve është parashikuar të ndërtohet në fazën e dytë dhe rrugës, projekti edhe mund të ndryshojë.

Pra, qeveria po jep 820 mijë metër katrorë tokë publike për të marrë një marinë, 200 milionë euro divident, 238 milionë euro taksa (tatim fitimi dhe tatim dividenti) dhe dy hotele me 850 dhoma në total. Këto janë përfitimet e publikut.

Në fund të gjithë kësaj kemi një problem. Pasi të marrim 438 milionë eurot nga taksat dhe dividenti si aksioner në projektin e Durrësit na duhen dhe 1 miliardë e 600 milionë euro të tjera për të ndërtuar Portin e Mallrave që po asgjesohet. Biznes me fitim negativ- thoshte një profesor i nderuar i Fakultetit Ekonomik.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *