TEC-et lundruese/ Piruetat e Belinda Ballukut për të justifikuar kontratën e majme
Qiraja e lartë për dy TEC-et lundruese që prej një viti janë ankoruar në Vlorë është e vështirë të justifikohet, por ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku nuk i mungoi fantazia për të dhënë disa versione se përse na leverdis të kemi dy anije-gjeneratorë. Kontrata që firmosi Belinda Balluku parashikon që shteti shqiptar t’i paguajë rreth 68 milion dollarë qira për dy vite kompanisë “Exelerate energy”, ose ndryshe 94 mijë dollarë në ditë.
Problemi që ka lindur është se kontrata u firmos në kulmin e rritjes së çmimit të energjisë, pasi nisi lufta në Ukrainë. Në atë kohë, marrja me qira e dy TEC-eve kishte logjikë, por sot çmimi i energjisë që prodhojnë anijet është më i lartë se tregu.
Prej një viti, anijet janë ankoruar në Vlorë dhe nuk janë funksionalë. Ballukut i duhet të shpjegojë se përse nuk është mbajtur premtimi që nëpërmjet tyre do të përballohej rreth 15% e nevojave të energjisë së vendit dhe për më tepër, nëse kontrata me kompaninë “Excelerate Energy” ishte apo jo e leverdishme për shtetin shqiptar.
Kur u pyet nga gazetarët, Balluku nuk u kap në befasi. Ajo nxorri menjëherë disa interpretime sipas të cilave nuk kishte bërë një marrëveshje të keqe me kompaninë amerikane, sepse leverdia ishte në disa dimensione.
Së pari, Balluku shfrytëzoi idenë që përdoret rëndom për t’i hedhur hi syve publikut, sipas së cilës “çdo gjë që vjen nga Amerika është e mirë”.
“Ka qenë diçka që së bashku me ambasadoren Kim kam punuar shumë për t’i pasur këto Tec-e lundruese” u tha Balluku gazetareve, duke shtuar se “nëse nuk do të kishim pasur ndihmën e Departamentit Amerikan të Energjisë, nuk do t’i kishim marrë dot kurrë”.
Në fakt, menjëherë pas ankorimit të dy anijeve gjeneratorë në Vlorë, ish-ambasadorja amerikane Juri Kim dhe ministrja Belinda Balluku bënë një vizitë tek anijet. Kim në atë kohë e reklamoi kontratën në formën e një ndihme që SHBA jepte për Shqipërinë, duke pasur parasysh vështirësitë që krijoi në tregun energjitik lufta në Ukrainë. Çështja është që efektet e luftës në Ukrainë, siç ishte rritja e çmimit të energjisë, u shua shpejt, ndërsa Shqipërisë i mbeti në dorë “dopiogjashta” e kontratës së dy TEC-eve lundruese.
Së dyti, ministrja Balluku e justifikoi kontratën e majme për TEC-et lundruese me faktin se gjeneratorët nuk kanë nisur ende nga puna, ndaj për to nuk është paguar asnjë lek. Meqënëse kritikat janë se qiraja për dy anijet-gjeneratore është e lartë, Balluku mbrohet duke thënë se qiraja nuk ka nisur të paguhet ende, sepse KESH nuk po i merr në dorëzim anijet.
“KESH nuk e merr në dorëzim deri në ditën kur ato do të komisionohen nga ana teknike dhe sot ju keni atje kompani ndërkombëtare, një kompani italiane dhe Exelerate Energy duke punuar. Unë di që një nga anijet e ka përfunduar fazën e remontit, që të dyja janë lidhur. OST-ja ka ofruar të gjitha shërbimet për pikën e lidhjes, KESH-i është mbikqyrës dhe ky duhet të jetë një element i mirë dhe jo një element negativ. Fakti që KESh nuk i ka marrë në dorëzim do të thotë se KESH nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë” u shpreh Balluku.
Kuptohet se ky justifikim është qesharak, pasi konfirmon se pagesa e qirasë për anijet gjeneratore po shtyhet me qëllim, për shkak të çmimit të kripur që duhet paguar. Por respektimi i kontratës kuptohet se respektohet një moment.
Së treti, Balluku e justifikoi kontratën e majme edhe me faktin se pas pagesës së qirasë për dy vite, TEC-et lundruese do t’i mbeten shtetit shqiptar.
“Këto TEC-e, kur të fillojnë të punojnë, ndërkohë që do paguhet qiraja, do të mbeten si aset i Republikës së Shqipërisë. I përsëris disa gjëra se shikoj që kur bëhen artikuj ose nuk na dëgjojnë ose pastaj kanë dëshirë të abuzojnë. Pra ndërkohë që do të paguhet qeraja për prodhimin energjitik të atyre tec-ece 55 dhe 55, 110 Mega në total, KESH do të përfitojë, ndërkohë që paguan qeranë vetëm me 1 euro do t’i mbajë këto asete ne inventarin e kompanisë” tha Balluku.
Praktikisht ministrja po pranon se pagesa e qirasë është në realitet çmimi i blerjes së TEC-eve. Përkundër kësaj, ekspertët kanë llogaritur se anijet-gjeneratorë do të kushtonin më pak, nëse do të ishin blerë. Nëse në total, për qiranë do të paguhet 64 milion dollarë, për blerjen e tyre do të paguheshin dhjetëra milionë më pak.
Së katërti, Belinda Ballukut iu desh të ngrejë një skenar tjetër sikur Shqipëria i jep me qira anijet-gjeneratorë, në të ardhmen.
“Në ardhmen mund t’i japim me qira, se ne do kemi asetet tona, parqet fotovoltaike eolike, hidrogjene, mund t’ia japim me qira shteteve të tjera që janë vazhdimisht në kërkim” u shpreh Balluku.
Jo më kot, ky ishte edhe justifikimi fundit. Përdorimi i dy anijeve-gjeneratorë në Shqipëri ka vënë në lëvizje ambjentalistët, sipas të cilëve niveli i ndotjes në rast të ndezjes së tyre është në nivele alarmante. Kuptohet se në vendet e Bashkimit Europian, përdorimi i gjeneratorëve të tillë do të provokonte shumë më tepër shqetësim. Nuk ishte rastësi që para se të vinin në Shqipëri, TEC-et lundruese ishin përdorur në Bangladesh./Lapsi.al
Rruga Press