Opinion/Aktualitet

The Economist: Serbia ka shkuar në pazar për të blerë armë

Dhe fqinjët e saj nuk e duan këtë gjë

Artikull i prestigjozes amerikane The Economist, përkthyer nga Rruga Press

“Ejani me mua”, thotë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë. “Tani do të shihni një buzëqeshje në fytyrën time!” Nga tarraca e godinës së presidencës së Beogradit ai tregon rrokaqiejt që ngrehen lart dhe deklaron triumfues: “Si një feniks që ngrihet nga hiri!”

Shtetet e tjera të ish-jugosllavisë po shqetësohen se ushtria e Serbisë po ngrihet poashtu nga hiri. Gjatë një mosmarrëveshjeje të vogël me Kosovën rreth targave të makinave në shtator, Serbia i çoi avionët luftarakë afër kufirit dhe vendosi automjete të blinduar për ta intimiduar fqinjin e saj më të vogël.

Midis viteve 2015 dhe 2021, shpenzimet e Serbisë për mbrojtje u rritën me rreth 70%, në 1.4 miliardë dollarë në vit. Rusia dhe Bjellorusia i kanë dhënë asaj dhjetë avionë mig-29. Rusia i ka dhënë 30 tanke dhe transportues të blinduar të personelit dhe i ka shitur një sistem të mbrojtjes ajrore. Ajo ka blerë dronë të blinduar kinezë, helikopterë rusë dhe një sistem raketor francez tokë-ajër. Këtë muaj ministri i mbrojtjes njoftoi se Serbia po negocionte për të blerë avionë transporti dhe helikopterë nga Airbus. Muajin e kaluar erdhi lajmi se po bisedonte me Izraelin për raketat antitank. Dronët turq, të cilët u përdorën përgjatë humbjes shkatërrues të forcave armene nga Azerbajxhani, vitit e shkuar në Nagorno-Karabakh, mund të jenë në listën e blerjeve. Industria e mbrojtjes e Serbisë po prodhon gjithashtu pajisje të reja, në krahasim me prodhimet e kopjuara të epokës jugosllave.

Pas luftërave jugosllave të viteve 1990 kapaciteti ushtarak i Serbisë u shprish.

Por në vitin 2014 qeveria vendosi të riarmatosej. Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë tregoi se epoka e luftës tradicionale në Evropë nuk kishte përfunduar; dhe përmbytjet në Serbi atë vit ishin një “thirrje zgjimi”, thotë Daniel Sunter i think tankut Rrjeti i Sigurisë Ballkanike. Ata zbuluan se vendi mezi kishte ndonjë helikopter për misionet e kërkim-shpëtimit. Në vitin 2015, Kroacia, edhe ajo duke ringritur forcat e saj të armatosura, i kërkoi Amerikës që ta furnizonte me raketa të cilat, nëse hidheshin në Serbi, mund të arrinin thellë brenda vendit.

Lexo më shumë  Eurodeputeti Picula: Serbia dëshiron ta kompensojë humbjen e Kosovës duke rritur ndikimin e saj në Mal të Zi e BeH

Një shtet modern ka nevojë për një ushtri moderne, thotë zoti Vuçiq. Serbia shpenzon më shumë në terma absolutë se më parë, por shpenzimet e saj të mbrojtjes si pjesë e PBB-së kanë qëndruar rreth 2% që nga viti 2005. Krahasuar me Bullgarinë, Hungarinë apo Rumaninë, kjo është “kikirik”, thotë zoti Vuçiq. Por serbët nuk ishin në luftë me Bullgarinë, Hungarinë apo Rumaninë në vitet 1990. Ata ishin në luftë me fqinjët që tani kanë buxhete më të vegjël ushtarakë. Serbia tejkalon Shqipërinë, Bosnjën, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut së bashku. Ajo tejkalon gjithashtu Kroacinë, e cila po blen avionë francezë për të ringritur kapacitetin e saj ajror thuajse inekzistent.

Nëse Serbia thjesht do të modernizonte forcat e saj të armatosura, askush nuk do ta kishte problem. Është konteksti ai që vendos alarm. Bosnja është sërish në trazira politike dhe Milorad Dodik, udhëheqësi serb i Bosnjës, sugjeroi më 14 tetor se nëse pjesa e tij e Bosnjës ndahej dhe dhuna do të pasonte, Rusia do të ndërhynte për ta mbrojtur atë. Tabloidët e kontrolluar nga qeveria e Serbisë vazhdimisht deklarojnë se lufta me shqiptarët e Kosovës apo kroatët është e afërt. Në tetor, pas një përleshjeje mes serbëve të Kosovës dhe policisë së Kosovës, tabloidët imagjinativ të Serbisë e lidhën praninë e trupave britanike Gurkha me shpërthimin e dhunës.

Lexo më shumë  Protestat e dëshpërimit

Në të njëjtën kohë nacionalistët, duke përfshirë ministrin e Brendshëm të Serbisë, flasin për krijimin e një “bote serbe”, për të cilën shumë në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje kanë frikë se është kod për një Serbi të Madhe që mund t’i gëlltisë. Z. Vuçiq e hedh poshtë këtë si “propagandë”. Ai thotë se të gjithë fqinjët e dinë që riarmatimi “nuk është kundër tyre”.

Vuk Vuksanoviç, një studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se rëndësia e vërtetë e riarmatosjes së vendit është politike dhe jo ushtarake. Marrëveshjet pompoze të armëve u bëjnë përshtypje mbështetësve të Vuçiqit, të cilët priren të mbajnë respekt të lartë për forcat e armatosura.

Por Serbia është efektivisht e rrethuar nga NATO (shih hartën). Me një aleancë të madhe që mbron fqinjët e saj të vegjël, Serbia ka shumë pak gjasa të dërgojë ushtarët e saj në veprim në të ardhmen e parashikueshme. Vërtet, Serbia ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n dhe Amerika trajnon trupat serbe. Të kesh një ushtri të fortë do të thotë që fuqitë e mëdha të trajtojnë me respekt, thotë zoti Vuksanoviq. Dhe nëse, “Zoti na ruajt”, status quo-ja rajonale do të prishej, atëherë “nëse ne mund t’i shkaktojmë dëm kundërshtarëve tanë hipotetikë, ata ndoshta do të jenë më në përputhje me ne në tryezën e bisedimeve”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *