KryesoreLajme

Thirrje për protestë kundër ndërhyrjeve në Vjosë–Nartë: “Po shkatërrohet një nga zonat më të mbrojtura natyrore”

Aktivistë dhe mbrojtës të mjedisit kanë bërë thirrje për protestë kundër punimeve që po zhvillohen në zonën e mbrojtur të Vjosë–Nartës, duke denoncuar atë që e quajnë “masakër mjedisore” në një nga ekosistemet më të rëndësishme natyrore në Shqipëri.

Sipas reagimit publik, dhjetëra kamionë, ekskavatorë dhe mjete të rënda kanë hyrë në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, ndërsa pretendohet se punimet po kryhen duke anashkaluar ligjin, ekspertizën mjedisore dhe konsultimin publik.

Lexo më shumë  Eskalon gjuha e urrejtjes e Ramës, krahason të rinjtë protestues me nazistët dhe “Agimin e Artë”

Organizatorët deklarojnë se zona e Vjosë–Nartës nuk mund të trajtohet si “territor pa ligj” apo si një hapësirë ndërtimi, duke paralajmëruar pasoja të rënda për biodiversitetin dhe ekosistemin e lagunës.

Protesta është paralajmëruar të mbahet të shtunën në orën 11:30 në zonën e Hidrovorit në Akërni, ndërsa qytetarët nga Tirana janë ftuar të nisen së bashku nga sheshi pranë Teatrit të Operas dhe Baletit në orën 08:30.

Lexo më shumë  Politico mbi protestat në Shqipëri: Autoritetet shqiptare hetojnë projektin e resortit bregdetar të lidhur me Jared Kushner

Aktivistët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe transparencë të plotë mbi projektet që po zhvillohen në këtë zonë të mbrojtur.

Rruga Press

YouTube player