Kuriozitete

Të ulësh avionin në pistën më të shkurtër në botë

Fluturimi drejt Sabas nuk këshillohet për ata me zemër të dobët, të cilët mund të zgjedhnin tragetin si mjet më të sigurt. Shpatet marramendëse dhe shkëmbinjtë e ngulur në det, nuk lënë shumë hapësirë për të ulur avionin në ishullin që ndodhet në Karaibe, me sipërfaqe prej vetëm 13 kilometrash katrorë.

Por vendasit kanë arritur të bëjnë të mundur këtë, duke ndërtuar një pistë prej vetëm 400 metrash gjatësi, në aeroportin e tyre “Juancho E. Yrausquin”. Aventura është aq drithëruese, saqë pasi shkel tokën me këmbë, në dyqanin e suvenireve mund edhe të blesh një bluzë me mbishkrimin “Unë i mbijetova zbritjes në Saba!”.

Ishulli është zyrtarisht pjesë e Mbretërisë së Holandës, por ndodhet në mes të Karaibeve, pranë parajsave si Porto Riko, apo Republika Domenikane.

Udhëtimi final drejt ishullit zgjat 15 minuta, nga Saint Maarten. Avioni model DHC-6, me 19 vende, drejtohet vetëm nga një grup elitar pilotësh, të stërvitur enkas për këtë pistë. Aviatori veteran, Roger Hodge, është njeriu që i ka stërvitur të gjithë pilotët e rinj. “Pasi kadetët përfundojnë trajnimin dhe jemi të kënaqur me të, e dërgojmë për të fluturuar dhe themi se lindi një tjetër Top Gun”, thotë ai për CNN. “Fluturimi është pa diskutim i rrezikshëm, por kur e di mirë se çfarë duhet të bësh, gjërat duken të qeta dhe të sigurta”.

Duke qenë se biletat janë pa numër, pasagjerët në avion nxitojnë të zënë vendin e parë, në mënyrë që të shohin edhe më mirë udhëtimin.

Zbritja e parë me avion në Saba u krye në vitin 1959, nga piloti ambicioz Remy de Haenen, nga ishulli fqinj St. Barthélemy. Shumë ishuj në Karaibe kishin arritur të ndërtonin pista për uljen e avionëve gjatë Luftës II Botërore, por në Saba terreni nuk linte shumë hapësirë. Të gjithë e mbajnë mend akoma zbritjen e avionit Dornier Do-27, më 9 shkurt 1959. “U mblodhën të gjithë, ishte e mrekullueshme”, thotë për CNN James Franklin Johnson, një guidë turistike i cili në atë kohë ishte vetëm 8 vjeç. “Saba doli nga izolimi kur ai avion u ul në ishull”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *