“Tokyo 2020”, perandori japonez Naruhito do të çelë Lojërat Olimpike…
Olimpiada “Tokyo 2020” nuk do të shtyhet! Kjo është ajo që mund të nxirret nga njoftimi i pranisë së perandorit Naruhito në ceremoninë e hapjes, gjatë së cilës kreu i familjes perandorake të Japonisë, do të deklarojë fillimin e Olimpiadës.
Pavarësisht nga dyshimet e ngritura në ditët e mëparshme, ky status zyrtar vërteton drejtimin e rregullt të Lojërave. Fantazmat e një shtyrje të dytë, janë zhdukur.
Për këtë rast, perandori do të takojë presidentin e IOC-s, Thomas Bach, në Pallatin Perandorak të enjten pasdite dhe personalitete të huaja të premten pasdite, përpara se të vazhdojë me ceremoninë e hapjes.
Sidoqoftë, anëtarët e familjes perandorake, nuk do të marrin pjesë në ngjarje të tjera olimpike, në përputhje me vendimin e Japonisë për të mos hapur objektet sportive për publikun, për t’iu kundërvënë pandemisë Covid-19.
Sipas një zyrtari qeveritar, megjithatë, perandori japonez mund të mos përdorë termin “festuar” kur të shpalli Lojërat Olimpike të hapura. Për shkak të pandemisë, qeveria dhe komiteti organizator po planifikojnë të heqin fjalën, e cila zakonisht është përdorur në ceremonitë e mëparshme të hapjes.
Jo vetëm perandori, udhëheqësit e të paktën 15 vendeve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare, do të jenë në Japoni për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios. Do të jenë rreth 70 zyrtarë qeveritarë në ceremoni, por numri i VIP-ave të huaj që do të jenë në stadiumin kombëtar të premten në mbrëmje, mund të pësojë disa ndryshime.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri mongol Luvsannamsrai Oyun-Erdene janë midis udhëheqësve botërorë, që kanë njoftuar praninë e tyre, si dhe zonja e parë e SHBA-së, Jill Biden. Numri i ulët i politikanëve të pranishëm sigurisht i atribuohet pandemisë, e cila ka shtyrë shumë krerë shtetesh të heqin dorë nga prania e tyre.
Rruga Press