Tërmeti tragjik në Marok, liderët botërorë dërgojnë mesazhe ngushëllimi, OKB ofron ndihmë
Udhëheqësit evropianë dhe ata botërorë kanë dërguar mesazhe ngushëllimi për viktimat e tërmetit tragjik në Marok. Franca ka shprehur solidaritetin me Marokon dhe popullin maroken pas tërmetit të tmerrshëm që tronditi vendin.
“Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre dhe ne admirojmë punën e shpëtimtarëve që po ndihmojnë pa u lodhur të lënduarit”, shkroi ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna në X, e njohur më parë si Twitter, të shtunën.
Menjëherë pas tërmetit, Ambasada Franceze hapi një qendër krize në vendin e Afrikës së Veriut, ku jetojnë 30,000 qytetarë të saj. Zyrtarët i kanë thënë CNN se deri më tani nuk është raportuar asnjë viktimë franceze.
Nga samiti i G20 në Indi, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Olaf Scholz i kanë dërguar ngushëllime popullit të Marokut.
“Ky është një lajm i tmerrshëm nga Maroku. Në këto orë të vështira, mendimet tona janë me viktimat e tërmetit shkatërrues”, shkroi Scholz të shtunën në X, i njohur më parë si Tëitter.
“Zemra ime është me popullin maroken përballë tërmetit të tmerrshëm që mori qindra jetë mbrëmë”, shkroi von der Leyen në X në frëngjisht.
Ajo tha se mendimet e saj ishin me familjet e viktimave dhe të plagosurve, u uroi shërim të shpejtë dhe vlerësoi shpëtimtarët për “punën e tyre të admirueshme”.
Edhe kryeministri indian Narendra Modi filloi të shtunën fjalimin e tij të hapjes së Grupit 20 (G20) duke shprehur “ngushëllimet e tij të përzemërta për të gjithë të prekurit” nga tërmeti vdekjeprurës i Marokut.
“Është dëshira ime që të gjithë të lënduarit të shërohen shpejt. Në këtë kohë të vështirë, mendimet e mia janë me Marokun dhe ne jemi të përgatitur të ofrojmë çdo ndihmë të mundshme”, tha Modi.
Ai po pret disa liderë botërorë këtë fundjavë në kryeqytetin e Indisë Nju Delhi, ku pritet të diskutohen disa nga çështjet më urgjente ekonomike dhe mjedisore në botë.
Ndërkohë Kombet e Bashkuara kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar qeverinë marokene pas tërmetit të fortë që goditi vendin.
“Sekretari i Përgjithshëm ishte thellësisht i pikëlluar kur mësoi për tërmetin që goditi sot Marokun, i cili mori shumë jetë njerëzish”, tha në një deklaratë Stéphane Dujarric, zëdhënës i shefit të OKB-së.
“Sekretari i Përgjithshëm shpreh solidaritetin e tij me qeverinë dhe popullin e Marokut në këto kohë të vështira. Ai u drejton ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe uron shërim të shpejtë të lënduarve”, thuhet në deklaratë.
Epiqendra e tërmetit ishte në malet e Atlasit të Lartë të vendosur rreth 72 kilometra në jugperëndim të Marrakech, një qytet me rreth 840,000 banorë dhe një destinacion popullor turistik. Televizioni shtetëror Al-Aoula ka raportuar rreth 300 vdekje.
Rruga Press