Thirrja e Trumpit “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri”, tani i ngjan thirrjes së Putinit “Ta bëjmë Perandorinë Sovjetike përsëri, edhe më të madhe”
Të gjithë e dinim se Putini ishte duke pushtuar Ukrainën, por askush nuk e dinte se ai, në fakt, tashmë e kishte “pushtuar” ShBA-në.
Shenjat ishin aty, por këtë e morëm vesh përfundimisht kur presidenti Donald Trump, si asnjë president tjetër amerikian, po flet njësoj si Putini, sa i përket Ukrainës, NATO-s, aleatëve perëndimorë dhe çështjeve të tjera.
Ishte tronditëse dhe e pabesueshme të shihnim se si për rezolutën e OKB-së që dënonte agresionin e Rusisë në Ukrainë, ShBA-ja votonte njësoj si Rusia: kundër.
Jo vetëm që ShBA-ja zyrtarisht nuk e dënoi luftën e Putinit në Ukrainë, por kemi edhe presidentin Trump që nuk pranon ta quajë diktator tiranin e Rusisë, ashtu siç edhe është. Përkundrazi, Trumpi e pati shumë të lehtë ta quajë “diktator” presidentin ukrainas Zelenski. Dhe jo vetëm kaq. Presidenti Trump tha edhe se presedenti Zelenski është ilegjitim, sepse atij i ka mbaruar mandati, e në këtë mënyrë duhet të dorëhiqet që Ukraina të shkojë në zgjedhje të reja presidenciale.
Por, pse ky qëndrim absurd i Trumpit? Që në Ukrainë të rikthehet ndonjë president i ri prorus, i cili e dorëzon Ukrainën në duart e Putinit me ceremoni?
Sot, në datën 25 maj 2025, Parlamenti i Ukrainës mbajti një seancë të jashtëzakonshme në përgjigje të akuzave të Trumpit kundrejt Zelenskit dhe ilegjitimitetit të pretenduar. Kush e pretendoi këtë ilegjitimitet? Në fillim Putini, pastaj “pishtari i demokracisë” Donald Trump, që e quan vetveten mbret dhe që shkroi: “Ai që e shpëton vendin e tij nuk ka shkelur asnjë ligj.”
Sipas kësaj, çdo sjellje autoritare e Trumpit do të ishte e lejueshme, nëse ai konsideron se ato veprime e shpëtojnë vendin. Çdo gjë mbetet e hapur ndaj interpretimit të tij dhe ai këtë po e bën në masë. Po të dojë, edhe të bardhën mund ta interpretojë të zezë, siç po gënjen kur thotë se ShBA-ja i ka dhënë Ukrainës 350 miliardë dollarë, kur në fakt i ka dhënë në total 183 miliardë dollarë. Kur ai interpreton (lexo: gënjen) faktet e dhëna përpara syve tanë, imagjinoni se çka bën me situatat me më pak qartësi apo që kanë kompleksitet më të madh.
Bie fjala, luftën që Ukraina po e bën me trupat e saj, por me paratë e ShBA-së e të BE-së ndaj Rusisë pushtuese, është luftë që ShBA-ja dhe BE-ja po e bëjnë kundër Rusisë me paratë e tyre, por me trupat e ukrainasve. Trumpi, përkundër interesit të ShBA-së dhe të gjithë aleancës së demokracive perëndimore, po interpreton se Ukraina i ka borxh ShBA-së, prandaj duhet të paguajë me minerale të rralla. Ai po shantazhon ata që po bëjnë luftën e ShBA-së, me trupat e tyre e në territor të tyre. Ukraina nuk ka çka i kthen ShBA-së, sepse ajo tashmë ia ka kthyer “borxhin”, duke e ngadalësuar dhe dobësuar Rusinë e Putinit, armikun e përbashkët të Perëndimit.
Nëse Ukraina duhet t’i kthejë para në formën e mineraleve të rralla ShBA-së, kjo do të thotë se burimi i këtij borxhi vjen prej faktit se ShBA-ja e Trumpit nuk është më e njëjta dhe interesat e synimet e saj kanë ndryshuar. Nëse lufta e Ukrainës nuk është më lufta e ShBA-së e për të cilën tani Ukraina duhet të paguajë, atëherë ShBA-ja e Trumpit, në rastin më të mirë është një korporatë e madhe biznesore që zhvat atë që gjen në situatë krize, e në rastin më të keq, është në anën tjetër, në aleancë akoma të pashpallur me Rusinë, kundër Ukrainës, Evropës dhe demokracisë perëndimore. Në këtë rast, do të ishte interes i përkohshëm i dy perandorive tiranike, me ambicien për ta ndarë mes tyre Evropën e gjunjëzuar, në një të ardhme jo dhe aq të largët.
Në seancën e sotme, Palamenti i Ukrainës e miratoi rezolutën në mbështetje të presidentit Zelenski dhe legjitimitetit të tij. Ky miratim u realizua vetëm në një votim të dytë, sepse në votimin e parë kishte shumë mungesa në numër të deputetëve. Kjo ishte e pritshme, sepse një pjesë prej tyre po vinin nga terrene të vështira kalimi që i sjell një luftë, prandaj dhe nuk arritën në kohë. Pikërisht kjo vështirësi e Parlamentit të Ukrainës për t’u mbledhur, për të diskutuar e votuar është njëri prej argumenteve që e rrëzon pretendimin e pabesueshëm të Trumpit, që bën thirrje për zgjedhje në Ukrainë, në një kohë kur e kanë të vështirë të mblidhen 450 deputetë, e jo më disa dhjetëra milionë njerëz që supozohet të votojnë.
Parlamenti i Ukrainës me të drejtë solli në vëmendje se ligji i luftës apo gjendja e luftës në Ukrainë, që është jo vetëm gjendje faktike por edhe ligjore-kushtetuese, e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve në vend. Sipas ligjit të Ukrainës dhe i thuajse çdo vendi tjetër, nuk ka zgjedhje të asnjë natyre deri në përfundim të luftës, të çfarëdo lufte që është sanksionuar si e tillë me ligjin e luftës apo të gjendjes së luftës. Pra, Trumpi po kërkon që Zelenski të shkelë kushtetutën e vendit të tij. Nëse Zelenski do ta bënte këtë, ajo do të konsiderohej tradhëti kombëtare dhe dezertim nga detyrat e përgjegjësitë e liderit të vendit në gjendje lufte.
Përtej aspektit ligjor, situata në terren i bën zgjedhjet të parealizueshme. Ukraina ka sot të aneksuar një pjesë të konsiderueshme të territorit, me popullësinë që gjendet aty, jashtë kontrollit të Kievit dhe në pamundësi për të votuar. Po ashtu, janë miliona njerëz të larguar nga Ukraina si refugjatë, të cilët nuk do të mund të votonin, sepse shpërndarja e tyre dhe evidentimi i plotë i tyre është praktikisht i pamundur. Administrata ukrainase që do të organizonte zgjedhjet nuk ekziston në formën e mëparshme, sepse ajo administratë që vepron aktualisht është e angazhuar plotësisht me luftën dhe me menaxhimin e nevojave të popullsisë në gjendje lufte. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë gjendet në frontet e luftës, e që të votojnë do të duhet t’ia lëshojnë territorin armikut; kjo ngase Trumpi kërkon zgjedhje të reja, si “një simbol i rrallë i demokracisë” që është. Edhe po të bëheshin zgjedhjet, me gjithë pamundësitë ligjore dhe ato të terrenit, në to do të kishte ndërhyrje masive të Rusisë. Ato nuk do të ishin vërtetë zgjedhje, por dorëzim i presidencës në duart e Putinit, me ndonjë president të ri prorus, siç ishin ata përpara presidentit Zelenski.
Por, ndoshta tani kjo ShBA e shpërfytyruar e Trumpit, nuk i ka më problem ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet e vendeve të tjera. Për më tepër, këtë tani po e bën vetë ShBA-ja me zyrtarin e saj Elon Musk, ku në zgjedhjet e fundit në Gjermani ai mbështeti publikisht partinë e ekstremit të djathtë në Gjermani, të cilët janë putinistë të njohur dhe adhurues të gjenocideve të Serbisë së Millosheviqit në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë. Për dallim nga Rusia që vepron në fshehtësi, Elon Musku, pra ShBA-ja zyrtare ndërhyri në zgjedhjet e një vendi tjetër publikisht, në favor të linjave autoritariste dhe naziste.
Putini kontrollon territore në Ukrainë, kontrollon popullsinë aty, ka kapacitetet për manipulim dhe ndërhyrje, zotëron edhe brutalitetin çnjerëzor që në raste “nevoje” të bombardojë në vendvotimet apo aty pranë, ku ai nuk do prani të lartë të votuesve. Por ai, për çudinë tonë, kontrolloka edhe Trumpin. Në këtë mënyrë, humbja e Zelenskit dhe fitorja e Putinit në ato pseudo-zgjedhje do të ishte e garantuar, e me këtë do të garantohej edhe paqja (lexo: kapitullimi i Ukrainës) për të cilën përpiqet kaq shumë Trumpi dhe Putini, që po flasin njëzëri duke përplotësuar njëri-tjetrin, duke dobësuar çdo ditë e më shumë pozicionin e saj Ukrainës, deri në rënien e saj përfundimtare të dëshiruar prej tyre.
Në zgjedhjet amerikane, Donald Trumpi dhe kllouni i paskrupullt Elon Musk, bërtisnin: “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri”. Në vetëm pak kohë qeverisje e kanë bërë Amerikën të vogël në dinjitet, besueshmëri dhe vizion, të zhvendosur në aksin e diktatorëve të vërtetë, si kurrë më parë. “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri”, deri tani po i ngjan thirrjes së nënkuptuar perandorake të Putinit: “Ta bëjmë Rusinë të madhe përsëri, si në kohën e Bashkimit Sovjetik, por kësaj radhe edhe më të madhe, përballë një Perëndimi të trullosur që mund të shuhet së bashku me atë që e ngriti aq lart; demokracinë e saj.”
Përsa na takon si shqiptarë, na duhet kthjelltësi si asnjëherë më parë, sepse aleancat janë gjeostrategjike, udhëheqësit janë të përkohshëm, dëmi i kësaj çoroditjeje ndaj nesh mund të jetë i pakthyeshëm, ndërsa atdheu dhe interesat e tij janë të përjetshme.
Rruga Press