Art & Kulturë

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” ekspozitë e përbashkët e dy muzeve

Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022 çelën ekspozitën me titull “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.

Ky bashkëpunim erdhi pas suksesit të viteve të fundit mes dy muzeve, të cilat shënuan edhe kulmin e marrëdhënieve mes dy institucioneve qendrore muzeore të Shqipërisë dhe Kosovës duke organizuar bashkëpunime, aktivitete dhe takime të shumta.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, përbëhet nga rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës përshëndeti z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, z. Qemal Minxhozi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, dhe drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, z. Ajet Leci.

Të gjithë pjesëmarrësit nënvijëzuan rëndësinë e kësaj ekspozite dhe vlerësuan nismën për njohjen e thesareve të Muzeut Historik Kombëtar edhe për publikun jashtë kufijve të Shqipërisë.

Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike prej të cilave mund të përmendim: koleksionin e objekteve prehistorike; koleksionin e skulpturave; enët prej qeramike; monedhat ilire, greke e romake; objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko – romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë. Në ekspozitë, krahas objekteve të tjera të përfshira, nga pavijoni i arkeologjisë, janë përzgjedhur eksponatet më të spikatura, të cilat përfaqësojnë objekte me vlera artistike, estetike dhe historike, e njëkohësisht përbëjnë kryevepra të artit antik të kohës, duke treguar për nivelin e lartë të zhvillimit ekonomik e kulturor që arritën qytetet ilire.

Larmia e objekteve mesjetare të ekspozuara synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë dhe ftojnë vizitorin në një intenerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, që zunë vend në territorin tonë, për një periudhë që shkrihet nga Antikiteti i Vonë e deri tek periudha bizantine dhe ajo osmane. Si rrjedhojë, objektet më përfaqësuese të këtyre epokave janë përfshirë në ekspozitë, me një interpretim të shkurtër, që integron dhe kontekstin historik, produkt i të cilit janë. Në një këndvështrim lokal gjatë kësaj periudhe mbruhen dhe marrin formë formacionet e para shtetërore si Principata e Arbërit (shek. XII), ai i Karl Topisë (1359-1388), etj., kufijtë e të cilave, ndonëse konvencialë e të lëvizshëm përbëjnë skenën historike ku do të zhvillohen ngjarjet e kohës. Objekt i veçantë në ekspozitë është Epitafi i Gllavenicës, i cili daton në vitin 1373.

Lexo më shumë  “Rrugës” në Cannes – shansi i radhës i Kosovës për “Palmën e Artë”

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” mbyllet me disa objekte ikonografike si ikona “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull” e pikturuar nga Onufri, “Dyert e Bukura” të kishës “Shën Mëria”, Vllaherna në Berat të realizuara nga Onufër Qiprioti, ikona e “Shën Gjergjit” e pikturuar nga vëllezërit Çetiri, ikona “Shpërfytyrimi” e pikturuar nga David Selenica eti. Objektet e ekspozuara përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *