Thirrjet për formimin e Asociacionit, Kusari-Lila: Qeveria e Kosovës nuk ka dhe nuk pasur asnjë përplasje me SHBA-të
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila ka folur për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), si dhe për takimin e së martës ku do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kusari-Lila në një prononcim për media pas mbledhjes së kryesisë në Kuvendin e Kosovës, tha se qeveria e vendit nuk ka dhe nuk pasur asnjë përplasje me SHBA-të.
Ajo tregoi se në takimin e së martës prezent do të jenë edhe disa ministra dhe zyrtarë të lartë të cilët janë ftuar nga ambasadori i SHBA-së, në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës nuk ka dhe nuk pasur asnjë përplasje me SHBA-të. Ne mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin dhe me agjendën e dialogut. Ambasada amerikane ka ftuar nga pozita ministra të dikastereve të veçanta, të cilët mund të kontribuojnë në diskutimin për Asociacionin. Për ne mbetet primare dhe e domosdoshme trajtimi e diskutimi i të drejtave të komuniteteve në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”
“Plani i Ahtisarit është ndoshta një prej planeve më të avancuara që është përkthyer në gjithë legjislacionin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës në raport me të drejtat e komuniteteve, është konsideruara ndoshta edhe më i avancuar nga vet vendet e BE-së, prandaj në kontekstin e asaj se si do të zbatohet ky plan i cili tashmë është miratuar dhe në legjislacionin në fuqi, ne do të diskutojmë”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila gjithashtu foli edhe për thirrjet për formimin e Asociacionit të cilat erdhën të hënën nga këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Cholet dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ajo tha se asgjë nuk mund të themelohet në Kosovë pa miratimin e organeve të vendit.
“Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër. Rendi kushtetues i Kosovës është Kuvendi, qeveria dhe komunat me qeverisje lokale, prandaj nuk ka formë tjetër jashtë këtyre që mund të themelojë diçka”, theksoi Kusari-Lila.
Kusari-Lila tregoi se në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës është miratuar që të mbahen dy seanca plenare, njëra të mërkurën dhe tjera të enjten.
“Në mbledhjen e kryesisë u miratuan mbajtja e dy seancave, seanca e ditës së mërkurë do të trajtojë pikat e papërfunduara nga seancat e tjera, dhe Kuvendi të mërkurën do të mblidhet në orën 12:00 pasi para Kuvendi ka takimi të komisioneve funksionale. Gjithashtu është caktuar seanca e re e rregullt të enjten në orën 10:00. Shtesë do të trajtohet vendimi i Qeverisë për masat emergjente në sektorin e energjisë”, ka thënë Kusari-Lila.
Rruga Press