Bota

Tokio 2020: A e ka Japonia koronavirusin nën kontroll?

Edhe nëntë raste me koronavirus u konfirmuan nga organizatorët e Lojërave Olimpike në Tokio, vetëm tre ditë përpara nisjes së tyre.

Sipas raportit ditor të organizatorëve, të publikuar të martën në mëngjes, në mesin e rasteve të reja është edhe një atlet.

Komiteti Olimpik i Republikës Çeke konfirmoi se lojtari i volejbollit çek në plazh, Ondrej Perusic, u diagnostikua me koronavirus.

Shifrat e fundit e çojnë në së paku 71 numrin e rasteve që lidhen me Lojërat Olimpike. Së paku katër raste u regjistruan brenda Fshatit Olimpik.

Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020” nisin më 23 korrik dhe përfundojnë më 8 gusht. Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike.

Këto kanë qenë të parapara të mbahen vitin e kaluar, por janë shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në përpjekje për të mbajtur situatën nën kontroll, Tokio ka shpallur gjendje emergjente dhe ngjarjet olimpike atje dhe në një rajon tjetër do të mbahen pa spektatorë.

Lexo më shumë  Anija ruse e mallrave nën sanksione, dhe e përdorur nga Rusia për tranportin e armëve nga Siria, Ursa Major mbytet në Mesdhe pas shpërthimit

Infeksionet e reja me koronavirus kanë nisur të rriten në gjithë Japoninë qysh në fund të qershorit.

Një ditë më herët, Ministria e Shëndetësisë e Japonisë raportoi për mbi 3,000 raste të reja. Megjithatë, shifra është shumë më e ulët se në muajin maj, kur në disa raste numri ditor ka kaluar 7,000.

Ekspertët kanë thënë se shkalla ditore e infektimit në qytetin nikoqir të Olimpiadës duhet të jetë nën 100, në mënyrë që Lojërat të zhvillohen mënyrë të sigurt.

Autoritetet shëndetësore të qytetit raportuan më 17 dhe 18 korrik për një mesatare shtatëditore prej më shumë se 1,000 rastesh në ditë.

Organizatorët kanë vendosur të mos i lejojnë tifozët në ngjarjet olimpike në Tokio dhe në zonat përreth.

Prefektura e Fukushimës ka vendosur gjithashtu që t’i ndalojë spektatorët, edhe pse fillimisht ka thënë se do t’i lejojë ata. Rajonet Mijagi dhe Shizuoka do të lejojnë një numër të kufizuar spektatorësh.

Ekzistojnë gjithashtu rregulla të rrepta brenda zonave olimpike, si për garuesit, ashtu edhe për zyrtarët. Atletët, ndërkaq, testohen çdo ditë.

Lexo më shumë  WSJ: 3 000 ushtarë koreano-veriorë të vrarë në Ukrainë

Në dy qytetet më të mëdha të Japonisë, Tokio dhe Osaka, ka nisur një fushatë e vaksinimit masiv kundër koronavirusit, për t’iu kundërvënë numrit në rritje të rasteve.

Deri në fund të javës së kaluar, pak mbi 33 për qind e qytetarëve të Japonisë janë vaksinuar me së paku një dozë, por më pak se 22 për qind janë plotësisht të vaksinuar.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania kanë 40 deri në 50 për qind të popullsisë së tyre të vaksinuar plotësisht, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 53% e njerëzve janë plotësisht të vaksinuar.

Japonia ka filluar vaksinimin e njerëzve në shkurt, më vonë se shumica e vendeve të tjera të zhvilluara.

Për disa muaj, Pfizer/BioNTech ka qenë vaksina e vetme e miratuar në Japoni.

Ky proces ka zgjatur më shumë, sepse Japonia ka dashur t’i testojë vetë vaksinat./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *